Posta

March 8, 2017 | 10:00

POSTA/ Djali im është agresiv

Kam nevojë për ndihmë! Kam djalin 4 vjeç e gjysmë dhe ka shumë nerva. Si të veproj, si të sillem? Theksoj se jam në pritje dhe të një engjëlli tjetër dhe frika ime qëndron mos më përkeqësohet situata pas ardhjes në jetë të fëmijës tjetër. Ju faleminderit!

1

Përgjigje nga psikologia:

 Imo Alikaj Psikologe Klinike

Imo Alikaj
Psikologe Klinike

Më vjen mirë që po e mendoni me kujdes ardhjen në jetë të fëmijës tjetër. Është e vërtetë që me lindjen e tij, ashtu siç do të ndryshojnë dinamikat në familjen tuaj, ashtu do të ndryshojë edhe perceptimi, përjetimi dhe reagimi i djalit. Ai ndodhet në një moshë të tillë që nuk mund të kuptojë se prindërit mund t’i duan të dy fëmijët në të njëjtën kohë. Dhe për rrjedhojë do ta shikojë vëllain/motrën e vogël si një rival/e, sepse ai/ajo do t’i marrë gjithë vëmendjen dhe dashurinë prindërore. Nga ana tjetër, kjo është mosha ku për shkak të frekuentimit të kopshtit, krijimit të grupit të shokëve dhe krijimit të pavarësisë së parë, fillojnë ato shpërthimet e para emocionale; fëmijët bëhen pak më nervozë, tensioni rritet, priren të rebelohen, të kundërshtojnë autoritetin e tyre dhe të mbajnë qëndrime të ashpra dhe paksa agresive ndaj fëmijëve të tjerë.

I thashë të gjitha më sipër për t’ju qetësuar paksa dhe për të thënë që ndryshimi emocional dhe ndonjëherë i rënduar dhe pak nervoz është pjesë normale e rritjes së fëmijëve.  E megjithatë, do ishte mirë që të qartësoheni më konkretisht mbi gjendjen aktuale emocionale të djalit tuaj. Duke qenë se në këtë mesazh nuk kishit thënë shumë mbi reagimet e tij gjatë nervozizmit dhe në cilat situata nervozohet, do t’ju sugjeroja të konsultoheni me një specialist për të parë nëse do të jetë i nevojshëm një plan ndërhyrje për djalin tuaj. Gjithsesi, ju paralelisht mund ta ndihmoni që këtë impuls emocional, nervozizëm dhe tension ta shkarkojë dhe kanalizojë në formë konstruktive.

Në momentet e zemërimit apo nervozizmit, kujdes; mos e qortoni apo dënoni! Fokusohuni te ajo çfarë ai ndjen, mendon, çfarë e mërzit dhe si mund ta përmirësoni së bashku; kështu do t’i tregoni se do të jeni gjithmonë aty për të dhe për nevojat e tij. Bisedoni me djalin tuaj; pyeteni atë për ditën që kaloi, për shokët, lojrat që ka bërë, si është ndjerë, çfarë do të donte ai të bënit së bashku? Mundohuni të kaloni së bashku si një familje kohë cilësore; të bëni diçka të përbashkët, të shkoni në teatër, të shkoni te parku i lojrave, të dilni shëtitje, të luani, të vizatoni së bashku; të gjitha këto mund ta ndihmojnë për stabilitet emocional.

Por edhe të ndani gjërat tuaja me djalin tuaj është shumë e rëndësishme. Do t’ju udhëzoja të flisnit me djalin tuaj për këtë shtatzëni. Të jeni të sinqertë në tregimin tuaj. T’i tregoni se fëmija që ndodhet në barkun tuaj do të jetë vëllai/motra e tij e vogël, se kur të vijë në këtë jetë ai do të jetë shumë i vogël dhe do të ketë nevojë për përkujdesjen e të treve. Ju mund t’i thoni djalit tuaj se ju do të kishit shumë nevojë për ndihmën e tij në rritjen e bebit. Dhe në vazhdim të mundoheni ta përfshini sa më shumë djalin tuaj; qoftë në vizitat rutinë, blerjen e rrobave të bebit apo përgatitjen e dhomës. Edhe pas lindjes së fëmijës suaj të dytë do ishte mirë që ta vazhdoni këtë përfshirje të vëllait të madh. Por, gjithashtu duhet të ruani dhe të mos e humbisni marrdhënien me djalin tuaj, sepse fëmijët parashkollorë kanë nevojë për përkujdesje dhe kohë cilësore deri në 30 minuta në ditë pa ndërprerje.

 

 

 

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top