Posta

February 22, 2017 | 8:17

POSTA/ Fëmija im nuk është social. E shoh si problem të madh, çfarë më këshilloni?

1Përshëndetje! Problemi im, në qoftë se mund ta quaj të tillë, është çerdhja e vajzës. Vajza është 2 vjeç e gjysmë. Ka më shumë se një muaj që e dërgoj në çerdhe. Në fillim me orar të reduktuar dhe gradualisht me orar të plotë. Realisht, kopshti është shumë i mirë dhe investon shumë në edukimin dhe zhvillimin e fëmijëve. Edukatoret janë shumë të mira dhe vajza i ka dashur ato që në fillim. Problemi qëndron te socializimi i vajzës me fëmijët e tjerë. Ajo është shumë e tërhequr. Preferon të rrijë vetëm dhe jo me fëmijët e tjerë. Nuk dëshiron të qëndrojë te  grupi i saj (i fëmijëve 2-4 vjeç), por shkon te grupi parashkollor ku bëhet mësim, është qetësi dhe asnjë fëmijë nuk i kërkon të luajë. Rri në qetësi dhe shikon mësimin. Fillon e qan kur fëmijët kanë orën e lirë, gjatë së cilës vrapojnë, bërtasin dhe bëjnë zhurmë. Kur fëmijët i afrohen që të lozin me të, ajo nuk do dhe fillon e qan. Është shumë e tërhequr nga aktivitet sociale; preferon ndonjë aktivitet vetjak si psh, të vizatojë, të shkruajë, të luajë me kuba, të shikojë ndonjë përallë etj. Është fëmijë shumë inteligjent, flet kuptueshëm, ka fizik të zhvilluar, ama është asociale. Si unë me tim shoq, ashtu edhe edukatoret, jemi përpjekur shumë që ajo të afrohet me fëmijët. Deri tani asnjë ndryshim. Njësoj si në çerdhe, edhe në këndet e lojrave ose në parqe, ajo preferon të rrijë vetëm, madje sakrifikon kënaqësinë e lojës në qoftë se aty ka fëmijë të tjerë dhe thjesht afrohet tek unë dhe merret me diçka tjetër. Shkon të luajë vetëm kur nuk ka fëmijë të tjerë. Shpresoj të kem qenë sadopak e qartë në shpjegimin e problemit. Për ne, realisht është problem shumë i madh. Do t’ju lutesha për ndonjë këshillë nga ana juaj dhe se si ndikon asocializimi në zhvillimin e fëmijës? Ju falenderoj për këtë mundësi!  Ju uroj gjithë të mirat!

Përgjigje:

Nga Msc.Adelina Pjetra Psikologe Klinike

Nga Msc.Adelina Pjetra
Psikologe Klinike

Përshëndetje e nderuar! Jeni munduar të jepni një panoramë të shqetësimit tuaj. E kuptoj konfuzionin dhe çfarë ju shqetëson. Nuk kam ndonjë informacion për të kaluarën e saj. Çfarë dua të them? Para se të shkonte në çerdhe, me kë rrinte dhe a kishte prezencë të bashkëmoshatarëve të saj gjatë këtyre viteve? Kjo për të kuptuar nëse fëmija juaj ka ndryshuar diçka nga normaliteti i saj, apo kjo është pjesë e karakterit të saj.  E megjithatë kjo situatë është normale për fëmijët e kësaj grupmoshe.

Fëmija juaj mund të jetë një fëmijë introvert, që preferon të luajë vetëm. Ajo mund të jetë dhe e turpshme dhe prania e fëmijëve të tjerë mund ta bëjë më të ndjeshme. Shumica e fëmijëve që nuk dëshirojnë të luajnë me bashkëmoshatarët e tyre, thjesht mund të mos kenë qenë shumë të ekspozuar mjaftueshëm me bashkëmoshatarët (për këtë arsye më duhej dhe informacioni për kohën para dërgimit në çerdhe). Duke i ofruar një ambient ndryshe nga ajo që është rritur, duke pritur në mënyrë shabllone që të kryejë disa sjellje që më parë nuk i ka pasur të njohura, bën që fëmija mos ta pranojë dhe ta praktikojë këtë lloj informacioni të ri. Ndërveprimi social është një sjellje e mësuar dhe ne dimë si të ndërveprojmë me të tjerët nga praktika. Ekspozimi është çelësi. Çfarë dua të them me këtë? Ju do të vazhdoni t’i krijoni mundësi dhe të socializoni  fëmijën tuaj në vende ku ka bashkëmoshatarë të saj, mbase do ju duhet që dhe ju të uleni e të luani me ta, në mënyrë që vajza juaj të mësojë nga sjellja juaj në praktikë, duke ju vëzhguar ju. Kemi thënë që fëmijët modelojnë / kopjojnë sjelljet e prindërve të tyre. Mos u shqetësoni, në fund të fundit vajza juaj ka mjaftueshëm kohë gjatë fëmijërisë së saj të zhvillojë aftësi sociale (duke e ditur që në shoqërinë tonë nuk kemi zgjidhje tjetër përveç se të ndërveprojmë me bashkëmoshatarët gjatë viteve të shkollimit) dhe gjithçka do të kthehet në normalitet. Në qoftë se ju, do jeni sërish e shqetësuar për mungesën e saj të socializimit me fëmijë të tjerë, do ju këshilloja të bëni një konsultë psikologjike me një Terapiste për fëmijë, në mënyrë që të arrini të diskutoni çdo lloj shqetësimi, tjetër që mund të keni për mosdëshirën e saj në përfshirje sociale .

Më poshtë po ju bashkëngjis një informacion shtesë mbi bashkëveprimin midis fëmijëve të moshës 2-4 vjeç. Fazat e lojës ndërvepruese që kalon një fëmijë, të cilat janë normale dhe të pritshme të ndodhin gjatë kësaj periudhe kohore.

1

 

Shumë njerëz mendojnë se fëmijët duhet të mësojnë për të ndarë gjërat me të tjerët, dhe ata e bëjnë në fund. Por, deri në moshën 23-muajshe, të vegjlit janë shumë mbrojtës për sendet e tyre. Kështu, ndërsa ju në të vërtetë u inkurajoni paqe, dashuri dhe të luajnë  së bashku ose në grup, aftësitë për të ndarë lojën në të vërtetë nuk mund të fillojnë të zhvillohen derisa fëmija juaj të bëhet 2 vjeç.

  • Tek fëmijët, faza e parë e lojës në grup është e njohur si “loja paralele”, dhe ajo fillon të duket rreth moshës 24-muajshe. Gjatë lojës paralele, fëmijët luajnë vetëm, por pranë njëri-tjetrit. Ata kanë lodrat e tyre dhe nuk do të përpiqen për të ndikuar lojën e njëri-tjetrit, por ata mund të vëzhgojnë se çfarë është duke bërë një fëmijë tjetër dhe të ndryshojnë lojën e tyre për shkak të tij.

Prindërit shpesh shqetësohen se fëmija i tyre 2-vjeçar nuk do të luajë me fëmijët e tjerë dhe i pëlqen të luajë vetëm, por në qoftë se ata shikojnë më nga afër, do të shohin se fëmija i tyre është i angazhuar aktualisht në një lojë paralele. Kjo fazë shfaqet pas ditëlindjes së parë, por më së shumti shihet në mesin e 2- 3 vjeçarëve.

  • Faza tjetër e lojës është loja shoqëruese. Mendoni për këtë fazë si “së bashku – vetëm”. Një grup fëmijësh të moshës parashkollore mundet që të gjithë të marrin pjesë në të njëjtin aktivitet, por ata nuk janë duke bashkëpunuar ose duke punuar drejt një qëllimi të përbashkët. Në këtë fazë, fëmijët mësojnë për ndarjen e lodrave të tyre dhe fillojnë të bëjnë një kthesë me ndihmën e të rriturve. Fëmijët shikojnë dhe shpesh kopjojnë lojën e njëri-tjetrit.
  • E në fund, fëmijët mësojnë të luajnë në mënyrë bashkëpunuese. Fëmijët zakonisht nuk e zhvillojnë lojën bashkëpunuese derisa ata janë 4 ose 5 vjeç. Në lojën bashkëpunuese, fëmijët ndërveprojnë me njëri-tjetrin, formojnë rregulla, caktojnë rolet dhe punojnë drejt një qëllimi të përbashkët. Kjo është faza ku prindërit më në fund mund të rrinë duarkryq dhe të gëzojnë veten gjatë një qëndrimi në një park lojrash, edhe pse fëmijët ende do të kenë nevojë për ndihmë për të punuar me problemet e tyre .

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top