Posta

July 22, 2017 | 14:42

POSTA/ “Fëmija nuk më bindet.” Psikologia ju sugjeron “tabelën e sjelljeve të mira”

Jam një nëne 28 vjeç dhe kam një djalë 4-vjeçar. Deri tani ka qenë shumë fëmijë i qetë, i dëgjuar, por tani ka ndryshuar shumë, është bërë shumë nevrik, nuk të degjon fare edhe pse mundohem t’i flas qetësisht dhe t’ja shpjegoj se nuk duhet vepruar kështu. Për momentin më thotë ‘mirë nuk do bëj më gabime’, pas disa minutash vazhdon sërish. Ka kohë që as gjumë në drekë nuk fle. Sapo t’i thuash për gjumë fillon ulëret…Jam munduar me të gjitha mënyrat, por pa efekt deri tani. Për gjënë më të vogël qan. Çdo tekë do që t’i plotësohet. Ju lutem më thoni si mund ta bind që të më dëgjojë?

102015164_univ_lsr_lg

Adelina Pjetra, Psikologe Klinike & Terapiste EMDR

Adelina Pjetra, Psikologe Klinike & Terapiste EMDR

Përgjigje:

Edhe kundërshtimi dhe mosbindja është fazë e rritjes dhe e formimit të identitetit të fëmijës. Por  nëqoftëse ju bini në kurthin e realizimit të dëshirave nga sjellja e tij, nuk do bëni gjë tjetër veçse do ta përforconi këtë sjellje, pasi fëmija do kuptojë që në këtë mënyrë mund t’i arrijë objektivat dhe dëshirat e tij.

Do ju sugjeroja të provonit një teknikë që funksionon dhe që unë e kam shumë për zemër që e quaj: tabela e sjelljeve të mira, ( tabela e sjelljeve që dëshirojmë të arrijmë tek fëmija),  ku në një tabelë, vendos horizontalisht ditët e javës ( E hënë … e martë .. etj ) dhe vertikalisht sjelljet e dëshiruara nga ju( 1. Ha mëngjesin, 2 . Fli gjumë në dreke, 3.Kërkon diçka pa qarë apo bërtitur , etj… të paktën 5 sjellje) . Për çdo sjellje të arritur shënoni në tabelë një ( diell, yll, stickers me fytyrë të qeshur etj). Dhe bën një x marrëveshje me fëmijën psh: nëqoftëse  gjatë këtij muaji merr supozojme 20 yje, në fund të muajit do të të plotësoj x dëshirë tënden. Kjo tabelë është mirë të vendoset në një vend të dukshëm në shtëpi, që fëmija të shohë arritjet e tij dhe të krenohet, duke u stimuluar të përmbushë detyrat për të arritur objektivin e tij në fund të muajit.

Për çdo sjellje të arritur dhe vendosjen e shënimit në tabelë, ju sugjeroj të komplimentoni fëmijën tuaj dhe t’ja vini në dukje sa i aftë dhe i guximshëm po tregohet ( kjo përforcon sjelljen pozitive dhe siguron një komunikim pozitiv midis jush). Në rastin e kundërt kur fëmija nuk i përmbush detyrat e një dite (nuk merr shënime në tabelë) , ju lutem mos ja vini në dukje këte duke i thënë: “sot nuk më ke pëlqyer, apo sot nuk ke fituar asnjë yll …” , në vend të kësaj mund t’i thoni : “Unë e di që sot je munduar të bësh më të mirën tënde, por jam e sigurt që nesër do t’ja dalësh shumë mirë dhe në tabelë do marrësh shumë ☀ :).

Kjo teknikë shikohet si një lojë e pëlqyeshme nga fëmijet dhe në shumicën e rasteve funksionon për mrekulli. Vetëm bëni kujdes ! Atë çfarë i keni premtuar në fund të muajit, duhet ta realizoni, që të mos thyeni besimin tek fëmija juaj. (Premtimi duhet të jetë i arritshëm dhe që i përmbush mundësitë tuaja).

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top