Problemi im është se ballafaqohem me frikën për vite të tëra. Më mundon të rri vetëm. Mendoj veç gjëra negative si: mos çmendem, humbas kontrollin, apo kur dëgjoj se dikush bën vetëvrasje, menjëherë frikohem, mendoj mos më ndodhë edhe mua kjo gjë. Vetëm prania e të tjerëve më jep siguri. Kjo situatë po më bëhet pengesë shumë në jetë. Nuk e di nëse kjo gjendje e imja quhet agorafobia apo si. Ju falënderoj shumë, nëse së paku do të më ndihmojë këshilla juaj si ta tejkaloj këtë situatë.
Përshëndetje e dashur lexuese. Në radhë të parë do t’ju këshilloja që të takoheshit me një profesionist, për të kuptuar më mirë “dhimbjen” që keni ndaj frikërave, kohëzgjatjen e tyre dhe mendimet negative për jetën. Është një hap i rëndësishëm për mirëqenien e shëndetit mendor. Të gjithë ne jemi të programuar që të përjetojmë emocione nga më të ndryshmet. Të gjitha këto janë faktorë të rëndësishëm për shëndetin tonë mendor dhe një rrugë mjaft e mirë për të perceptuar botën e veten dhe për të lidhur komunikimin me këto të dyja. Emocionet na tregojnë se jemi njerëz me ndërgjegje dhe të “gjallë.” Përveç kësaj hyrjeje, unë do të ndalesha veçanërisht te frika. Kjo ndjenjë e bën njeriun që të përgatitet të përballet me rrezikun që i kanoset. Frika e bën trupin që ai të përballet me rrezikun në mënyrë sa më optimale: nëse shohim një qen që leh, ia fusim vrapit, nëse shohim një pengesë që del përpara ndërkohë që duam të shpëtojmë, e largojmë me forcë, forcë të cilën pa sinjalet e frikës nuk do ta kishim në gjendje të lirë. Pra, ne jemi programuar biologjikisht të reagojmë me frikën, por kur stimuli kërcënues nuk është real, pra është vetëm në mendjen tonë, atëherë frika kthehet në një supozim, në një situatë irracionale, dhe trupi merr sinjale të rreme rreth rrezikut që “mund” t’i kanoset. Ju po përgatiteni, jeni në pritje të diçkaje që mund të ndodhë dhe që ka shumë të ngjarë që nuk ka për të ndodhur. Ky është mundimi psikologjik që i bëni vetes: “Po SIKUR të ndodhë…” Unë ju ftoj që të mendoni realisht situatën: sa kohë keni që i bëni pyetje vetes “po sikur të çmendem?” Fakti që keni disa kohë që i bëni këtë pyetje vetes, realisht po mendoni në kokën tuaj frikën që keni dhe deri tani duket se nuk jeni “çmendur.” Le të marrim rastin tjetër, fakti që ju dëgjoni se dikush vret veten dhe frikësoheni; fakti që keni frikë se mos ju ndodh edhe juve, do të thotë që ju e doni veten shumë për ta kryer këtë akt, i cili në vetvete është shumë egoist, pasi mendoni se sa shumë njerëz ju duan dhe sa shumë doni. Nga letra juaj kuptoj që jeni një grua e fortë, kurajoze, e ndjeshme, e përgjegjshme. Janë këto cilësi që ju vendosin përballë një kontrolli perfeksionist për të kontrolluar botën ku jetoni. Por unë do t’ju thosha: “Mjaftohuni me kaq”! Çdo gjë që ju bëni, është mjaftueshëm mirë ashtu siç është, dhe ia vlen që të lësh disa gjëra të të dalin jashtë kontrollit, se mendoj që do të kënaqeshit dhe ju shumë më tepër. Pastaj, mendojeni kështu: “një jetë e jetuar me frikë, është një jetë e jetuar përgjysmë”.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.