Posta

January 20, 2017 | 9:10

POSTA/ Im shoq më tradhtoi, por nuk dua të divorcohem

1Jam e martuar, kam një vajzë, me tim shoq kam disa vite martesë, kemi jetuar vite të bukura e të lumtuara me të. Para disa muajsh zbulova tradhtinë e tim shoqi. E pranoi që më kishte tradhtuar, gjendja ime psikologjike u rëndua shumë. Edhe pse pas lutjesh të tij u rikthyem sërish, unë nuk kam shumë besim, më duket sikur më gënjen, po më shkatërron kjo gjendje. Nuk di më të jetoj, nuk ha, nuk fle mirë, jam shumë nervoze. Ju lutem, kam nevojë për këshilla si ta harroj, se nuk dua divorc. Dua ta ruaj familjen time. Me respekt pres një përgjigjie nga ju!

 

Manjola Baçi Psikologe klinike

Manjola Baçi
Psikologe klinike

Përgjigjie nga psikologia Manjola Baçi: Përshëndetje e dashur, është bekim të kesh një familje që ka jetuar një martesë për një kohë relativisht të gjatë dhe të lumtur. Ju jeni e tronditur pasi lidhja juaj pësoi një zhgënjim emocional. Mblidheni veten, ajo çfarë ju ka ndodhur, vërtetë ka rënduar gjendjen tuaj psikologjike e shpirtërore, por situata duhet vlerësuar për atë çfarë po ndodh, jo pse më  ndodhi mua. Ju jeni në fillim një femër, një grua e një bashkëshorti, dhe një nënë e një vajze. Siç e shikoni jeni disa hapa përtej vetes suaj, që tregon kapërcim  në rritje të personalitetit tënd. E njëjta gjë i ka ndodhur edhe bashkëshortit tuaj. Përgjegjësia e madhe në martesë e shtyp emocionalisht njërin nga partnerët, nga kjo ai/ajo kërkon t’i shpëtojë dhe të kënaqë unin e tij/saj, duke rënë pre e tundimit në këtë rast të shkeljes së kurorës. Juve ju rëndon në koshiencë tradhëtia si fenomeni më i keq më i pamoralshmi mbi të qenit i/e martuar, dhe jeni druar nga frika për gjithë këto vite që kjo gjë e keqe mos t’i ndodhte martesës suaj, edhe pse ju ndoshta nuk e keni menduar këtë gjë, për nga siguria dhe lumturia që keni pasur, por thellë në subkoshiencën tuaj e keni menduar, por që nuk do t’a duronit dot dhe nuk do t’a falnit kurrë. Kështu, ju ndodhi dhe vepruat siç keni menduar.

Tradhtia është një aspekt që i ndodh jo vetëm marrëdhënies (çiftit), por familjes, miqësisë, është diçka e hidhur, por ndodh pasi njeriu humbet rrugën, stimulin, sigurinë, e shumë arsye që gjenden brenda ndjesive të njeriut.

Ju kuptoj që keni vuajtuar dhe po vuani ende pasiguritë e ndjenjës dhe lidhjes suaj. Por nëse ju doni vërtetë dhe i besoni dashurisë suaj, jepi mundësi, këtu nuk i jepni vetëm partnerit tuaj, por jeni ju e para dhe familja juaj, vajza. Ndaj, ju këshilloj të reflektoni me mençuri dhe jo si e shohin të tjerët tradhtinë, më besoni nëse ju e doni vërtetë atë do të vazhdoni pa droje lidhjen, pa dyzime, frikëra që mund të shembin lidhjen, të rrezikojnë lumturinë për një periudhë jo të mirë në jetën tuaj. Mendoni me kujdes se ku keni gabuar, mos iu hakërreni vetëm atij, por shikoni më objektivisht. Në partneritet janë të dy furnizuesit në lidhjen shpirtërore të saj. Punoni me ndryshimet e jetës suaj, pranojini ato si një sfidë, për ti përmirësuar, jo shkatërruar. Dikush nga ju duhet të voziti barkën tuaj drejt lumturisë, jini ju, tregoni vlerat tuaja, guximin, tolerancën, mirësinë, jo braktisjen, pasi dikush tjetër do t’a bëjë me ju.

Martesa ka gjithçka, është një betejë që kërkon të ngresh strategji, ku të vendosësh në rast dështimesh dhe plan B sesi të rimëkëmbesh.

Fëmijët janë ata/ato që vuajnë më tepër nga reflektimet dhe përjetimet e prindërve, ashtu si në rastin tuaj. Dëshira më e madhe e vajzës suaj është t’ju shikojë bashkë, por edhe nëse jo të kujdeseni për gjëndjen e saj psikologjike e shpirtërore, mos t’a përfshni në debatet tuaja, që rëndojnë komunikimin dhe krijojnë ankth e pasiguri për vajzën tuaj.

Mendoni pozitivisht, mendoni për shëndetin tuaj, ju keni përballuar vështirësi edhe më të mëdha se kaq, ardhja në jetë e vajzës suaj, ndërtimi i një shtëpie, ndërtimi i dashurisë suaj. Jepi kohë, mundësi, nëse mendoni se nuk ju jep siguri kjo ndjenjë, çlironi veten dhe mos e ngarkoni atë me mendime të së shkuarës, si keni qënë dhe si jeni.

Viktimizimi nuk do ju ndihmojë, nëse vërtetë doni të ndihmoheni besoni në vlerat që janë të drejta, jo të njëanshme. Mos ngatërroni mëshirën, keqardhjen për të qëndruar së bashku, pasi do të humbisni atë çfarë dëshironi më shumë. Ju uroj qetësi!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top