Përshëndetje. Ndjej domosdoshmërinë të ndaj me ju një model sjelljeje që po më karakterizon së fundmi, duke rritur përmasat çdo ditë e duke u kthyer kështu në një shqetësim madhor për jetën time dhe raportet me njerëzit. Jam 23 vjeç. Prej disa kohësh kam qenë e ekspozuar ndaj shqetësimeve të shumta emocionale, këto si pasojë e disa gjërave që nuk më kanë shkuar aspak mbarë në jetë. Çdo përvojë e hidhur, ka patur kosto, e cila është akumuluar në kohë e tashmë po jep efektet e padëshiruara që po bëhen të prekshme për mua. Së pari, prej disa kohësh kam filluar të angazhohem në punë, por ajo që po ndjej është e pashpjegueshme! Çdo ditë kur përballem me kolegë ndjej pasiguri, nuk i shoh dot në sy, emocionohem, ndjej turpërim, ngarkohem emocionalisht; bëj mimika të çuditshme, pra nuk jam emocionalisht në balancë, dhe kontakti me njerëzit e huaj me ngjall një blic emocional që nuk e kontrolloj dot. Përkundrazi nuk jam dot e aftë të gjeneroj forcë, që me vetëbesim dhe natyrshmëri të komunikoj me ta. Kjo nuk më ndodh me njerëzit e shtëpisë, por kryesisht me kolegë, studentë të tjerë në fakultet etj. Kjo situatë është bërë e padurueshme, po më neveritet vetja, po bëhem antipatike për të gjithë. Nuk di si mund ta korrigjoj veten në këtë moment. Nuk bëj dot autosugjestion për të ndryshuar, pasi nuk mundem. Sjellja më dominon, emocioni gjithashtu. Jam e pafuqishme të mbushem me besim për t’u përballur me njerëzit që njoh për së pari herë qoftë edhe pas disa takimesh. Çdo ditë po fitoj mërinë e tyre si padashur. Ndërkohë që unë nuk jam kjo. I dua njerëzit paçka se nuk përcjell dot atë që ndjej për ta. Si mund ta zgjidh këtë shqetësim, a është normale kjo, apo duhet të konsultohem me një psikiatër që të më ndjekë? Faleminderit, Erda
Përgjigjie nga psikologia:
E dashur Erda. Vështirësitë tuaja janë të një natyre socio-emocionale. Vlen që të mund të shikohen me kujdes të gjitha simptomat, të cilat i keni përshkruar kaq qartë dhe të mund të ndiqesh rigorozisht nga një profesionist psikoterapisë, i cili do të mund të udhëheqë drejt një orientimi më profesional. Nuk do t’ju këshilloja menjëherë psikiatër, pasi kjo është një hallkë e cila do të mund të vinte nëse do të lindte nevoja, pa përjashtuar mundësinë e saj. Elementët të cilët ju përmendët, tregojnë një frikë sociale, e cila sigurisht nuk ka të bëjë me dëshirën tuaj sociale. Pra, ju keni dëshirë të qëndroni dhe të shoqëroheni me të tjerë dhe të mund të flisni me ata dhe të ndërtoni marrëdhënie pse jo dhe të ngushta. Por, një frikë ju mbërthen ndërsa përpiqeni të jeni pranë tyre, ndoshta, frika për të qenë ajo që ju “duhet” të jeni më shumë se ajo që ju “doni” të jeni përballë tyre. Vlerësimi i vetes suaj është më i rëndësishmi në këtë analizë me veten. Është e udhës që të mund të përballeni me këtë frikë, ose me këto frikëra, ose emocione sikurse e përshkruani ju në letrën tuaj. Një orientim profesional do të ishte e udhës të ndodhte sa më parë të mundeni. Nëse keni nevojë për kontakte referuese, ju lutem lidhuni me redaksinë që të mund t’ju krijojë mundësinë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.