Posta

October 3, 2017 | 9:17

POSTA/ Kthimi vonë i vajzës në shtëpi më detyroi t’i vendos orare dhe kushte…Mos ndoshta është kontroll i tepruar?

Jam nënë e një vajze 17- vjeçare dhe jetojmë jashtë, pra është rritur jashtë. Kohët e fundit mund të them 2 vitet e fundit ka zënë shumë shoqëri e nuk po e ndjek dot sa duhet. Edhe daljet me ta i ka shtuar më shumë. Nuk pi as cigare, as alkool, por vonohet në darkë me raste. Kjo më shqetëson tepër e një periudhë u bë e acaruar situata. Rrinte jashtë deri në 12 të natës dhe kishte raste që flinte tek shoqet ose ftonte shoqe në shtëpi. Kjo e fjetura dhe e ndenjura jashtë vonë më trishtonte e shqetësonte së tepërmi dhe kur vinte e humbisja shpesh durimin. Ka pas raste kur acarimi ka arrit shumë keq sa i kam thënë edhe që nuk ia toleroj më ato sjellje në shtëpi. Ka pas raste që vërtetë më ka bërë aq nervoze se nuk hapte as telefonin e tensioni im e i burrit arrinte kulmin e plaste pastaj kur vinte në shtëpi. Ka disa kohë që në bashkëpunim nënshkruam një kontratë me orare e kushte. P.SH; deri kur mund të rrijë e si procedohet nëse ka feste në shtëpine e një shoqeje. Kur duhet të lajmerojë dhe kur do merret në telefon. Kontratë shumë specifike që më duket se po funksionon deri tani të pakten. A mendoni se është etike një gjë e tillë, sepse ndonjëherë me duket vetja invazive tepër?

1

 

Nga Adelina Pjetra  Psikologe Klinike & Terapiste Emdr

Nga Adelina Pjetra
Psikologe Klinike & Terapiste Emdr

E kuptoj që është e vështirë të arrish një komunikim perfekt me një fëmijë adoleshent . Pasi është një moshë ku energjia dhe vetbesimi i tepërt është në maksimumin e tij. Më shumë se shoqe dhe shok me fëmijën adoleshent duhet të jeni prind. Çfarë do të thotë kjo: të respektoni dhe kuptoni botën e tyre por njëkohësisht ata të respektojnë vendimet e familjes . Kontrata që ju i keni parashtruar është një zgjidhje perfekte, aq më tepër kur kjo pranohet edhe nga fëmija adoleshent. Pasi kjo kontratë i shërben të kuptojë që për të arritur disa objektiva ka nga pas edhe disa detyrime të cilat duhet t’i përmbushë. Ashtu siç ndodh me çdo person në jetë. Sa më shumë shpjegime dhe sqarime t’i jepni se përse janë të nevojshme këto rregulla, aq më pranuese do jenë nga vajza juaj, duke mos neglizhuar apo kuptuar edhe dëshirat e saj të moshës ( të cilat jam e sigurtë që janë shumë të ndryshme me ato të moshës suaj kur ishit adoleshente). Informimi juaj si prind mbi veprimtaritë e fëmijës tuaj nuk është një formë kontrolli e tepruar, por një domosdoshmëri për të pasur edhe mundësinë ta ndihmoni nëse vajza juaj do të gjendet në vështirësi në të ardhmen. Bashkëpunimi mes jush në këtë moshë do ishte ideal n.q.s, edhe ju arrini të kuptoni botën e saj pa e paragjykuar apo ofenduar. Vajza juaj duhet të arrijë të kuptojë që gjithmonë mund të mbështetet tek ti, dhe jo të ketë frikë të të shprehet apo të kërkojë ndihmë. Adoleshenca është mosha e gabimeve dhe eksperiencave të reja ( të cilat justifikohen edhe nga mosha) , por si prindër shpresojmë që këto gabime të jenë sa më pak të dëmshme për fëmijët tanë ( fizikisht dhe psikologjikisht) , dhe përsëri të arrijnë të jenë të lumtur.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com