Mirëmbrëma! Desha t’ju pyes për diçka në lidhje me vajzën time 14 vjeçe. Këtë zonjushën time e kërkojnë shoqet të dalin, por kjo nuk ka dëshirë dhe nuk del pothuajse fare! Gjatë gjithë vitit ka dal veç 3 herë me shoqet. Kur i them “dalim unë dhe ti” gëzohet dhe nuk refuzon kurrë, mua nuk më duket normale kjo gjë aspak! Një herë e pyeta përse me mua po dhe me shoqet jo? Përgjigja ishte: duke qenë se unë jam e gjatë 1,75 dhe shoqet e mia më e gjata arrin 1,65 më duket sikur të gjithë mbajnë shikimin tek unë dhe kjo gjë më bën të ndihem keq aq sa nuk dëshirojë të dal fare. Çfarë më këshillon t’i them që të ndihet normale me shoqet? Gjatësia është gjysma e bukurisë, por ajo nuk e shikon si avantazh, por si defekt. Jam shumë e shqetësuar pasi është në adoleshencë dhe nuk ia mbush mendjen asgjë.
Përshëndetje zonjë!
Vajza juaj ndodhet në atë që quhet “periudha e tranzicionit” dhe është duke përjetuar ankthin e maturimit (ndoshta maturimit të hershëm pasi është më e gjata mes shoqeve), ankth të cilin e përjetojnë pothuaj të gjithë bashkëmoshatarët e saj; dikush për gjatësinë, dikush për peshën, dikush për puçrrat. Dhe pastaj, kush e përjeton më shumë a më pak varet nga faktorë të shumtë, si maturimi, karakteri i fëmijës, masmedia, qëndrimi i bashkëmoshatarëve etj. Kalimi nga fëmijëria për të përvetësuar sjelljen prej “të rriture”, mesa duket e ka vënë në ankth dhe dyshim për veten vajzën tuaj.
Janë disa gjëra që ju mund të bëni për ta ndihmuar sadopak. Pyetja që unë do ju sugjeroja t’i bënit në fillim vetes, si nënë është: Deri në çfarë niveli po ndikon ky ankth në përditshmërinë e vajzës suaj? Sa e vuan ajo këtë mbyllje në vetvete?
Më e rëndësishmja është që të flisni me të për përjetimet dhe ndjesitë e saj (jo vetëm të kërkoni arsyet PSE nuk del), kështu do të kuptoni më shumë. Mund të kuptoni a ka faktor nxitës apo mbajtës të këtij ankthi? Si sillen shoqet? Çfarë qëndrimi mbajnë ato? Nëse shoqëria ia vë vazhdimisht në dukje gjatësinë e saj, atëherë ndoshta mund të bëhet fjalë edhe për bulizëm mes moshatarësh. Por, mos u nxitoni të dilni në përfundim pa biseduar me vajzën tuaj. Mundohuni që gjatë bisedës të mbani një qëndrim pranues dhe t’i kuptoni ndjesitë e saj, ndonjëherë kemi nevojë vetëm të na dëgjojnë dhe të na kuptojnë.
Me siguri, vajza ka folur në shkollë për fazën e adoleshencës, por do ishte shumë ndihmuese për të nëse edhe ju do i jepnit një informacion sado të thjeshtë se çfarë ndodh në këtë fazë të jetës (diçka për zhvillimin fizik, social dhe emocional) të ndërthurur edhe, pse jo me përjetimet tuaja kur ju keni qenë në këtë moshë. Kështu do i jepni të kuptojë që ju e kuptoni vajzën tuaj dhe se në fakt rritja është proces zhvillimi që i prek të gjithë njësoj.
Uroj ta kaloni shpejt këtë situatë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.