Posta

February 2, 2017 | 9:48

POSTA / Ndihem vetëm

Jam e papunë. Kam ndryshuar vendbanim, edhe pse kundër vullnetit tim. Ka tre muaj që kam ardhur në një qytet ku kam kaluar fëmijërinë. Jam rikthyer në vendlindje pas 11 vitesh jetesë. Atje kam mbaruar provimet e masterit. Në profesion jam juriste. Jam 26 vjeç, por pa punë dhe pa vullnet. Më duket se nuk e gjej dot veten dhe vetmia më ka mbyllur sytë. Më ndihmoni si ta kaloj këtë.

vetem

Përgjigje: Arritja e qëllimeve finale që ne i vendosim vetvetes është shumë e rëndësishme për të operacionalizuar motivacionin tonë. Hapat që ndërmarrim për të arritur qëllimin në fjalë, janë kyçi i realizimit të tij. Shpeshherë ne gjykohemi, ose më mirë vetëgjykohemi për qëllimet që i vendosim vetes dhe për hapat që ndërmarrim, pa pasur një shpjegim “të ndershëm” mbi atë se çfarë funksionin dhe çfarë NUK funksionon.

Me gjithë këtë, dua të them se në situatën tuaj, që u ngjason situatave ku shumë prej nesh ndihen të dështuar dhe të vetmuar nga dështimet, së pari, duhet të vlerësojmë situatën aktuale që kemi. Gjithashtu të mirëmendojmë, edhe pse në mënyrë gati skematike, se çfarë ka ndodhur me veprimet që kemi ndërmarrë ndërsa kemi qenë në përpjekje për të realizuar qëllimin final. Nëse do të dëshironit të jeni një notar i suksesshëm, hapat që ndërmerren do duhet të jenë të lidhura ngushtë me disiplinën që ofron ky sport, praktika dhe pjesëmarrja nëpër aktivitete kompetitive.

Së dyti, do të duhet të vlerësoni qëllimin tuaj se sa realist është ai në lidhje me rrethanat. Gjithashtu, kjo gjë është e lidhur ngushtë edhe me objektivat. Nëse doni të bëheni notar i suksesshëm, por fiziku juaj nuk i përmbush kushtet, atëherë qëllimi juaj final është në risk. Me këtë dua të them se është e rëndësishme që të rishqyrtoni fillimisht qëllimin tuaj final dhe objektivitetin ndaj tij. Më pas, përcaktimi i hapave konkretë të jenë në funksion të këtij qëllimi. Nëse jeni e interesuar për të arritur të punësoheni si juriste në qytetin tuaj, vlerësoni pritshmëritë sipas terrenit. Çfarë mundësish ka që ju të punësoheni menjëherë si juriste dhe në çfarë profili? Cilat janë hapat që mund të çojnë në realizimin e këtij qëllimi?

Mos ndoshta duhet të krijoni disa hapa gradualë dhe më objektivë? Edhe pse ju keni mbaruar masterin dhe jam e sigurt që ia keni dalë mjaft mirë, vlerësoni tregun dhe rrugëtimin drejt këtij qëllimi, eksperiencën që do të duhet të përfitoni paraprakisht.

Gjithashtu, motivimin dhe vullneti juaj do të mund të ridimensionohet kur vendosni objektiva (hapa) të vegjël dhe të realizueshëm dhe jo hapa që janë më të mëdhenj se ç’mund të “vrapohet”, pasi do të rrëzoheni shpejt dhe kësisoj të dekurajoheni shpejt.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top