Posta

May 12, 2017 | 9:17

POSTA/ Ndihem xheloz për shoqen

1

Jam një djalë 24-vjeçar dhe kam një shoqe. Kanë filluar të më ngacmojnë disi ndjenjat e xhelozisë, por jo të forta. Një ditë, teksa po flisja me të, diskutuam rreth diçkaje: Ajo ka një djalë tezeje dhe e do shumë. Janë shumë të lidhur bashkë, kalojnë shumë kohë me njëri-tjetrin. Shkëmbejnë puthje, prekje të ndryshme, e merr në prehrin e tij dhe kjo për shoqen time është mëse normale. Jam dakord që ata janë kushërinj, por vajza është e rritur, me trup të mirëformuar dhe për këtë arsye unë e kundërshtoj afrimitetin që ka me kushëririn, por ajo mohon gjithçka duke e arsyetuar veten me “romane” të ndryshëm, ku afrimiteti është thjesht një ndjenjë e pastër mes kushërinjve. Prandaj doja një mendim nga ju, sa e vërtetë është kjo?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Përshëndetje i dashur lexues. Përjashtuar romanet, ndjenja të kësaj natyre, nga ku edhe vetë romanet janë frymëzuar, kanë ekzistuar dhe do të vazhdojnë të ekzistojnë. Nuk është e lehtë të mund të ndash dashurinë që ke për një të afërm të seksit të kundërt, nëse ai është një pëlqim romantik apo një pëlqim familjar nga personat që e përjetojnë atë. Ndoshta ju e shikoni më me gjakftohtësi, por kjo nuk do të thotë se ju e gjykoni drejt apo gabuar. Thjesht ju keni konstatuar pakënaqësinë tuaj në raport me këto prekje, të cilat në marrëdhënien unikale që partnerja juaj ka me kushëririn, nuk ju korrespondojnë, krahasuar me atë që ajo bashkëndan me ju. Për t’ju përgjigjur pyetjes suaj, unë e gjykoj këtë situatë të natyrshme, duke mos gjykuar qëllimet e pandërgjegjshme të të dy palëve. Nuk mendoj se këto ndjenja do të dalin në sipërfaqe ndonjëherë tek ata, por premtoj se një pjesë e mirë e kushërinjve, përjetojnë me njëri-tjetrin ndjenja romantike, madje edhe të forta (jo në rastin tuaj), të cilat nuk finalizohen në të shumtën e tyre. Do t’ju sugjeroja që të mund të tregonit kujdes në mënyrën si ia komunikoni konstatimet tuaja partneres, pasi ajo çfarë mund të thoni, mund të ndikojë negativisht në marrëdhënien tuaj. Ju komunikojini diçka të cilën ajo të mos e kundërshtojë, pasi po t’i thoni se ai/apo ajo ndjejnë për njëri-tjetrin, pa diskutim që do ta mohojnë, si një qasje që as vet ata nuk janë të ndërgjegjshëm, por nëse ju i komunikoni pakënaqësinë tuaj në raport me këto veprime që në gjykimin tuaj duken se janë të ekzagjeruara, pasi ju nuk i pëlqeni, ju bën të ndjeheni keq, do të ishte më korrekte. Tregojini se nuk e gjykoni, por se nuk ju pëlqen kur ju jeni i pranishëm. Mendoj se kështu do të gjeni mirëkuptimin e njëri-tjetrit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top