Editorial

May 12, 2017 | 9:23

Puna & pushimet e fëmijërisë

1

Puna është jeta. Është si ushqimi i përditshëm, pa të cilin nuk mund të rrojmë. Është “toka”, të cilën po nuk e punuam nuk ka gjallëri, prodhim. Puna është kryefjala e ekzistencës sonë. Të vegjetosh është si të mos jetosh.

Nga Orjona Tresa

Nga Orjona Tresa

Puna, kjo fjalë e thjeshtë e përbërë veç nga katër germa, në sintezën e saj bart një fuqi të patjetërsueshme në jetën e njeriut. Ajo është veprimtari, lëvizje, energji, art dhe jetë. Herët, në fillesat e njohjeve të para me punën, përfshirja në të dhe natyrisht lodhja si “shpërblim”, ishin ecejake të tepërta, që sot nuk janë më të tilla. Në ndihmë na vjen teknologjia. Di të them se edukimi përmes punës më zgjeroi dhe më ofroi mundësi të reja zgjedhjeje, se si ta përqafoj më fort punën bashkë me pasionin e lindur rrugës.

Nga fëmijëria datojnë dhe hapat e parë të kësaj pune. Kur mëma ime më bënte një listë gjërash për përkujdesjen e shtëpisë, më propozonte se në këmbim do të kisha diçka që e meritoja. Kjo ishte një ngasje, një shtytje, një “kërkesë- ofertë” që do të më mësonte rrugës se shpërblimi i merituar vlen dhe vjen atëherë kur ti i arrin disa detyrime të përcaktuara, e kjo ndodh jo vetëm në familje. Ashtu si të gjithë fëmijët e brezit tim, mbajtja e radhëve në dyqanin e lagjes për të blerë bulmet, fruta-perime, ushqimore apo lëndë djegëse siç ishte ajo e furnizimit me vajgur, ishte një mësim pune që të mësonte bashkërisht dhe rregulla të tjera. Trupa njomëzakë që s’i bënin sfidë prindërve, por përkundrazi, pajtoheshin dhe vlerësonin punën si baza e jetës, mirëqenies dhe harmonisë. Në familje detyrimet janë të shumta, por edukimi për punën na ka mësuar se dembelizmi nuk sjell produktivitet, natyrisht as gëzim.

Koha e pushimeve ishte idealja për prindërit tanë. Kush kishte mbi dy fëmijë, i përfshinte në punët e shtëpisë që nga pastrimi e deri te gatimi me tavat në furrë, dhe kënaqësia më e madhe vinte kur ata ktheheshin nga puna të lodhur e të vaposur dhe gjenin çdo gjë gati. Kjo i bënte të ndiheshin krenarë për atë që na kishin mësuar përmes punës.

Kohërat kanë ndryshuar. Punët kanë evoluar gjithashtu. Brezat kanë të tjera pritshmëri, ndërsa puna është shndërruar në një sfidë të stërmundimshme. Disa duan punëra të lehta, disa ulin kurrizin e pajtohen me të, të tjerë, as që e mendojnë të shtrohen në punë. Këtij akti të rëndësishëm në jetë, i duhet dhënë vendi që meriton. Pa punën nuk mund të ecim asnjë hap përpara. Nuk kemi të ardhura, fryte, por edhe kënaqësi e qetësi shpirtërore. Këtu do t’i referohesha edhe thënies nga shkrimtari rus Maksim Gorki: “Puna është bazë e çdo kulture”.

UNË I JAM SHUMË MIRËNJOHËSE PRINDËRVE QË MË MËSUAN VLERËN E PUNËS.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top