Çdo orë që kalon, aq më shumë po shkatërrohem si individ. Kam frikë se një ditë do të çmendem. Nuk jam as sa gjysma e asaj që isha. Jam 23 vjeç, nëna e një djali 20-muajsh. Jeta ime ka marrë një rrjedhë plotësisht tjetër. U dashurova aq shumë pas dikujt për të cilin edhe jetën e jepja, për të cilin lashë familjen time, lashë jetën time, shkollën. E prita 3 vite kur ishte në burg, nuk kam guxuar as te nëna të shkoj. Po ku është ai sot? Këtu afër meje. Sot ishte hera e dytë kur ushtroi dhunë fizike mbi mua. Herën e parë gjithë natën nuk mund të flija, sepse koka më ishte ënjtur nga goditjet. Ia fala një veprim që as prindërit e mi kurrë nuk ma kanë bërë. Por sot e përsëriti prapë para gjyshes së tij duke më kapur zvarrë prej flokësh. Nëse familja ime do ta dinte këtë gjë, asnjë minutë nuk do më kishin lënë më këtu. Kurse familja e tij?! Ata janë mësuar me dhunë. Jetojmë me familjen e tij prej 8 vjetësh. Çdo ditë dëgjoj veç zënka, sharje, të bërtitura mes tyre. Nëna e tij sa herë na shikon duke u zënë, përzihet duke i hedhur benzinë zjarrit e duke i thënë: Gratë po nuk i rrahe, të arrin krahun. Ajo vetë çdo ditë bën fjalë me mua, edhe pse nuk i kthej fjalë. Edhe kur mërzitet me djemtë e saj, ma nxjerr inatin mua. Ndihem e pafuqishme, nuk kam më çfarë të bëj. Ai më thotë: Shko të të çoj tek të tutë, ndahu, veç djalin nuk guxon ta merresh, e kam unë dhe jo ti. Herë më thotë nuk guxon të shkosh e të ndahesh nga unë se të lë të vetme pa vëlla. O Zot, më shumë më dhimbet djali im i vogël. A mund të ndikojë një mjedis me të bërtitura keq në zhvillimin e fëmijës. Ju lutem nëse mund të më ndihmoni. Po me mua çfarë mund të ndodhë. A do çmendem një ditë me këto që po më ndodhin?
Isha një vajzë shumë e qetë, e sot, gjëja më e vogël më bën nervoze. Si të veproj? A mund të më marrë djalin, se dashuria ime për bashkëshortin tani nuk ekziston.
E dashur nënë e re. Besoj jeni në dijeni që sapo ky shkrim i juaji më ra në dorë, kërkova menjëherë që ju të kryenit denoncim, por duke marrë si përgjigje një heshtje apo këmbëngulje që të kishit vetëm një sqarim për problemin tuaj, atëherë guxova të kërkoja adresën tuaj që ky denoncim të bëhej personalisht nga unë. (E ndjej si detyrë personale dhe profesionale, në raste të tilla të denoncoj dhunën). Por përsëri nuk mora një përgjigje. Duke menduar që keni nevojë për ndihmë, doja tua ofroja këtë në mënyrë konkrete dhe jo teorike.
Në letrën tuaj keni shkruar që po jetoni në një marrëdhënie të dhunshme, kërcënuese, ndiheni e pafuqishme dhe e pa shpresë, por njëkohësisht gjeni forcë të arsyetoni për djalin tuaj. A ndikon një ambient i dhunshëm në zhvillimin e fëmijës? Patjetër që po. Por ajo çfarë realisht e dëmton një fëmijë është mungesa e forcës nga ana e nënës së tij për ta nxjerrë nga kjo situatë. A mundeni ju nën ndikimin e dhunës të ofroni mbrojtje për fëmijën tuaj?
Gjithashtu keni shkruar që, nëse prindërit e tu do ta mësonin këtë gjendje, ata menjëherë do ju largonin nga aty. Çfarë ju pengon të flisni me familjen tuaj? Pse nuk e pranoni që ju keni nevojë për ndihmë urgjente, dhe familjarët tuaj janë të parët që duhet të vihen në dijeni.
Mashkulli dhunues ka një fuqi manipuluese të fortë, ai arrin ta bindë partneren e tij që pa atë, ajo s’do kishte më vlerë, s’do ishte e aftë dhe do ishte e humbur. Kërcënimet e tij nuk janë asgjë tjetër vetëm mënyra e tij për të të zvogëluar si person, për të zhvlerësuar dhe për të të mbajtur nën kontroll. Në shumicën e rasteve, gratë bien pre e këtij kurthi, dhe e kalojnë jetën të nënshtruara ndaj dhunës. Jo nga fati që i caktoi jeta, por nga paaftësia për të logjikuar drejtë dhe korrekt për forcën e saj në momente të tilla kritike të jetës. E gjitha kjo e bën të ndihet në turp, e pafuqishme, në faj, e dobët….
E dashur grua! Ju vleni, ju mundeni, ju do ia dilni! Bisedoni menjëherë me familjen tuaj, denoncojeni në polici (për dhunën dhe kërcënimet që ju bën), mbroni veten dhe fëmijën tuaj! Në asnjë rast fëmija nuk mund t’i merret nënës, aq më tepër kur ekziston dhe prania e një babai dhunues. I vetmi rast do ishte nëse nëna do të vlerësohej e paaftë psikologjikisht për të rritur një fëmijë). Por përsëri, në rastin tuaj kemi të bëjmë me një burrë dhunues, të cilit në asnjë mënyrë nuk mund t’i caktohet përgjegjësia e rritjes së një fëmije. N.q.s realisht dëshironi të ndihmoni veten, mund të filloni duke bërë një bisedë të hapur dhe të sinqertë me familjen tuaj. Nuk është turp të tregosh vuajtjen tënde, por është krim të mos kërkosh ndihmë në momentin e duhur me personat e duhur.
Unë besoj që familja juaj nuk do ju lërë vetëm në këtë betejë. Dhe ju mund të triumfoni vetëm nëse guxoni!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.