Editorial

November 11, 2017 | 19:16

Dembelizmi: rinia, brezi që e ka marrë shtruar jetën

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Nga Orjona Tresa, Gazetare

Në një raport të publikuar pak muaj më parë, Komisioni Europian e klasifikonte dembelizmin tek të rinjtë si “sëmundjen” e Mesdheut.

Dembelizmi në shpjegimin racional të tij, është prirja për të mos punuar, për t’iu shmangur punës. Kjo sentencë është kaq e shfaqur te brezi i ri, saqë kur ia vë në pah, u duket si një diçka mëse normale për mënyrën e të jetuarit. Nuk e kam fjalën vetëm për konceptin e dembelizmit si tipar i të mos punuarit, por më së shumti të një modeli që po i ofrohet shoqërisë.

Po të shohësh fëmijët e ciklit të ulët dhe atij nëntëvjeçar, çdo kërkesë apo nevojë për të pasur edhe mbështetjen e tyre, vjen me një kundërpërgjigje të frikshme: Ohu! Gjejnë dhjetëra justifikime si nevojë për t’iu shmangur detyrimeve apo përgjegjësive. Zgjidhjen e duan gati, në të kundërt harrojnë edhe veten e tyre në proceset e nevojave më jetike të të jetuarit. Nëse nuk ua shtron përpara tryezën, apo t’i bësh diçka me vete për në shkollë, janë gati të bëjnë grevë urie vetëm që përtacia e tyre të mos cenohet. Dhe jo vetëm kaq. Dembelizmi dhe varësia ndaj tij, ka gjetur shtigje deri aty sa të përtojnë “të prekin” dhe librat e shkollës. Një brez që e do çdo gjë me të shtyrë, apo me ngarkesë fjalësh që bartin një sërë arsyesh për neglizhencën e tyre të tepruar.

Dhe nuk mbaron këtu. Fatkeqësisht, në 27 vjet në këtë drejtim është bërë shumë pak. Duhej të kishte një rol edhe më bindës për ta ndryshuar këtë situatë. Të gjithë aktorët e shoqërisë kanë rolin e tyre për ta përmirësuar dhe futur në brazda këtë dukuri tejet shqetësese. Nga ana tjetër, janë prindërit ata që kanë rolin primar. Më së shumti ata justifikohen për rritjen e fëmijëve duke u shprehur se nuk iu duhen cenuar të drejtat, sepse lënia e lirë ndihmon në zhvillimin e duhur të tyre. 

Jo të dashur prindër!

Prindërimi nuk është më the, të thashë, e duke bërë çfarë të shushurin njëra apo tjetra shoqe në vesh. Nuk është të kopjosh receta mëmësie nga e gjithë bota për të rritur fëmijën tënd. E para, prindërimi është të rritesh ti bashkë me fëmijën tënd, dhe e dyta, përpara se të prindërosh, duhet të jesh shumë vjet përpara më i përgatitur për këtë proces, që më së shumti është ndijor dhe jo i udhëhequr njëqind për qind nga të tjerë. Ajo që dua të theksoj, është se në këtë tranzicion të pafundmë shoqëror, dembelizmi është dukuri keqpasuese në edukim.

Asgjë nuk ndodh rastësisht. “Ç’të mbjellësh, do korrësh”, thotë populli, e mesa duket, ky fenomen, dembelizmi, por edhe të tjera tipare që i rëndojnë mbi sup shoqërisë sonë të brishtë, do të ndihen po kaq gjatë edhe në brezin pasardhës. Nëse nuk shtrydhet ndërgjegjja për të bërë të pamundurën për ta ndryshuar këtë gjendje, dembelëve të sotëm do t’u shtohen edhe vese të tjera që nuk do t’u bëjnë gjë tjetër veçse do t’u shkurtojnë jetesën.

 

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com