Posta

December 6, 2017 | 9:39

POSTA nga Adelina Pjetra / Shtatzëna narkomane: A mund ta lind fëmijën në kushtet ku gjendem?

Përshëndetje ! Unë jetoj jashtë shtetit. Prej shumë kohësh kam qenë konsumuese e rregullt e lëndëve narkotike. Aktualisht kam 2 muaj që nuk përdor më, shpresoj përgjithmonë, por… sapo mora vesh që jam shtatzënë. Dilema ime është shumë e madhe, pasi përveç faktit që substancat e konsumuara mund të ndikojnë negativisht në mbarëvajtjen e zhvillimit të fetusit (nëse vendos ta vazhdoj shtatzëninë) problemi kryesor është që unë nuk e njoh atësinë. Ju lutem, si do të më këshillonit në të tillë situatë? Duhet apo jo ta vazhdoj këtë shtatzëni, e cila ka ardhur nga një gjendje jo koshiente? P.S: Më interesojnë alternativat që mund të ofroni për zgjidhjen e problemit .

adelina-pjetra

Adelina Pjetra Psikologe Klinike & Psikoterapiste EMDR

Përgjigje:

E kuptoj që ndodheni në një situatë të vështirë, ku nuk është e lehtë të merren vendime. Por ju mund të bëni një vlerësim të gjendjes tuaj, si psikologjike dhe fizike, për të vendosur mbi të ardhmen e fëmijës. Ju keni pohuar që keni vetëm dy muaj që nuk konsumoni më lëndë narkotike, por që të dalë lënda narkotike nga sistemi i trupit tuaj duhen 6-12 muaj, kohë që varet edhe sa gjatë keni konsumuar. Një kontroll mjekësor është i domosdoshëm në këtë moment për gjendjen tuaj, por edhe të foshnjës tuaj. Në lidhje me vendimin për ta vazhduar këtë shtatzëni apo për ta ndërprerë, besoj se një përgjigje mund ta gjeni brenda vetes. Ju e njihni veten tuaj më shumë se kushdo tjetër. Ju i dini kushtet dhe mundësitë që mund t’i ofroni fëmijës. A do mundeni ju të jeni e vendosur për të parë drejt të ardhmes , duke mos ju rikthyer veseve dhe varësisë ndaj substancave? Nëse PO, a jeni e gatshme të merrni një trajtim psikologjik dhe mjekësor gjatë kësaj periudhe të shtatzënisë që gjithçka të shkojë mbarë? Ndoshta kjo shtatzëni mund të jetë një shans për të ndryshuar plotësisht rrjedhën e jetës tuaj. Të vetërregulloheni dhe të përmirësoni veten! Në këtë rast jo vetëm për veten tuaj, por edhe për fëmijën tuaj.

Problemi kryesor nuk mendoj që është njohja e atësisë, por njohja e rrethanave dhe gatishmërisë tuaj për ta mirëpritur këtë fëmijë. Unë nuk mund të marr një vendim për ju, nuk e kam këtë të drejtë (ashtu siç e kam theksuar në të gjitha rastet e tjera që më kanë shkruar). Pikëpyetja më e madhe në këtë rast është: Sa e gatshme ndiheni të bëheni nënë? Dhe, sa e dëshironi këtë fëmijë? Sigurisht, duke marrë në konsideratë edhe përgjigjet nga kontrolli mjekësor dhe psikologjik i juaji.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top