Kam një vajzë 6 vjeçe që ka filluar klasën e parë. Fillimi shumë i mirë, por ka filluar të ankohet nga dhimbje të shpeshta barku. Jam përpjekur të kërkoj shkakun. Ajo është shumë e zonja me mësimet, por mendoj se ka probleme për t’u përfshirë në grup. Ka një shoqe të vetme me të cilën është shumë e lidhur dhe kur ajo mungon ime bijë ndihet keq pasi vë re se të tjerat e përjashtojnë (është shumë e ndrojtur, e rezervuar dhe shumë e edukuar). Të tjerat më duken shumë të hedhura se ajo dhe kjo e bën të vuajë. Jam përpjekur t’i jap kurajë, t’ia minimizoj problemet. Por ajo sërish ankohet për dhimbje barku… gjë që nuk i ndodh në ditët e pushimit.
Së pari, rehabilitimin me veten tuaj si prindër, se ndryshimi i temperamentit të fëmijës është mjaft i vështirë, madje i pamundur të ndryshojë. Me kalimin e kohës, fëmija arrin të gjejë vetë forma mbështetëse dhe përshtatjeje me të tjerët. Këto mekanizma lindin nga nevoja dhe mësohen gjatë rrugëtimit social që fëmija zhvillon. Këtu ju nuk mund të krijoni asnjë mundësi apo të ndërmerrni veprime që vendosni se mund të ndihmoni fëmijën tuaj. Nëse merrni iniciativën për të bërë diçka, ju lutem, bëni të mundur që të komunikoni me vajzën tuaj, shpjegojini qetësisht se si të gjithë njerëzit janë unik dhe të ndryshëm, se si ajo është po aq e nevojshme në shoqëri sa edhe vajzat e tjera, se si e kuptoni dëshirën e saj për të qenë më e hedhur, por e ftoni atë që të kuptojë se ajo nuk mund të jetë njësoj me të tjerat. Edhe një fustan që është njësoj me dikë tjetër, fatmirësisht qëndron ndryshe në secilin prej trupave tanë unik. Bëjini të kuptojë se cilësia e një marrëdhënieje vlen shumë më tepër sesa sasia e shumë personave së bashku. Mund të jesh midis shumë shokëve dhe shoqeve dhe ende të ndjehesh vetëm. Por është e rëndësishme që ne në marrëdhënie me të tjerët, të gjejmë personat që na ngjasojnë dhe që qetësisht mund të krijomë marrëdhënie natyrale me ata dhe të ndjehemi mirë. Kjo do të ndodhë një ditë, pasi i ka ndodhur të gjithëve, thjesht vajza juaj do të duhet t’i japë pak kohë vetes.
Së dyti, nëse deri tani mund të keni provuar të shtyni vajzën tuaj t’u flasë të tjerëve, t’i mësoni se si të jetë më e hedhur, se si të reagojë në situata të caktuara, ju lutem mos e bëni më! Kështu, ju i tregoni asaj pa dashur se ajo që ju po i këshilloni është modeli “i duhur” dhe se ajo që vajza juaj është nuk është modeli “i duhur”. Merrni kohë të komunikoni dhe ajo të ndjehet e kuptuar, por nuk mund të jepni ju zgjidhje për atë.
Nëse shikoni se dhimbjet e barkut nuk ndalojnë, përkundrazi, përkeqësohen dhe fëmija ka probleme të gjumit apo të oreksit, ju lutem kontaktoni pranë redaksisë së revistës Psikologjia, që të mund të merrni kontaktin me një profesionist që të mund ta shikojë vështirësinë më nga afër. Ju uroj suksese!
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.