Posta

January 13, 2020 | 8:05

Posta nga Denata Toçe / Ime bijë vuan shumë

Kam një vajzë 6 vjeçe që ka filluar klasën e parë. Fillimi shumë i mirë, por ka filluar të ankohet nga dhimbje të shpeshta barku. Jam përpjekur të kërkoj shkakun. Ajo është shumë e zonja me mësimet, por mendoj se ka probleme për t’u përfshirë në grup. Ka një shoqe të vetme me të cilën është shumë e lidhur dhe kur ajo mungon ime bijë ndihet keq pasi vë re se të tjerat e përjashtojnë (është shumë e ndrojtur, e rezervuar dhe shumë e edukuar). Të tjerat më duken shumë të hedhura se ajo dhe kjo e bën të vuajë. Jam përpjekur t’i jap kurajë, t’ia minimizoj problemet. Por ajo sërish ankohet për dhimbje barku… gjë që nuk i ndodh në ditët e pushimit.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Më vjen mirë që jeni drejtuar mbi shqetësimin e vajzës suaj, pasi ka shumë prindër të cilët ankohen për shkaqe të ngjashme me tuajin. Nuk është e lehtë të kalosh me sukses fazat e shoqërizimit në të gjitha moshat e fëmijërisë, por dy janë ato më kritiket, vitet e para të shkollës dhe ato të adoleshencës. Fëmija, i cili përballet me vitin e parë të shkollës, i duhet të përballet me një stil të ri jete, konkurrencë, rritje të zellit për punën në shkollë dhe në shtëpi, kërkesa për sukses në arritje dhe vetëvlerësimi, si rrjedhojë e të gjithave së bashku. Miqësia me shokë të rinj, të cilat ka shumë të ngjarë që nuk janë si në kopsht, është një sfidë, që për disa fëmijë, me temperament më ekstravert, më të hapur, është më e lehtë dhe për disa të tjerë, si puna e vajzës suaj është pak më e vështirë. Kjo sepse mundësitë që krijon vet fëmija me temperamentin e saj, janë më të pakta për të arritur qëllimin final. Ka që dëshirojnë të kenë shumë shokë ose të thonë shumë gjëra, por duke krahasuar mundësitë që i krijon vetes me dëshirën, këto të dyja nuk përputhen dhe nganjëherë fëmijët ndihen në ankth, ose të shqetësuar. Nganjëherë këto shqetësime kthehen edhe në element somatik, sikurse janë dhimbjet e barkut. Por ndonjëherë dhimbjet e barkut janë edhe për të tërhequr vëmendjen, meqenëse vëmendja në ndonjë mënyrë tjetër nuk arrihet të merret. Është e udhës që ju si prind të keni parasysh dy gjëra kryesore:

postaSë pari, rehabilitimin me veten tuaj si prindër, se ndryshimi i temperamentit të fëmijës është mjaft i vështirë, madje i pamundur të ndryshojë. Me kalimin e kohës, fëmija arrin të gjejë vetë forma mbështetëse dhe përshtatjeje me të tjerët. Këto mekanizma lindin nga nevoja dhe mësohen gjatë rrugëtimit social që fëmija zhvillon. Këtu ju nuk mund të krijoni asnjë mundësi apo të ndërmerrni veprime që vendosni se mund të ndihmoni fëmijën tuaj. Nëse merrni iniciativën për të bërë diçka, ju lutem, bëni të mundur që të komunikoni me vajzën tuaj, shpjegojini qetësisht se si të gjithë njerëzit janë unik dhe të ndryshëm, se si ajo është po aq e nevojshme në shoqëri sa edhe vajzat e tjera, se si e kuptoni dëshirën e saj për të qenë më e hedhur, por e ftoni atë që të kuptojë se ajo nuk mund të jetë njësoj me të tjerat. Edhe një fustan që është njësoj me dikë tjetër, fatmirësisht qëndron ndryshe në secilin prej trupave tanë unik. Bëjini të kuptojë se cilësia e një marrëdhënieje vlen shumë më tepër sesa sasia e shumë personave së bashku. Mund të jesh midis shumë shokëve dhe shoqeve dhe ende të ndjehesh vetëm. Por është e rëndësishme që ne në marrëdhënie me të tjerët, të gjejmë personat që na ngjasojnë dhe që qetësisht mund të krijomë marrëdhënie natyrale me ata dhe të ndjehemi mirë. Kjo do të ndodhë një ditë, pasi i ka ndodhur të gjithëve, thjesht vajza juaj do të duhet t’i japë pak kohë vetes.

1

Së dyti, nëse deri tani mund të keni provuar të shtyni vajzën tuaj t’u flasë të tjerëve, t’i mësoni se si të jetë më e hedhur, se si të reagojë në situata të caktuara, ju lutem mos e bëni më! Kështu, ju i tregoni asaj pa dashur se ajo që ju po i këshilloni është modeli “i duhur” dhe se ajo që vajza juaj është nuk është modeli “i duhur”. Merrni kohë të komunikoni dhe ajo të ndjehet e kuptuar, por nuk mund të jepni ju zgjidhje për atë.

Nëse shikoni se dhimbjet e barkut nuk ndalojnë, përkundrazi, përkeqësohen dhe fëmija ka probleme të gjumit apo të oreksit, ju lutem kontaktoni pranë redaksisë së revistës Psikologjia, që të mund të merrni kontaktin me një profesionist që të mund ta shikojë vështirësinë më nga afër. Ju uroj suksese!

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top