Posta

January 21, 2021 | 8:15

Posta nga Denata Toçe  / Kam vështirësi t’u besoj njerëzve

Jam një vajzë që kam pasur gjithmonë probleme me vetëbesimin. Me kalimin e viteve mora vendimin të isha autonome në gjërat që bëja. Dola të jetoja vetëm. Jetoja vetëm me hapësirën dhe miqësitë e mia të krijuara përgjatë viteve. Për fat të keq, shumë përvoja më kanë kushtëzuar në marrëdhënie me njerëz të tjerë, çështje besimi. Prej një viti në jetën time ka hyrë një person i rëndësishëm. Që në fillim kam qenë e sinqertë me të. Pas muajsh shoqërimi, për fat të keq, nisën problemet.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Gjithnjë i kam dhënë besim, duke mos i ndërhyrë në punët profesionale, daljet me shoqërinë, ndikimin që kanë të tjerët mbi të, ama… kur i kërkoja të dija ndoshta për t’ia zgjidhur situatën në raste mërzitjeje, ai më thoshte: “pse më pyet, për çfarë dyshon?”. Një mbrëmje vendosa ta ndiqja. Zbulova se po përpiqej të ndryshonte punën. Çdo zënkë e vogël për të shndërrohej në pretekst. Ai më akuzonte se dyshoja për të për çdo gjë, se nuk arrija t’i jepja besim, dhe që ai gjendej në situata që nuk dinte ç’të bënte: shihja tek ai një njeri që të kaloja gjithë jetën time, por tani pyes veten, a do të ndryshojë vallë? Ku gaboj? Kam bërë shumë sakrifica për të, dhe mendoj se kjo është dashuria. I kam kërkuar që të mos i ndjekë më kaq shpesh miqtë e tij, që nga momenti që çdo dalje kthehej në “luftë”. Më ndihmoni të kuptoj se ku jam duke gabuar. Faleminderit!

E dashur lexuese, besimi është një cilësi të cilën e fitojmë që në vitet e para të jetës. Nevoja për siguri dhe besim vjen direkt pas nevojave bazë, ndaj dhe është jetike të ndërtosh këto cilësi në rrethanat e duhura. Vështirësitë e vetëbesimit kanë lidhje direkte me elementë të shëndetit mendor. Kur vetëbesimi cenohet, cenohen dhe ekuilibrat e forcës, motivimit dhe sigurisë për të vazhduar përpara, si në raportet me situatat ashtu edhe me marrëdhëniet, duke filluar nga marrëdhënia me veten në radhë të parë.

Sigurisht që marrja dhe dhënia e besimit ndërtohet marrëdhënie pas marrëdhënieje, dhe nëse e kaluara juaj e ka bërë të brishtë këtë proces, është e rëndësishme të kërkoni ndihmë për të shqyrtuar dhe rigjetur forcën që ju karakterizon. M.q.s interesi juaj në këtë letër është të kuptoni se si të ndryshoni personin që keni në krah dhe si të krijoni besimin tek ai, dhe nëse po veproni si duhet në hapat që po ndiqni, unë do të këshilloja të shikoni me kujdes pritshmëritë që keni për partnerin tuaj.

Kërkesa për të ndryshuar dikë, sidomos partnerin tuaj, është një kërkesë irracionale në raport me atë se çfarë keni ju në dorë të bëni. Ju do të duhet të mendoni se sikundër edhe ju keni dëshiruar të jeni e pavarur, autonome dhe të merrni vendime apo të zgjidhni problemet për veten tuaj, edhe personi që keni në krah, kërkon të zgjidh jetën e tij, të përballojë problemet dhe të ndjehet i vlerësuar që ia del i vetëm t’i bëjë këto veprime. Sigurisht që ju jeni e rëndësishme, por fakti që nuk jua ka kërkuar ndihmën për të zgjidhur problemet e tij, do të thotë se e ka të nevojshme t’i zgjidhë ato i vetëm. Kjo nuk ka lidhje me ju.

Vërtet ne krijojmë marrëdhënie me të tjerët, por kjo nuk do të thotë që ata të mendojnë si ne. Përkundrazi, do të duhet të ndjeheni e kënaqur që partneri juaj ka individualitetin e tij dhe kërkon të zgjidhë problemet me forcat e tij, deri në ditën që nuk ju drejtohet për ndihmë. Miqësitë e tij do të duhet të zgjidhen dhe jetohen prej tij. Ai nuk është fëmija juaj, por partneri juaj dhe do të duhet ta respektoni jetën e tij sociale. Bëni paqe me dëshirat dhe aspiratat e tij dhe kërkoni të kuptoni se cilat janë aspiratat tuaja. Çfarë do të donit të bënit me jetën tuaj, është më e lehtë për t’u zbuluar dhe ndjekur se sa të ndryshoni atë të tjetrit.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 154

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top