Posta

May 22, 2018 | 12:53

POSTA nga Denata Toçe: “Më vjen keq për veten…”, provoni të jeni më fleksibël!

Ndonjëherë ndiej keqardhje për veten. Punova shumë, kalova vështirësi nga më të ndryshmet. U vetësakrifikova me kokëfortësinë dhe dinjitetin e vajze të rritur.

vetmia

Edhe pse kalova një fëmijëri larg lodrave dhe dashurisë, iu përkushtova së ardhmes, nga e cila pretendoja se do më ndryshonte jetën. Tani që jam pranë vijës së finishit (realizimit të ëndrrës sime) ndihem e bllokuar dhe e lidhur me disa “litarë” që nuk më lejojnë të eci. Jo vetëm që nuk kam fuqi për t’i zgjidhur, por kam nevojë vetëm të pushoj. Tani tërë energjitë e mia kanë ngecur aty, duke punuar për vetëbesimin dhe duke mbushur boshllëqet e së kaluarës. Por ajo që më dhemb është se ndodhem në kulmin e moshës, ku duhet të vendos për jetën time, të cilën po e përjetoj në “gjumë”, duke parë veç kohën që kalon për të mos u kthyer më kurrë.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Nga letra juaj, kuptoj se jeni njeri këmbëngulës. Është i rëndësishëm fakti që nuk mendoni se investimi që keni bërë për të ndjekur ëndrrën tuaj është i kotë. Kjo është një gjë shumë e mirë, pasi ëndrrat për t’u realizuar kërkojnë mund, por edhe fat. Nuk mendoj se koha dhe mundi juaj nuk janë shpërblyer. Megjithatë, ju jeni në një periudhë “kulmi” të përpjekjeve tuaja, dhe në një moment përballë kufirit të realizimit të ëndrrës.

Së pari, vërej një gjendje burn out, lodhje e përgjithshme, e cila shoqërohet edhe me momente deprimimi, pasi kemi të bëjmë me konsumim fizik, dhe mendor. Së dyti, kufiri për arritjen e ëndrrës për të cilën ju mendoni se jeni bllokuar, është rritja e nivelit të ankthit dhe presionit “absolut” që ju DUHET t’ia dilni.

Në jetë ka shumë gjëra për të cilat ia dalim mbanë, por ka edhe gjëra për të cilat nuk ia dalim dot. Kjo nuk do të thotë se jemi të dështuar apo jeta jonë s’ka më kuptim. Ju keni bërë përpjekjen maksimale, dhe nëse jeni afër ëndrrës, sërish vendosni ju se KUR dhe SI do të DONI ta realizoni, dhe jo do të DUHET. Kur vendosni DUHET përpara zgjidhjeve dhe zgjedhjeve, kjo ju shton presionin që misioni do të DUHET të realizohet ose ndryshe, morët fund, qenia juaj s’ka më kuptim, dhe për këtë ju vjen keq për veten. Edhe mua më vjen keq për ju nëse e mendoni “bardhë e zi.”

Po sikur të provoni t’i krijoni një devijim racional dhe pragmatik vetes mbi arritjen e finishit? Provoni të jeni më fleksibël dhe jo kaq e ashpër me veten, sepse ju është dhënë një “vete” që është më e shtrenjtë edhe sesa vetë ëndrra juaj. Nëse mendoni se mendimet negative apo gjendja e humorit vazhdon të jetë jo shumë e kënaqshme dhe ju mundon për një periudhë të konsiderueshme, atëherë mund t’i drejtoheni një profesionisti klinik për një trajtim më specifik.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top