Në fokus

May 22, 2018 | 14:24

Nga Arian Kadiu: Adoleshenca… përcaktohet si një lindje e dytë, që bëhet pak nga pak

ariNë takimet e prindërve, ku më tepër dekadën e fundit, sikur janë zhbërë, mësuesit e vlerësojnë punën e tyre si të mirë, pasi u dhanë prindërve notat për çdo lëndë të fëmijës së tyre. Edhe në familje pyesin: si ishte me mësime, çfarë notash kishte? Dhe kanë të drejtë. Nga vlerësimet që merren në shkollë, ata mendojnë të ardhmen e fëmijës. Nota është një “pasaportë” që të hap rrugët e jetës, të zgjedhësh fakultetin më të “mirë” (jo atë për të cilën ka prirje fëmija, se në adoleshencë të rrallë janë fëmijët që kanë prirje për mjekësi, drejtësi, stomatologji, etj.)

adole

Notat vlerësuese, veçanërisht kur janë mbi mesataren, i lejojnë prindërit të nxisin për të marrë vizën për më tej: “bëj ç’të duash, vetëm shkëlqe me mësime”. Kjo mbase duket si diçka normale, por kalojmë pak më tej. Djali ose vajza merret më shumë me kompjuterin, me opsionet, ftesat që shfaqen aty. Më pas ka një film të bukur. Vjen shoku ose shoqja dhe e rrëmben me atë: “S’e ke parë akoma. Vishu, eja!”.

Por në takimin me prindër të radhës diçka nuk ka shkuar mirë. Ata alarmohen: “Mos vallë ka ngelur?” (mamaja tmerrohet nga kjo që mendon). Nga ana tjetër, djali vjen vonë. “Isha me shokët Po ku? Vërdallë.” Prindi dyshon, se diku bëhen vjedhje për të marrë para qyl, diku bëhen vrasje, plagosje me thika, etj. Eh, prindi i gjorë, sa duhet të mendojë! Notat kanë një rënie të “habitshme”, sikur s’është kapur libri me dorë. Provimi i fundit i maturës shtetërore (matematika) ishte një tregues i qartë. Rritja e lirë e fëmijëve, pa kontroll normal, e ka bishtin prapa. “Jam rritur, kundërshton djali/vajza, nuk më tërheq askush prej hunde”. Prindërit shpresojnë, shohin njëri-tjetrin, mbledhin supet, por në dhomën e gjumit ka ngritje zëri: “E ke fajin ti! Sonte po erdhi vonë do ta lë jashtë! Qyqja, ku do të shkojë tani natën!” Shembuj ka plot. Adoleshenti vjen nga shkolla. Familja ha drekën dhe ai merr celularin në dorë.

“Mëso, i tha i ati, pastaj luaj. E kam për mësimet”, përgjigjet djali/vajza. “Po ti ke hapur celularin. Do të bëj disa pjesëtime dhe këtu i bëj më shpejt. Përse nuk i bën më mend e me kalem. Ohu, nuk e lodh mendjen për ushtrime. Kur do ta lodhësh mendjen? Për gjëra me rëndësi.” Gjithë kohën tjetër ai nuk bëri asgjë me rëndësi. Tashmë dihet se adoleshencën e karakterizon zhvillimi jo harmonik ndërmjet ndryshimeve organike e fiziologjike dhe atyre psikologjike e shoqërore. Kjo fazë përcillet me disa kriza.

Adoleshenca është periudhë kalimtare, që ndan fëmijërinë nga mosha e rritur. Ajo përcaktohet si një lindje e dytë, që bëhet pak nga pak. Po kështu duhet të shkëputemi edhe nga mbrojtja familjare, siç kemi lënë një ditë pëlhurën mbrojtëse. Të ndahesh nga fëmijëria, të bësh të zhduket fëmija brenda teje, ky është një ndryshim i madh…. (Franzuazë Dolto, Katerinë Dolto-Toliç, Tiranë, 1989)

Adoleshenca është gjithashtu një lëvizje plot fuqi, premtime dhe jetë. Kjo fuqi është tepër e domosdoshme, është energjia themelore e këtij shndërrimi. Është mosha më e prekshme nga dukuritë e jetës, cilado qofshin ato. Ajo është edhe kohë largimesh, ndryshimesh, qëndrimesh dhe interesash të tjera, që shpesh ne të rriturve na befasojnë. Në këto vështirësi ndodhen prindërit, shkolla, mësuesit, vetë të rinjtë, madje edhe mjedisi social-ekonomik. Megjithatë roli i shkollës, i mësuesve dhe i prindit është i padiskutueshëm. Ky adoleshent ka mendimet e tij, ka ndjenja, përjetime të tjera personale, ka vizion tjetër. Nisur nga këto marrëdhënie, ata duhen parë tashmë edhe me syrin e gjykimin e të rinjve, sepse ata i shfaqin hapur mendimet dhe gjykimet e tyre vetjake, sikurse janë marrëdhëniet midis mësuesve e nxënësve, për rregullat shkollore, marrëdhëniet me njeri-tjetrin, dëfrimet e pse jo edhe mësimet.

slide_teen_2

Të gjitha këto marrëdhënie e të tjera shihen ngushtë, jo në optikën e adoleshentëve, të cilët, mbase nuk shkojnë kohë e pa kohë në pub-e, por duan të argëtohen, të dëfrehen e të kenë kohë të rrinë me njëri-tjetrin, qoftë kohë e lirë ose jo.

Cili institucion e ka për funksion punën edukative, parandaluese e udhëzuese me adoleshentët?

Së pari, jo gjithçka mund ta bëjë shkolla. Ajo synon që të realizojë qëllimet e saj mësimore dhe edukative. Ndonëse kjo e fundit vetëm sa planifikohet, pasi nuk plotësohet si duhet as 40% e saj. Në kushtet e demokracisë kjo marrëdhënie ka pësuar ndryshime.

Së dyti, roli i familjes mbi të riun nuk është i shkëputur nga veprimi edukativ i shkollës, pasi subjekti që ata i drejtohen është i njëjtë. Kjo ka bërë të mundur që ngjashmëria e pikëpamjeve edukative shkollë-familje, të luajë rolin mbështetës dhe plotësues të veprimtarisë edukative shkollore, për kryerjen e detyrave të shtëpisë, të bashkëpunojë për kërkimin dhe sigurimin e dokumenteve që duhen etj.

Së treti, një nga funksionet e edukimit është ta përgatisë njeriun për t’iu përshtatur kësaj bote, për të cilën bagazhi biopsikologjik i tij është i gatshëm t’u përgjigjet nxitjeve të jashtme. Sigurisht, sistemi edukativ i shkollës nuk është i vetëm, kështu që rrjedhimisht ajo nuk mund të përcaktohet si përfaqësuesi numër një i zhvillimit shoqëror. Është e gabuar thonë studiuesit, të akuzosh shkollën si “shkaku” i kriminalitetit, papunësisë, i degradimit të vlerave.

Së katërti, na lipset ende përvoja. Për shembull, në SHBA janë përfshirë të gjithë, politikanë e prindër, studiues të arsimit e mësues, adoleshentë, firma e fondacione, etj. Në shkollat e huaja ky shqetësim është i lidhur direkt me rezultatet në mësime, ashtu edhe me edukimin e nxënësve. Suksesin në mësim ata e shohin si rrjedhojë e punës intelektuale të vetë nxënësve, por pazgjithshmërisht edhe të punës së mirë të shkollave, drejtorisë, prindërve, të mësuesve dhe të gjithë marrëdhënieve bashkëpunuese nxënës-mësues, nxënës-nxënës dhe nxënës-prindër.

Së pesti, në ditët tona, ndërtimi i marrëdhënieve normale me të rinjtë e shkollës së mesme, si nga mësuesit dhe nga prindërit, është një proces i vështirë, që kërkon më shumë kohë, dije dhe mjeshtëri pedagogjike.

“Ndryshimet e shumta konceptuale të ndodhura në optikën e mjedisit social shqiptar, siç mund të jenë ato në legjislacionin e sotëm shkollor, zhvillimet e reja social-ekonomike të familjes, integrimi i vlerave të kulturave të shumta europiane e botërore që ushtrojnë ndikimin e tyre në familjet shqiptare, emigracioni si një dukuri e re në këtë periudhë kohe, lëvizja e lirë e familjes nëpër zonat gjeografike të vendit etj, krijojnë gjithashtu situata të reja në marrëdhëniet prindër-adoleshentë dhe në mospërputhjen e tyre për problemet e sotme të shkollës” (A.Kadiu, studimi “Adoleshentët dhe tranzicioni”, Tiranë, 1997).

Kjo jetë tepër e vrullshme, këto shndërrime të mëdha urbanistike, ndryshimet e dukshme në mikro e makromjedisin, këto dukuri të reja në psikologjinë e njerëzve nuk ka si të mos reflektonin në familje dhe tek të rinjtë. Këto zhvillime krejt të panjohura për ne, që fillojnë nga njohja me botën etj., kanë treguar edhe anën e pasme të medaljes. Kështu, në qytetet e mëdha është spostuar deri në njëfarë mase roli i familjes, duke fituar terren më të madh mjedisi. Diku më shumë e diku më pak të “krisurat” janë të dukshme. Kjo nuk do të thotë aspak që roli i familjes nuk është i madh.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top