U riktheva në punë pak kohë pasi kisha sjellë në jetë tim bir. Vura re se vendi im nuk ekzistonte më. Karrigia nuk ishte më aty dhe as tavolina e punës. Përpara se të merrja lejen e lindjes kisha një pozicion që më pëlqente dhe po ngjitesha në karrierë. U lidha me shefin e detyrës ku unë punoja duke e pyetur se mos vallë kishte ndonjë ngatërresë e më kishin sportuar diku tjetër. Në fakt jo. Ai vend ishte mbyllur. Dua të kuptoj pse ne gratë penalizohemi gjithnjë sapo bëhemi nëna?

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi
Letra juaj më shqetësoi shumë, sepse e di se çfarë do të thotë të humbasësh një vend pune që të pëlqen, por mbi të gjitha e kuptoj se si ndjehet një grua, forca e së cilës duket se në shoqërinë tonë ende nuk respektohet si duhet.
Gra si puna juaj detyrohen të vijnë në punë shumë më herët pikërisht për të mos humbur mundësi si këto, dhe kjo e bën shumë të vështirë periudhën e tyre paslindjes, shumë e rëndësishme si për nënën ashtu edhe për fëmijën. Jo gjithmonë ndodh që nënat humbasin vendin e punës, por mjafton edhe një herë e vetme për të thënë se është e padrejtë.
Në këtë rast, e shoh të udhës që ju t’i drejtoheni kontratës suaj, ligjit e kështu me radhë. Është e rëndësishme që zëri i gruas, por në këtë rast edhe i qytetarit të dëgjohet. Kështu ju do të ndjeheni më e respektuar, pasi duke hequr dorë, me besimin se asnjë gjë nuk do të zgjidhim, shpërblejmë edhe një herë sjelljen e papërshtatshme të punëdhënësit i cili ka prirjen ta përsërisë të njëjtën sjellje në të ardhmen, ndoshta me nëna të tjera të reja. Nuk jeni ju konkretisht që jeni penalizuar, por mungon zbatimi i të drejtave të njeriut që nuk funksionon si duhet është penalizimi më i madh që i bëhet grave sot në pjesën më të madhe të jetës së tyre profesionale, sociale.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.