Posta

September 19, 2020 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Si ta jetoj jetën time?

Përshëndetje. Jam nënë e tre fëmijëve. I jam përkushtuar mëmësisë, por përtej kënaqësisë së pamatë që fëmijët më japin, kam edhe shumë vështirësi. Bashkëshorti nuk më jep asnjë mbështetje dhe vetë jam e papunë. Kujdesem për shtëpinë dhe vetëm për fëmijët. Kjo gjë ka filluar të më mundojë shumë, pasi nuk di si ta jetoj jetën time?

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Kjo është një pyetje shumë e madhe për një letër që pranon një përgjigje shumë modeste. Por unë po provoj të kthej përgjigjen modeste, dhe ju të ndërtoni prej saj pjesën tjetër. Jeta juaj aktualisht është e përkushtuar tek tre fëmijët e tu, te familja. Shumë prej njerëzve rreth jush, ose rreth nesh, e shikojnë këtë jetë si të varfër dhe ndoshta ju shikojnë juve si jo aktive në punë apo në jetën sociale. Por unë dua t’ju vë përballë një sfide mendimesh më objektive rreth jetës suaj.

Ju keni marrë vendimin që të qëndroni pranë tre fëmijëve, t’i rrisni vet ata dhe të kujdeseni për ta duke iu përkushtuar, duke qenë e pranishme. Në kohët që jetojmë, prania e prindërve te fëmijët është bërë shumë e vështirë dhe kujdesi ndaj tyre prej prindërve edhe më i varfër. Prindërit e rinj janë shumë të angazhuar jashtë shtëpisë, dhe fëmijët i shikojnë më shumë dadot se sa prindërit, dhe kjo nuk është e lehtë për të gjithë familjen.

A nuk është një bekim që fëmijët e tu kalojnë kohë me ju? A nuk është me vlerë që ju mund ta ndërtoni vetë hartën e edukimit të fëmijëve? A nuk është e mrekullueshme të shikoni vetë ju hapat e zhvillimit të fëmijës që prej fillimit e derisa ata janë të pavarur? A nuk është privilegj të marrësh mbrapsht gjithë afeksionin, emocionet, dinamikat që sjellin fëmijët post gjithë këtij dedikimi? A ka vlerësim më të madh për një prind se të shikojë fëmijët e tyre që ia dedikojnë arritjet prindërve që i kanë rritur dhe qëndruar pranë hap pas hapi? Për ata prindër që nuk e bëjnë dot, ka disavantazhe të cilat nuk i rekuperojnë dot gjatë gjithë jetës, edhe pse modelet e prindërve sot janë këto: prindi punon shumë dhe fëmija do të duhet të përshtatet dhe të mësojë prej këtyre modeleve.

Pra, në fund të fundit, ju e keni një jetë, si një prind i dedikuar. Kjo është një punë, madje shumë më e lodhshme dhe e përgjegjshme se çdo punë tjetër dhe çdo profesion që ekziston: rritja dhe edukimi i fëmijëve. Unë e kam parë ngahera si një punë shumë të vështirë. Ndërkohë, mendoni si të mund të organizoni ditën dhe detyra në atë mënyrë që të filloni të delegoni edhe disa gjëra bashkëshortit. Do të duhet të uleni së bashku dhe të komunikoni se çfarë mund të bëjë ai që ju të mund të liroheni disi nga gjithë angazhimet familjare. Ju do të duhet të merrni pushimin tuaj të javës, të merreni me veten, të relaksoheni, të shpenzoni kohë me bashkëshortin, të krijoni një ditë në javë një dalje pa fëmijët, etj. Kjo do të përmirësojë cilësinë e jetës suaj.

Nuk është e thjeshtë që të ndryshojë kjo rutinë, por shtoni çdo ndryshim gradualisht, kohë pas kohe, duke i dhënë kohë vetes dhe partnerit. Shikoni me kujdes edhe nevojat e bashkëshortit dhe balancojini ato gradualisht mes njëri-tjetrit. Mos gjykoni asnjëherë rëndësinë e punës, përkundrazi, vlerësojeni punën e tij, duke treguar për nevojën që keni, dhe pyeteni nëse është e mundur të organizoheni së bashku për të gjetur kohë gjatë javës. Bëni propozimet tuaja dhe kërkojini mendim nëse edhe ai ka ndonjë ide. Jepini kohë të mendohet dhe më pas rindajeni me njëri-tjetrin. Uroj që të gjeni paqe dhe qetësi ndërsa kërkoni të gjeni jetën tuaj.

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 150

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top