Posta

March 16, 2020 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Si ta përmirësoj veten?

Problematikat e kohëve që kalojmë, shpesh, si e vetme në një qytet të huaj, më kanë bërë të ndryshoj sjellje, shpeshherë edhe natyrë në marrëdhënie me të tjerët. Në sytë e të tjerëve dukem e ngurtë, e prerë dhe nganjëherë edhe mistrece. Askush nuk ma ka thënë në sy deri më sot, të paktën në ambientet e punës, se reagimet e mia nuk janë aspak të denja në qëndrimin që dukshëm lexohet, por e ndiej se ftohtësia e tyre më ka ngacmuar sedrën për të kuptuar veten se nuk jam në shinat e duhura. Këtë e kuptova pas një mbledhjeje në punë, ku bisedat e mia me eprorët u etiketuan si “spiunllëk” nga ata. Kam vite që jetoj në Tiranë, pasi mbarova studimet e larta. Jetoj vetëm dhe pa përkrahjen e familjes.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Një njeri i mençur ka thënë: “Nëse kërkon të ndryshosh jetë, ndrysho sjellje”. Më vjen mirë që ju kërkoni ndihmë pikërisht duke u përpjekur të ndryshoni sjellje. Nuk është e lehtë, por s’është as e pamundur.

Mendoj, nga ajo që shkruani, se ju është dashur të adaptoheni në një ambient të huaj, sikurse e përshkruani. Përshtatja, integrimi në një shoqëri dhe ambient të ri kërkon përpjekje jo të vogla. Është një proces, i cili mbart në veten e tij si momente të mira, por mbi të gjitha agresive për dikë që vjen nga një ambient tjetër social.

Në këtë ambient përpjekjesh, krijohen mekanizma mbrojtës për të reduktuar pikërisht stresin që natyrshëm krijohet në këto situata. Sigurisht, asnjë element nga këto nuk justifikon sjelljet dëmtuese ndaj të tjerëve, për çdo arsye dhe të çfarëdolloj natyre. Është e rëndësishme që të ndiheni e përputhur me veten tuaj për t’u ndier mirë dhe e realizuar.

Nëse ju mendoni se sjellje të kësaj natyre ju largojnë nga vetvetja, nga marrëdhëniet sociale të dëshiruara për ju dhe nga faktorë të tjerë prioritarë, vlen që të mund të reflektoni dhe të ndërmerrni hapa të rëndësishëm. KUJDES!

Mos ndërmerrni veprime të cilat kënaqin të tjerët, por ato që mendoni se janë të drejta dhe të padëmshme në radhë të parë për ju dhe më pas për të tjerët. Në rast se dëmtimi i të tjerëve ju dëmton juve, atëherë ky rreth sjelljesh do të funksionojë. Vlen që të filloni aty ku e kishit nisur. Njerëzit ndryshojnë me kalimin e kohës. Krijojnë bindje, vlera dhe besime të tjera, ose i shton arsenalin e këtyre të fundit vetvetes. Nëse janë shkelur parime dhe besime tuajat, kthejuni atyre dhe ndërmerrni hapa të vegjël. U thoni “po”, “dakord”, “shumë mirë”, etj., miqve të punës për gjëra të cilat besoni se janë të drejta dhe ia vlejnë për kontekstin në të cilën ndodheni. Fundja, mos u bëni e ngurtë!

“Ka gjithnjë rreze dielli mjaftueshëm për të gjithë!”.

Flituni me një gjuhë më të thjeshtë miqve apo edhe atyre që i takoni për herë të parë, përshëndetini edhe pse i shikoni më shumë se një herë gjatë ditës. Krijoni marrëdhënie të barabarta në bisedë, ndonëse në realitet ju mund të jeni edhe të mbikualifikuar.

Mos kini frikë të jeni e hapur ndaj marrëdhënieve profesionale. Fundja një kuti e hapur mbushet e zbrazet lehtësisht.

Një kuti e mbyllur, nuk do të ketë mundësi asnjëherë të shikojë se çfarë mund ta vizitojë atë dhe nuk do të ketë mundësi asnjëherë të përjetojë kënaqësinë për t’u zbrazur që të mbushet sërish. Jam e sigurt se ju nuk jeni person i ngurtë, që e keni dërguar ju këtë letër.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top