Kam nevojë për këshillën tuaj. Unë kam fituar letrat në Gjermani, por duhet të kem një punë me orar të plotë që të mundem t’i rinovoj. E gjeta një vend pune goxha të mirë, që më pëlqen. Mirëpo problemi është se përgjegjësi ku unë punoj, ndihet xheloz për shoqërinë që kemi ne punëtorët me njëri-tjetrin. D.m.th kishte dëgjuar që shokët e mi të punës kishin ardhur në lagjen time të pinin një kafe me mua në fundjavë dhe po bën si i çmendur. Unë e kam të pamundur nga natyra që t’i lajkatohem. Ai ka gjithmonë një mendim ndryshe, pavarësisht se kush ka të drejtë. E kuptoj që ndihet inferior, por nuk e kam pasur kurrë si qëllim që ta bëj të ndihet i tillë, se fundja më mundësoi vendin e punës. E kuptoj që ai do të donte ta ftoja për kafe në fundjavë, por ka natyrë të tillë që nëse unë e ftoj, ai nuk do pranojë dhe do përpiqet të justifikohet, duke thënë që nuk ka kohë apo diçka e tillë, sepse ka merakun mos e kuptoj që është xheloz dhe i vjen rëndë. Çfarë më këshilloni? Si ta ruaj vendin e punës, pasi ai më ka kërcënuar se do të më largojë.
Përshëndetje e dashur lexuese. Ndjesë për vlerësimin tim të situatës, nëse ky i fundit ju duket i nxituar nga ana ime, por duket se këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me ruajtjen e vendit të punës. Këtu kemi të bëjmë me një situatë ku punëdhënësi juaj shfaq ndjenja për ju, aq sa i shpreh ato me veprime xhelozie, siç edhe pohoni ju. Në këtë rast, do të duhet të shikoni mirë interesat tuaja dhe nivelin etik që të funksionojë puna për të cilën jeni interesuar (nëse kjo është e vetmja gjë që ju intereson.)
Nëse edhe ju keni interesa të tjera, të orientimit romantik për punëdhënësin, por është e pamundur të ndahet me vendin e punës, atëherë do të duhet që të merrni një vendim se çfarë do të bëni. Nëse mendoni se ju duhet ky vend me patjetër dhe nuk keni si të veproni ndryshe, atëherë po jua them që tani se, puna juaj me punëdhënësin do të vështirësohet dita-ditës edhe më shumë, pasi duket se interesat e tij janë përtej marrëdhënies së punës.
Uroj që ju të shikoni një punë tjetër, e cila nuk kërkon përfitime të tjera, përveçse punës suaj.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 120
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.