Përshëndetje!
Kam një problem të cilin dua ta ndaj me ju. Prej kohësh, një djalë, punëtor në biznesin e prindërve të mi, ka tentuar të më japë sinjale pëlqimi. Unë kam filluar të ndjej për të dhe deri diku kemi një raport të fshehtë. Dashuria ime për të shkon deri në atë pikë, sa dua ta lidh jetën me të. Ai është punëtor e me nivel më të ulët se unë. Dhe këtu qëndron problemi. Prindërit e mi janë kundër kësaj lidhjeje, pasi pretendojnë tjetërkënd për mua. Nëse ia them mamit, ajo do të më shkëpusë nga ai duke e hequr nga puna. Edhe po nuk ia thashë, do të vijë një pikë kur gjithsesi do të mësohet lidhja ime. Është përvoja ime e parë e dashurisë. Unë jam 18 vjeçe, ndërsa ai 26. Si mund të veproj? A duhet ta vazhdoj lidhjen me të, apo t’i jap fund?! Duhet të triumfojë DASHURIA apo ORIENTIMI I PRINDËRVE TË MI? Me respekt, Erda
E dashur Erda,
Më vjen mirë që ju keni filluar të provoni ndjenjat e para të pëlqimit, dëshirimit. Mosha 18 vjeç është e bukur për ndjenja si këto, pasi pjekuria e seksualitetit të qenies njerëzore ndodh pikërisht në këtë moshë. Ndjenja e dashurisë është komplekse dhe forma me të cilën ajo shprehet, në fillimet e saj, siç edhe ju vetë pohoni, është ndjesore (ndjenja e dëshirimit bëhet prezente, dominante), por është mbi të gjitha psikologjike, pasi ndjenjat e tua burojnë nga mendimet që i referohen personit konkret, me karakteristikat që ai ka. Ndjenjat bëhen gjithnjë e më të forta kur ato shpërblehen, përforcohen reciprokisht nga të dyja palët. Andaj edhe ju jeni e përfshirë deri në pikën që “doni të lidhni jetën përfundimisht në krahët e tij”.
Qenia njerëzore është e programuar me nevojën e pashmangshme për të dashur, vlerësuar dhe për të qenë i dashuruar dhe i vlerësuar nga të tjerët. Në lidhjen e parë, kjo është një sprovë shumë sfiduese, intense, e cila të çon drejt identifikimit të ndjenjave tuaja, të emërtimit të tyre dhe personifikimit të vetvetes në raport me figurën e gruas që ju jeni përballë figurës së burrit, seksit të kundërt. Pra, lidhjet në këtë moshë janë mjaft të shëndetshme dhe këtu ne kuptojmë mjaft elemente që na ndërtojnë identitetin e marrëdhënies ndërpersonale në të ardhmen.
Jua them sa më sipër, në mënyrë që të mund të njihni ndjenjat tuaja dhe të gjykoni më drejt në raport me vendimet që do të merrni. Kjo do t’ju orientojë të kuptoni:
- Përse “dashuroni kaq fort”
- Përse kërkoni të bëni një sacrifice kaq të madhe, sa të kundërshtoni familjen
Informacioni më sipër, mbi të gjitha, ju fton të mësoni se dashuria vetëm sa ka filluar të hedhë hapat e saj të parë në jetën tuaj dhe se ka shumë për të mësuar me kalimin e viteve. Fjalët “përfundimisht”, “kurrë”, “asnjëherë” janë shumë romantike në përshkrimin tuaj, por në fakt me kalimin e kohës ju do të kuptoni që ato marrin një tjetër dimension në mendjen tuaj, relativitetin që ato kanë, pra që nuk janë absolute.
Një autor francez mjaft i njohur, Albert Camus, thotë: “Il n’est pas necessaire d’aimer une fois, pour aimer beaucoup” (Nuk është e nevojshme të duash një herë, për të dashur shumë). Që do të thotë se ju keni mundësi të mëdha për të dashuruar shumë më tepër se një here në këtë jetë, pasi ndonjëherë klisheja e dashurisë së parë apo të dashurisë së “vërtetë” na privon ta shikojmë jetën më me objektivitet.
Nga ana tjetër: prindërit ju duan shumë! Mendoj se ju jeni me fat që keni prindër kaq të kujdesshëm dhe që komunikojnë me ju. Vlerësojeni mendimin e tyre, por duke u bërë të ditur atyre (kur të jeni gati) se jeni e aftë të merrni vendime.
Kini parasysh: Të përmbyllësh jetën përfundimisht, është një vendim që mund ta merrni që sot me partnerin tuaj, por a keni shpenzuar mjaftueshëm kohën e duhur me personin në fjalë për të kuptuar nëse duhet ta kaloni pjesën tjetër të jetës me të? Keni ende kohë…
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 123
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.