Përshëndetje e nderuar psikologe. Ju uroj për rubrikën tuaj dhe e ndjek me shumë dëshirë. Kjo më ka bërë t’ju shkruaj për një shqetësim timin. Ju lutem, kam nevojë për mendim tuaj. Kam vajzën 6 vjeçe dhe nuk më fle gjithë natën, deri në orën 5 ose 6 të mëngjesit, pastaj shtrihet e fle deri në drekë. Rri dhe luan, sheh kukulla, ka një energji të paparë dhe e kam provuar, e zgjoj të luajë gjatë ditës, që të lodhet, por prapë, vjen mbrëmja dhe e njëjta situatë. Nuk di në duhet ta vizitoj për këtë rast.
Duket sikur rasti i fëmijës suaj ka të bëjë me atë që njihet si pagjumësia fëminore pediatrike (insomnia pediatrike) është një çrregullim gjumi në të cilën fëmija lufton për të rënë në gjumë ose ka vështirësi që të qëndrojë në gjumë. Në rastin e fëmijës tuaj 10-11 orë do të duheshin për të plotësuar kohën dhe mbi të gjitha kohën e gjumit GJATË NATËS. Gjumi është vendimtar për zhvillimin e duhur të fëmijës. Shumica e pagjumësisë te fëmijët është e lidhur me sjelljen. Kështu, pagjumësia merr disa dimensione që lidhen me faktorë të jashtëm dhe të brendshëm.
Mund të lidhet me veprimet, objektet ose mjedise të caktuara. Nëse fëmija juaj tundet para se të fle ose do të mbajë një shishe me ujë në kokën e krevatit dhe ta pijë vazhdimisht, do të ketë një biskotë në dorë etj., janë të gjitha sjellje që vështirësojnë gjumin pasi e mbajnë fëmijën alert ndaj shpërqendruesve. Disa prej fëmijëve nuk kanë atë higjienën e rregullimit të orarit të gjumit.
Fëmijët do të duhet të kenë një axhendë gjumi: çdo natë në orën 8.30 fëmija do të çohet në krevat për të fjetur dhe kjo nuk negociohet me asnjë gjë. Do të ishte e udhës që fëmijët të cilët nuk arrin të mbajnë gjumin gjatë natës, të mos flenë gjatë ditës. Kjo do të prishte higjienën e kohës së gjumit. Shkaqet mund të jenë të lidhura si me faktorin gjenetikë por edhe atë sjellor. Megjithatë më poshtë do të përmend disa prej tyre:
Ankthi, stresi, episode deprimimi, probleme të frymëmarrjes (astma, apnea), alergji të forta, çrregullimi i gjumit, sindroma e këmbëve të rënduara (shqetësuara), simptoma të ADHD. Të gjitha këto dhe të tjera mund të jenë shkaktarë për pagjumësinë, por në çdo rast, do të duhet të konsultoheni fillimisht me një pediatër zhvillimi që ka ekspertizën e duhur në problemet e gjumit për të përjashtuar çdo shkak të mundur organik përpara se të merrni një vendim për trajtimin e tij, i cili mund të jetë medikal ose sjellor, ose të dyja së bashku.
Por ndërkohë, por ju shoqërojë disa këshilla praktike: hapi i parë që do të duhet të ndërmerrni është ndryshimi i zakoneve të gjumit, krijoni rutinën e orarit të mbrëmjes dhe një histori të këndshme përpara se të fle. Mund të mbani një dritë të vogël, të zbehtë, jo shqetësuese, por dhoma do të duhet të jetë e errët. Fëmija do të duhet të jetë i ngrënë mirë që të mos jetë uria ajo që e zgjon, por të shmanget ushqimi në shtrat. Aktiviteti fizik të jetë i ngjeshur gjatë ditës. Dhoma e gjumit e fëmijës të mos jetë në asnjë rast dhoma e dënimit të tij.
Shmangini pijet e forta, me gaz apo kafeinë (coca-cola, etj). Përdorni ndonjë teknikë relaksimi. Mund të gjeni disa video për fëmijë online. Nëse edhe pikat si më sipër i keni provuar, atëherë konsultohuni menjëherë me një pediatër.
Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 135
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.