Posta

December 4, 2019 | 8:10

Posta nga Denata Toçe / Vajza jonë u divorcua pa dëshirën tonë

Vajza ime është 39 vjeçe dhe ishte e martuar prej 4 vitesh me një djalë të mrekullueshëm. Para dy muajsh ajo u divorcua, sepse pretendonte se ai nuk e bënte të lumtur dhe se kishte gjetur dashurinë e saj tek një mashkull tjetër. Pavarësisht përpjekjeve tona që ajo të mos e merrte këtë vendim, ajo u tregua kokëfortë dhe egoiste, duke na thënë se është jeta e saj dhe se ndërhyrja jonë ishte e panevojshme. Ne si prindër ndihemi të fyer dhe të vënë nën presion për këtë gjë që i ka ndodhur familjes sonë… 

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Dua t’ju falënderoj që sollët pranë lexueseve të revistës “Psikologji” një histori kaq domethënëse edhe për shumë familje të tjera shqiptare. Prindërit nuk e kanë aspak të lehtë ta përballojnë divorcin e fëmijës së tyre, sidomos kur është vajzë. Në Shqipëri ende ka jehona të mentalitetit mbi divorcin e një femre, aq më tepër kur kjo, femra, është divorcuar për shkak të një mashkulli tjetër. Ju mund të ndiheni të lënduar dhe të fyer që e gjithë kjo ka ndodhur pa miratimin tuaj. Por…

Me kalimin e kohës, fëmija e kapërcen varësinë nga prindërit. Natyrshëm bëhet autonom, i pavarur, për të përballuar kështu i vetëm jetën që e pret. Ky është një proces i shëndetshëm dhe mjaft i nevojshëm. Kështu fëmijët fillojnë çdo ditë t’i marrin vendimet vetë në raport me aktivitetet që u ofron jeta. Kjo i bën ata të ndihen produktivë e të nevojshëm për veten dhe për shoqërinë.

Në momente delikate, fëmijët kërkojnë mbështetje dhe prindërit janë të gatshëm t’ia japin. Por një gjë e tillë duhet bërë vetëm nëse fëmijët e kërkojnë. Nëse ata nuk kërkojnë ndihmë, do të thotë se nuk kanë nevojë për të.

Prindërit janë shumë të rëndësishëm në të gjitha stadet e jetës së njeriut, por ata duhet të mësohen të jetojnë ME fëmijët e tyre dhe jo PËR ta. Sidomos prindërit shqiptarë duhet të përpiqen akoma më shumë të kuptojnë autonominë e fëmijëve, të nxisin tek ata iniciativën vetjake dhe jo varësinë, e cila sjell konfuzion, inferioritet dhe paaftësi të fëmijëve për të marrë vendime.

Sigurisht, fëmijët jo gjithmonë do të kenë të drejtë në vendimet që marrin: gabojnë, por fundja, cili prej nesh nuk ka gabuar? Rëndësi ka që janë ATA që do të gabojnë dhe janë ATA që do të mësojnë. Unë nuk mendoj që vajza juaj është egoiste dhe kokëfortë. Mendoj që keni rritur një vajzë me personalitet të shëndetshëm, e cila arrin t’i marrë vendimet e saj vetë. Ndoshta mund t’i thyhen krahët nga ky vendim, por të paktën nuk do të dëshpërohet thellë që nuk dëgjoi vetveten, por u imponua nga mendje të tjera.

Në rastin tuaj, ose vajza ka gjetur njeriun që e do shumë, ose thjesht lidhja e tyre mund të mos funksionojë dhe ajo sërish do të dijë të marrë një vendim.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top