Përshëndetje. Jam një vajzë 27-vjeçe, me dy fëmijë të vegjël binjakë. Jetoj me burrin dhe vjehrrën. Problemi im është vjehrra. Thuajse po më shkatërron jetën. Ajo vendos për çdo gjë në shtëpi. Ekonominë po e po, e menaxhon ajo. Nuk bëhet fjalë të kërkosh diçka se e ke të sigurt që nuk do të realizohet. Por, mbi gjithçka jam më shumë e shqetësuar pasi nuk më lënë të dal nga shtëpia. I them burrit, kam nevojë të dal, e kam shumë të nevojshme. Që kur kam lindur, kam dal shumë pak. Ajo e imponon për çdo gjë. Janë të dy në punë private. Unë jam gjithë ditën vetëm në shtëpi. Nuk di ku ta gjej të drejtën. Kam frikë se nuk do e duroj dot dhe shumë këtë gjendje. Deri tani mesa kuptoj ai më do. Por dita-ditës debatet po na largojnë shumë. Ai sa mundohet të bëj diçka, ajo ia ndryshon mendjen. P.sh: i kam thënë, dua të filloj punë, as këtë nuk ma lejon. Dhe më e keqja është se ai është aq i palogjikshëm sa mendon se s’kam aspak të drejtë, vetëm mami e tij ka. Kam nevojë për një mendim. Kam shumë kam pak shpresë për zgjidhjen e problemit tim, por gjithsesi, mendimi juaj do më bënte mirë. Faleminderit! Të lutem në mund ta shtoni dhe këtë. Ndihem keq, pasi zonja ka dhe dy vajza, të cilat i punësoi direkt sapo mbaruan shkollën. Pra, po të dojë, mund të sillet mirë edhe me mua. Kjo më shkatërron më shumë.
Më vjen sinqerisht keq për gjendjen në të cilën ndodheni, dhe e kuptoj që është frustruese për ju. Por më lejo të jem pak e drejtpërdrejtë me ju: “Çdo person bën përshesh kur gjen shesh”, jo vetëm vjehrra që ju e keni sjellë si problem këtu, por edhe burri, vëllai, motra apo kushdo që të rrethon. Në vend që të kërkosh që të tjerët të t’i japin të drejtat, që sipas këndvështrimit tënd duhet ta mendojnë dhe bëjnë vetë pa jua kërkuar, fillo të fokusosh energjitë drejt vetes për t’i fituar këto të drejta.
Nëse ju jepni imazhin, apo përshtypjen që pranoni dhe gjunjëzoheni shumë lehtë, sigurisht rrugët do të mbyllen çdo ditë e më shumë. Dhe kjo ide, besoj është krijuar që ditën e parë që keni hyrë në atë shtëpi, dhe nuk është diçka e krijuar së fundmi.
Mos e krahasoni veten me bijat e vjehrrës. Ju sigurisht nuk jeni vajzë e saj, ashtu si edhe ajo nuk është nëna juaj. Duhet respekt mes palëve sigurisht, por mos të gënjejmë veten se ekziston një dashuri prindërore mes vjehrrës dhe nuses. Edhe pse në ndonjë rast deklarohet diçka e tillë, vështirë të besoj që ka ndonjë % realiteti.
Çfarë mund të bëni, kur shumë gjëra nuk jua lejojnë?
- Shpresoj që nuk ndaloheni të shkoni 1-2 javë tek prindërit e tu (kohë që do të shërbejë për t’u qetësuar dhe për të menduar më mirë).
- Një ose disa biseda të sinqerta me bashkëshortin tuaj do ishin të vlefshme (mbase s’do zgjidhin shumë, por do shërbejnë për të shkarkuar disi stresin e ditës dhe për ta vendosur në dijeni të shqetësimit tuaj).
- Filloni biseda duke treguar si ndiheni dhe çfarë dëshironi ju për veten, pa akuzuar apo fokusuar bisedën në gabimet që bëjnë personat e 3-të. (Ju duhet të ndryshoni gjendjen dhe ndjenjat tuaja, s’mund të pretendoni të ndryshoni askënd tjetër, ndryshimi fillon nga vetja).
- Mos ofendoni nënën tek i biri, apo djalin tek nëna e tij, kjo ju sjell një humbje të garantuar. Mos harro se po futesh në një zonë të minuar, që është lidhja nënë-fëmijë (që është një ndër lidhjet më të forta mes dy njerëzve që ekziston në botë).
- Ju këshilloj të përmirësoni veten, duke ndërtuar një komunikim të shëndetshëm dhe funksional me bashkëshortin tuaj, i cili fokusohet vetëm tek ju dhe e ardhmja juaj si çift, si prindër dhe si familje e re.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.