Posta

May 22, 2017 | 9:11

POSTA/ Shpesh më kap ndjenja e inferioritetit

the-feeling-of-inferiority-universe-stars-696x464

Përshëndetje! Duke lexuar faqen tuaj mendova nëse mund të më ndihmoni me një shqetësim që kam. Jam 24 vjeçe, por ngjaj shumë më e vogël fizikisht. Kjo gjë edhe më ka ndihmuar, por në të njëjtën kohë më ka dëmtuar shumë. Shpesh më ngjan vetja e vogël dhe e paaftë për të marrë petkun e një të rrituri. Në shoqëri më kap ndjenja e inferioritetit, pasigurisë në ato që them, ndjenja e frikës se si do të dukem dhe më duket sikur nuk jam e aftë të përballoj një bisedë serioze. Në këtë mënyrë marr qëndrimin e një personi që më duhet të dëgjoj të tjerët dhe ndihem e lënë në hije nga ata. Madje, shpesh më kap një bllokim në stomak, i cili më pengon të ha. E vuaj shumë këtë gjë, nuk e di çfarë do të më ndihmonte ta kaloja si situatë. Ju falënderoj!

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Përshëndetje e dashur lexuese. E kuptoj që ndiheni në vështirësi. Sado e vogël mund të jeni ju fizikisht, pesha e mendimit tuaj mund të jetë shumë e madhe dhe dimensioni fizik nuk e kalon dot, në asnjë rast. Mos harroni se, njerëzit më të pushtetshëm në botë, kanë pasur një fizik shumë më të vogël sesa madhështia e tyre, ndaj ka shumë të ngjarë që mendimet tuaja mbi veten duket se janë jo shumë objektive në raport me ngarkesën që i keni vendosur vetes mbi supe. Kam njohur shumë njerëz të gjatë që kanë mendime të ngjashme, sikurse kam njohur njerëz të shkurtër që kanë qenë të diskutueshëm në inteligjencën e tyre sociale, por kjo nuk do të thotë që edhe ata nuk e kanë vlerën e tyre në shoqëri. Bota është e ndërtuar e këtillë, që do të duhet të ishe edhe ti pjesë, edhe unë, bashkë me komplekset tona, që të ndërtohej dhe të ngjante e plotë. Pra ne, si qenie autentike, jemi të veçantë dhe të pazëvendësueshëm, ndaj të them të bësh kurajë, të shprehësh vetveten pa frikë se dikush do të gjykojë jo në mënyrën e duhur, pasi personi më “i rrezikshëm” për gjykimin jo të duhur në këtë histori je vetëm ti. Jam e sigurt se të tjerët thjesht nuk të kanë njohur ende, ndaj dhe nuk arrijnë të të drejtohen shpesh. Por ti mund t’ua japësh këtë mundësi, dhe mos ki frikë të gabosh, edhe ta pranosh që gabove, edhe të qeshësh me ata që qeshin. E gjithë kjo do të të japë kurajë dhe motivim për të ecur më tej. 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top