Jam një nënë 24 vjeç. Jam shumë e lumtur me fëmijën tim edhe pse ndonjëherë stresohem me të nga mërzia që më shkakton bashkëshorti. E di që nuk është e drejtë, por ndonjëherë e humbas fillin. Pyetja ime për psikologen është: Si mund t’ja dal me një burrë që ka një mentalitet fanatik dhe që do të vendosë vetëm ai në familje? Theksoj që e kam provuar në të gjitha mënyrat, me të mirë dhe me të keqe.
Mendoj që ky burri fanatik që po flisni është i njëjti që jeni dashuruar në fillim të lidhjes suaj , apo jo? Nuk është ai që ka ndryshuar por jeni ju dhe këtë nuk e shikoj si një ndryshim negativ. Në fillimet e lidhjes në përgjithësi femrat idealizojnë partnerët e tyre dhe refuzojnë të shohin apo kuptojnë mangësitë që kanë. Pasi vjen në jetë fëmija ( sidomos fëmija i parë ), femra fillon të kërkojë tek partneri ato përgjegjësi dhe parime që vetë ajo i ka ëndërruar që në fillim të lidhjes. Dhe kur kjo gjë nuk ndodh , atëherë fillojnë dhe zhgënjimet e para. Ju thoni që i keni provuar të gjitha mënyrat ( sipas mendimit tuaj), por çfarë ka rezultuar nga këto mënyra? Në cilat raste reagimi i tij ka qenë më i ashpër dhe në cilat më pranues? Kjo do të të ndihmonte të kuptoje se në cilin drejtim duhet të jesh më e vendosur. Unë nuk mundem t’ju sugjeroj çfarë t’i thoni apo si të veproni me bashkëshortin tuaj ( në pozicionin që jam, dhe me përshkrimin tuaj të shkurtër ) nuk mund të them që e kuptoj komunikimin mes jush, apo psikologjinë tuaj të të menduarit.
Po, mund t’ju sugjeroj t’i merrni gjërat me qetësi duke kërkuar ndryshime të vogla dhe hap pas hapi . Nuk mund të zhbëni menjëherë diçka që është formuar dhe rrënjosur tashmë në personalitetin e bashkëshortit tuaj ( për x vite, para se të njihej me ju). Ju duhet shumë mund dhe vendosmëri për të arritur objektivat që dëshironi ju.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.