FB

June 25, 2024 | 7:13

POSTA / Si ta ushqej mirë tim bir?

Përshëndetje! Jam nënë e një djali katërvjeçar. Kam një problem shumë serioz, pasi djali nuk ha gjë tjetër përveçse bukë me nutella ose thatë. Jam përpjekur që ta bind për ushqimet e tjera që kanë vlera, por nuk më bindet fare. Madje bëhet agresiv. Ju lutem, çfarë më sugjeroni të bëj?

1

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Vështirësitë në të ushqyer janë të natyrës perceptuale dhe të natyrës së prezantimit të ushqimeve që në fëmijërinë e hershme. Këto mund të jenë të kombinuara edhe të dyja. Sigurisht që, në moshën e fëmijës suaj, kundërshtitë janë më evidente dhe forca për të imponuar një regjim të ri
është më e vështirë. Higjiena e ushqimit vjen me respektimin e piramidës ushqimore. Do të ishte e udhës që të respektohej kjo hierarki dhe m.q.s jemi në stadin ku fëmija nuk ha gjë tjetër, atëherë do të filloni nga ajo që fëmija ha.

Është gati e paimagjinueshme dhe jonatyrale që fëmija të ushqehet VETËM bukë me nutella. Fillimisht, identifikoni çdo ushqim tjetër që fëmija mund të ketë qejf të hajë, qofshin këto edhe të pashëndetshme, që te patatinat, kokoshkat, çibukë, lëngje, apo edhe të gatuara si makarona, pilaf, patate të skuqura. Renditini ato sipas hierarkisë së pëlqimit që fëmija ka. Ato më të fortat do t’i ruani për prezantimin e ushqimeve të reja. Sigurisht që do të filloni me disa ushqime, të cilat janë më të lehta dhe mbi të gjitha të domosdoshme për fëmijën.

Krijoni një tabelë dhe renditni aty ushqimet që fëmija nuk konsumon. Më pas do të duhet të filloni me ato që ai ndonjëherë edhe i ha kur ju ia jepni, edhe pse pa dëshirë. Mos i ngatërroni frutat me bulmetet dhe mishrat. Filloni me mishin nëse është më e lehtë ose me perimet. Mund të jetë veza ose mishi i pulës. Vendosni një sasi shumë të vogël të vezës në pjatë, sa një kuadrat 3-4 milimetra dhe po aq të vogël, pra një kokërr bizele. Gjithashtu në pjatë do të vendosni edhe ushqimin e preferuar që është ¼ e bukës me nutella. VETËM dhe VETËM kur fëmija të hajë kuadratin e vogël të perimeve dhe të vezës apo të mishit do të hajë edhe bukën me nutella. Sigurohuni që fëmija të jetë i uritur. Kështu, gradualisht do të rrisni sasinë e ushqimeve ku ushqimi i preferuar do të reduktohet dhe do të rritet sasia e ushqimit, të cilin fëmija nuk e hante më parë. Mos u merakosni, asnjë fëmijë nuk e lë veten e tij pa ngrënë. Ju thjesht do të duhet të bëni durim në këtë proces. Për më shumë udhëzime, drejtohuni redaksisë që t’ju japë kontaktet për të bërë një program ushqimor mbi sjelljen e të ushqyerit.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top