Përshëndetje! Unë kam një shqetësim me vajzën. Është 32-muajshe, por tani ka filluar të qajë dhe godet veten. Nuk është tip nevrike, por kur qan, e bën duke goditur veten. Shkon në kopsht në Londër, aty ku dhe jetoj. Aty pashë që edukatorja i bërtiste një fëmije dhe e hodhi në divan. Sigurisht, shkova te drejtoresha dhe i fola. Më pas e lëviza nga ajo dhomë dhe e pashë më të gëzuar fëmijën .A mendoni se do jetë dhunuar? Fëmija im nuk sqaron, por e ndjej që nuk ishte e lumtur.
Përgjigje nga psikologia Adelina Pjetra: Fëmijët kur kanë shqetësime apo probleme, si në marrëdhënie me të tjerët apo edhe shëndetësore, gjithmonë e gjejnë një mënyrë si ta komunikojnë këtë me prindërit e tyre. Mjafton që ju si nënë të tregoheni e kujdesshme dhe të arrini të lexoni shenjat. Në qoftë se dyshoni për dhunë, ju lutem këshillohuni me psikologen e kopshtit ku shkon vajza juaj, duke i shpjeguar edhe sjelljet e fëmijës që ju kanë bërë të dyshoni. Me fëmijët përdoret terapia e artit dhe lojës, ku fëmija nëpërmjet vizatimeve, ngjyrosjes apo thjesht lojrave me kukulla e lodra të tjera arrin të shpjegojë gjithçka që i ka ndodhur. Shëndeti dhe mirëqenia e fëmijës është parësore, prandaj mos u shqetësoni se çfarë mund të rezultojë nga terapia. Gjithçka do të shërbejë që fëmija juaj të rritet e lumtur dhe e shëndetshme, si fizikisht edhe psikologjikisht.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.