Në fokus

January 23, 2017 | 10:20

Të punosh me fëmijët me autizëm është si të hidhesh në det, për të kapur peshq me dorë!

Nga Vera Kurti Mesuese e edukimit special në New York City

Nga Vera Kurti
Mesuese e edukimit special në New York City

Sjelljet agresive të fëmijëve me autizëm dhe menaxhimi i tyre:

Sjelljet agresive të fëmijëve me çrregullime mendore, një problem serioz jo vetëm për prindërit, por edhe për ata që kanë fatin të jenë pjesë direkte e këtij problemi. Ah, sikur ta dinit se çdo të thotë ta përjetosh atë, në trup. Këtë e dinë vetëm ata, në trupin dhe trurin e të cilëve, ndodhin këto sjellje. Të paktën mendojeni këtë fakt, sa më shpesh.

Aq sa di e shoh, jo vetëm prindërit që kanë fëmijë me nevoja të veçanta ankohen për sjellje agresive të fëmijëve të tyre. Sidomos te ne, kjo ankesë shtrihet më gjerë. Sjellje agresive të fëmijëve të tyre, pavarësisht se nuk kanë asnjë lloj mangësie në zhvillimin e tyre fizik dhe mendor, ankesat hasen kudo.

Dhe këto probleme, diku më shumë e diku më pak, në të shumtën e rasteve kanë të bëjnë thjesht, me mënyrën sesi i edukojmë fëmijët, më konkretisht, ne nuk dimë ose harrojmë se fëmija ka detyrat dhe përgjegjësitë e veta, ashtu siç ka të drejtat dhe liritë e tij. Ose, edhe nëse i dimë, i bëjmë lëmsh të tëra pa ditur fillin e njërës apo tjetrës. Dhe për fat, ky problem nuk është vetem i prindërve. Të llastuarit e fëmijëve, në nivele të ndryshme e has edhe te mësueset, edukatoret deri edhe te profesorët, të cilët llastojnë një pjesë të fëmijëve(nxënësve/studentëve/) dhe diskriminojnë një pjesë tjetër, llastojnë fëmijët e të mëdhenjve, llastojnë femijët e bukur (veshur bukur), llastojnë ata që u sjellin dhurata, llastojnë fëmijët/ nxënësit/studentët me rezultate të mira dhe diskriminojmë të urtët, të thjeshtët, të varfërit, të dobtit në mësime, pse jo edhe ata, që nuk kanë mundësi dhe aftësi si të tjerët.

Kështu, padashur e paditur, bëjmë që llastimet të gjenerojnë sjellje agresive. Mjaft që të mos u’a plotësosh, qoftë edhe njëherë të vetme dëshirat apo tekat këtyre fëmijëve dhe e sheh se çfarë pasojash ka. Diskutim më vete, të llastuarit e fëmijëve, pse jo dhe i të rriturve, dukuri kjo tipike shqiptare.

1Por le të ndalemi te fëmijët me nevoja të veçanta këtë radhë dhe pikërisht te sjelljet e tyre agresive. Cilat janë disa nga shkaqet e agresivitetit, që fëmijët me ose pa çrregullime mendore, shfaqin herë pas here?

Ja disa prej tyre:

  • Çrregullime të humorit ose bipolariteti
  • Impulsiviteti (ADHD)
  • Traumat fizike
  • Dëmtimet në tru( pjesa frontale)
  • Sëmundjet epilektike
  • Skizofrenia
  • Problemet depresive
  • CD( compulsive disorder-Obeziteti)

Të gjitha këto sëmundje janë deri diku të diagnostikueshme nga egzaminimet e hollësishme që mjekët specialiste kryejnë, kurimi, eh, ato të farmakosura ilaçe e çojnë më tej shkallën e dëmtimit të trurit të tyre.

Frustration-dëmtime të lehta të trurit:

Fëmijët me këtë çrregullim kanë vështërësi serioze në procesin e të mësuarit, si rrjedhojë edhe shkak që gjeneron sjellje agresive. Në këte kategori hyjnë edhe fëmijët e quajtur, ‘ Intellectual Impairment-menderisht të dëmtuar’, autizmi, çadra mbështjellëse e këtij dëntimi. Pamundësia dhe paaftësia e tyre për të komunikuar me njerëzit dhe botën që i rrethon gjeneron në sjellje agresive.

Shpresoj, që për ata që e kanë lexuar librin, ”Autizmin e Mesova nga Ju” dhe pas diskutimeve të shumta të bëra këtu, por edhe më gjerë, për një pjesë të mirë eëhtë e qartë se agresiviteti i fëmijëve me autizëm, apo me të tjera çrregullime mendore, në cfarëdo rrethane, situate, vendi, kohe apo ndaj çdo personi që shfaqet nuk është asgjë tjetër, por mënyrë komunikimi.

Shpresoj gjithashtu, që ju që punoni me këta fëmijë e dini që të qarat, të thirrurat, të bërtiturat, të përplasurit e gjërave, të kafshuarit apo të goditurit janë e vetmja gjuhë e tyre për të shprehur nevojat; dhimbjet; dëshirat dhe jo dëshirat e tyre.

Shpresoj gjithashtu, se tashmë edukimi i njerëzve që punojnë me këta femije ka arritur në atë stad, që edhe nëse nuk mund ta eleminojnë plotësisht sjelljen agresive të tyre, të paktën të arrijnë të kuptojnë se çfarë fshihet pas sjelljes, të arrijnë të kuptojnë se cili është shkaku që fëmija reagon në mënyrë agresive. Kjo është kaq e rëndësishme,  është “A”-ja e punës me këta fëmijë.

E di, është kaq e vështirë puna me ta dhe është tejet e vështirë pikërisht kjo hallkë, menaxhimi i agresivitetit të tyre. E di gjithashtu se nga një fëmijë në tjetër varion aq shumë, di që te mosha e fëmijëve që janë në fazën e rritjes/ pubertetit, këto sjellje shpesh dalin jashtë çdo lloj kontrolli dhe bëhen tejet të vëhtira për t’u menaxhuar.

E di, se fillimi i punës me një fëmijë autik është si të shkosh të punosh diku në një vend të botës, që i di veç emrin, nuk njeh gjuhën e atij vendi, as të folur e as të shkruar, madje nuk di as alfabetin e shkronjave, nuk di as zakonet, as traditat, as kulturën e as etikën. Të fillosh punën me fëmijët autikë është si të hidhesh në det për të kapur peshqit me dorë.

Në këtë kontekst, terapistëve, prindërve, cilitdo që punon me këta fëmijë i duhet të bëjë një studim të thellë që ka të bëjë me njohjen e fëmiës, njohje e të gjitha pjesëve të pazzëllit (misterit) të njohjes së një fëmije autik. Pa këtë njohje është diskriminim dhe tallje të thuash që po punoj me një fëmijë autik, pa le të pretendosh se po arrin suksese.

Sa kohë duhet për këtë njohje? Një ditë, një javë, një muaj. Mbase edhe më shumë se kaq, pasi me njohje unë kuptoj jo thjesht njohjen e dobësive apo defiçiteve të aftësive apo jo aftësive të fëmijës. Njohje do të thotë të gjesh të gjitha pikat e dobta, ku do të aplikohen të gjitha strategjitë dhe metodat për të punuar me fëmijën, do të thotë të krijosh kushtet për një klimë ku të dy palët të gjenden ngrohtë dhe rehatshëm dhe kur them ‘ngrohtë/rehat’, nuk kam parasysh kohën e lojës, ku të dy palët luajne dhe gëzojnë, por gjetjen e çelësave që do të përdoren gjatë gjithë terapisë, ku lodhja, stresi, zhurmat, përpalasjet me njëri-tjeterin për të arritur atë që duam janë gjithnjë të pranishme. Ah, m’u kujtuan shuplakat e Julius i cili, sa herë i kërkoja të më emërtonte një objekt, edhe pse ai e dinte emrin, nuk e thoshte, thjesht sepse Julius nuk arrinte ta kuptonte, që unë doja ta thoshte ai me gojën e tij. Kështu që, në vend të më përgjigjej, më jepte një shuplakë, me të cilën po më thoshte, “ po pra, ky është topi, ti sapo e the. Ç’do më nga unë?” Dhe kjo vazhdoi për gati 2 muaj derisa ai arriti ta merrte mesazhin tim.

Children playing with building blocks

Në të shumtën e rasteve sjelljet agresive shfaqen kur fëmija dëshiron diçka që e ka jashtëzakonisht të nevojshme, të dëshirueshme dhe që në një fare mënyrë është bërë i varur ndaj tyre p.sh; një ushqim i preferuar, lordrat e prefruara, si IPad, Iphone, apo të tjera lodra e aktivitete, te cilat variojnë aq shuëe nga njëri fëmijë te tjetri.

Sjelljet agresive mund t’i shohim edhe në situata të tjera si p.sh, kur nuk duan ose nuk mundin të plotesojnë aktivitetin që u kërkohet të bëjnë,  kur nuk munden të thonë a të artikulojne atë që ne u kërkojmë dhe sidomos kur ata nuk arrijnë ta marrin mesazhin e asaj që ne u kërkojmë. Sjelljet agresive shfaqen edhe kur kanë një dhimbje në trup e nuk munden ta shprehin.

Nuk duhet harruar për asnjë çast fakti, që gjatë gjithë kohës se rritjes së tyre, gjatë viteve të autizmit të tyre, ashtu si terapistët përpiqen të gjejnë metodat dhe strategjitë e punës me ta, ashtu edhe vetë fëmijët me çrregullime të spektrit zhvillojnë strategjitë e tyre për të komunikuar me njerëzit rreth tyre, që janë të gjitha sjelljet, veprimet dhe reagimet e ndryshme që ata përdorin për të plotësuar nevojat e tyre më të domosdoshme. Këto sjellje variojnë shumë, nga ato me të kuptueshmet, me zë, me fjalë për ata që janë verbal, e deri te të gjitha veprimet apo sjelljet, shpeshherë krejt të pakuptuara dhe të pashpjeguara, siç janë eccolalia, përplasjet e duarve, qarjet, të bërtiturat, përplasjet e objekteve, ikjet nga zhurmat apo të tjera situata të pasuportueshme, kafshimi i vetes apo të tjereve, sjelljet repetitive/përsëritëse me anë të të cilave shpesh vetërregullojnë çrregullimet dhe sinjalet e “gabuara” të dërguara nga sistemi nervor i trurit.

Shpesh, sjelljet aggresive të tyre janë një kombinim i shumë faktoreve. Një prej tyre është edhe të llastuarit e fëmijëve. Mund të pyesni apo edhe çuditeni tek më lexoni kur them ‘llastime’ dhe në një fare mënyre ju jap të drejtë, pasi llastimet e tyre ndryshojnë aq shume me llastimet që u bejmë fëmijeve normal,  dhe pse në të dy rastet pasojat janë pothuaj të njëjtat, gjenerojne sjellje agressive.

A llastohen dhe nëse po, si llastohen fëmijët autikë?

Thjesht, madje pa e kuptuar fare. Fëmijet autikë, pa përrmendur atë pjesen e keqardhjes apo mëshirës, që disa njerëz akoma i referohen kur bëhet fjalë për fëmijë të tillë, janë aq të dashur, sa me dashurinë e tyre bëjnë për vete jo prindërit, por dhe ata që punojne me ta, këdo që ka dashuri brenda shpirtit. Në këtë kontekst çdo gjë që ata kërkojnë në çfarëdo mënyre, në cfarëdo kohe, terreni a situate, të gjithë janë më shumë se të gatshëm që t’jua plotësojnë nevojat e tyre. Konkretisht, fëmijët jo verbal të kapin për dore dhe të çojnë atje ku ata duan, të tregojnë mbase edhe me gisht atë që duan dhe ne lumturohemi me kaq dhe nese shkojmë më tej, nëse nuk u’a plotësojmë nevojat e tyre ata fillojnë të qajnë apo të përdorin të tjera mënyra për t’i marrë ato që duan, këtu prindërit dhe terapistët dorëzohen, i japin atë që kërkon dhe fëmija njëherësh mori edhe metodën e tij për të kërkuar gjërat, me të qara dhe me të bërtitura. Në këtë mënyrë, pa dashur, ne bllokojmë atë rrugëzën e punës për të nxitur dhe zhvilluar më tej komunikimin, të folurit dhe u hapim rrugë sjelljeve agresive.

Një tjetër problem është edhe puna shumë e paktë dhe e kufizuar me këta fëmije në fushat e motorikës së lehtë dhe të rëndë, puna me muskujt e tyre. Në përgjithësi, edhe këtej specialistet e këtyre fushave bëjnë shumë pak në këtë drejtim. Ndërsa te ju(ne), nëse puna me këta fëmijë ka neglizhim të përgjithshëm në të gjitha fushat; në këto dy fusha neglizhimi është i plotë.  Le të themi diçka më shumë për këtë fushë.

Fëmijët autikë falë problemeve që kanë me fine motor skills (përdorimi i muskujve të vegjël) nuk mund t’i sherbejnë vetes, nuk mund të vetëushqehen, të veshin rrobat, këpucët, të lajnë dhëmbët e të tjera veprime si këto. Prindërit në vend që të punojnë për t’i zhvilluar këto defiçite u’a plotësojnë të gjitha nevojat sërish, duke bllokuar rrugëzën tjetër të punës për zhvillimin e këtyre defiçiteve.

Autikët, kanë probleme dhe vështirësi edhe me gros motor skills dhe ekuilibrimin e trupit. Edhe kjo fushë mbetet nën hije, si fushë e dorës së dytë apo të tretë, para asaj që tashmë është quajtur si thembra e Akilit të fëmijëve me autizëm, të folurit. Sikur ta dinit sesa i rëndesishëm është sporti, noti e të tjera sporte dhe ushtrime fizike për këta fëmijë.

Përse i përmenda këto dy fusha, ndërkohë që po flas për sjelljet agresive? Fare thjesht; nëse fëmijët me autizëm do të jenë të angazhuar në aktivitete të shumta sportive, do të thotë që koha e tyre është më e mbushur, do të thotë më shumë produktivitet në terapinë me ta dhe më pak kohë e vdekur, kohë që e pranojmë ose jo, pjell mërzi, obezitet, shtim artificial në peshe, stres, ankth e për pasojë në mënyrë të pashmangshme gjenerim të sjelljeve agresive.

Fëmijët me aftësi të kufizuara, kur nuk arrijnë të shprehen për diçka, qajnë dhe kjo është krejt normale për një fëmije autik, prindi apo terapistja, në vend që të punojnë që fëmija të shprehet qoftë edhe me të treguar me gisht, vrapojnë t’i japin atë, duke e bllokuar përsëri mundësinë e zhvillimit të të folurit të tyre.

Fëmijët bëhen të varur ndaj disa ushqimeve apo disa lodrave dhe nëse nuk u’a jep, fillojnë e qajnë. Edhe kjo normale për një fëmije autik, prindërit duke u gjendur të dobët para tyre u’a japin, pavarësisht pasojave negative të tyre dhe fëmija e bën metode pune këte, sa herë që prindi/terapistja nuk ia jep atë që kerkon përdor mënyren e tij të komunikimit, qan dhe shpërthen në sjellje agressive.

Problem tjetër, madje një nder më të vështiret për t’u menaxhuar dhe që e rrit ndjeshëm kurbën e sjelljeve agresive te femijët autikë është ndjeshmëria tejet sensitive ndaj zhurmave; ndjeshmëria ndaj dritës dhe ndjeshmëria e të prekurit. Intoleranca ndaj tyre sjell vështirësi të jashtëzakonshme të këtyre fëmijëve për të vetëkontrolluar gjendjet e tyre, si pasojë e reagimeve të fuqishme të ngacmuesve dërguar nga sistmi nervor.

Një tjetër problem i fëmijëve me autizëm është edhe sistemi imunitar:

Siç e dimë, autiket kanë një sistem imunitar mjaft të dobët dhe një metabolizëm krejt të çrregullt; Thuhet se veç të tjerave, poret e zorrëve të tyre janë mjaft delikate. Nëpërmjet këtyre poreve derdhen helmet e ndryshme të ushqimeve dhe një pjesë kalojnë në gjak. Kuptohet që gjaku furnizon trurin ndaj kjo mund të jetë një ndër shkaqet e shpërthimeve të menjëhershme agresive, atyre shpërthimeve që shpesh mbeten pa emër e pa shpjegim.

Cilat janë disa nga situatat e lindjes së sjelljeve agresive:

Agresiviteti, në të shumtën e rasteve ndodh kur fëmijet kërkojnë lojën, lodrën, apo ushqimin e preferuar, ndaj të cileve janë shumë të varur.

Si duhet të veprojmë për menaxhimin e këtyre sjelljeve?

Përcakto që më par se me çfare mënyre femija do ta kërkoje objektin/lodrën/ ushqimin që ai kërkon;

  • Me fjalë
  • Me shenja
  • Me figura
  • Me (mjet elktronik)

Përcakto dhe mbaj gjithnjë gati objektin/lodrën/aktivitetin që fëmija pëlqen dhe largoje, fshihe diku me qëllim që fëmija të mos ketë akses, të mos luajë me të gjate kohës së lirë. Pra ai objekt apo lodër të përdoret vetëm kur je duke bërë mesim dhe i jepet vetëm kur fëmija plotëson aktivitetin që i është kërkuar, thotë me fjalë, gjeste apo mjet elektronik atë që kërkon, atë që do, qetësisht.

Kujdes, në këto raste sjelljet agresive kanë kurbën më të larte për faktin se fëmijet nuk kanë durimin të presin qoftë edhe për disa sekonda. Ndaj, nëse nuk ia jepni shpejt atë që duan fillojne me të qara, bërtasin me zë të lartë e të tjera sjellje, të cilat duhen konsideruar si të papranueshme por, lodra/objekti/ushqimi nuk jepen derisa agresiviteti i fëmijës të jetë ulur e fëmija të jetë më i qetë. Nese ju e keni lejuar fëmijën, qofte edhe njëherë të vetme që ta marrë objektin/ lodrën kur qan/ bërtet/ përplas gjerat, atëherë është tejet e vështirë ta ndryshosh, ta korrigjosh por jo e pamundur. E keni parasysh parimin pedagogjik, “më shpejt mësohet një koncept i ri sesa korrigjohet një koncept i mësuar gabim”.Të ‘edukosh’ fëmijën me tolerancën e pritjes është një objektiv më vete, mjaft i rëndësishëm.

Që kur fillohet puna me fëmijen, paralelisht me të tjerë objektiva, duhet të punoni edhe për këtë objektiv; për rritjen e kohës së pritjes për marrjes së objektit/ushqimit/lodrës. Filloni fillimisht me disa sekonda 1-2-3-4- 10-20-30, e deri sa të shkoni në një minutë kohe pritje.

Fillimisht mund të filloni me përplasje duarsh, më pas me të numeruar deri në 10-20-30 dhe së fundi me matjen e kohës me mjete vizuale(telefonet e kane këtë opsion). E gjitha kjo bëhet se pari, për të ulur agresivitetin dhe së dyti, për ta edukuar fëmijën me edukatën (toelrancën)e të priturit të marrjes së gjërave.

Si duhet të veproni konkretisht në momentin e agresivitetit të fëmijës?

Masat paraprake:

  • E para gjë që duhet të bëni është që të largoni gjërat/objektet/ që fëmija mund t’i përdorë dhe me to mund të dëmtoje veten edhe ju/personin që është me të.
  • Izolojeni (dërgojeni)fëmijën në një vend ku nuk ka rrezik vrasjeje apo ikje nga vendi ku është.
  • Në momentin e shfaqjes se sjelljes agresive, personi me të cilin ishte fëmija në fillim, ai/ajo, do t’i ndjekë të gjitha procedurat deri në uljen e agresivitetit. Asnjë person tjetër nuk duhet të ndërhyjë për ta qetësuar fëmijën, edhe nëse personi tjetër është me i aftë apo më i dashur për femijën. Të tjerët mund dhe duhet të qëndrojnë indiferent plotësisht dhe mund të ndërhyjnë vetem në raste kur agresiviteti /sjellja e fëmijës bëhet e pakontrolluar.
  • Kjo vlen sidomos për prindërit dhe gjyshërit, dy qëndrime të kundërta janë shumë të dëmshme dhe e bëjnë fëmijën konfuz.
  • Edhe në këto raste këshillohet që personi/personat e tjerë duhet vetëm të ndihmojnë në mbajtjen e duarve apo të tjera masa për të parandaluar dhe mbrojtur fëmijen nga goditjet, apo t ëtjera rreziqe. Në asnjë mënyrë personat e tjere nuk duhet të ndërhyjnë për ta marrë fëmijen me të mira, me përkëdhelje apo duke e larguar nga vendi dhe nga personi që ishte më parë.

E gjitha kjo bëhet që fëmija të kuptojë/ të dijë se të gjithe njerëzit që janë rreth tij e duan dhe po kujdesen për të njësoj ndaj edhe ai/ajo duhet t’u bindet e ti dëgjojë të gjithë njëlloj.

Si të menaxhojmë këtë sjellje agresive?

  • Qëndro i/e qetë, që do të thotë mos u alarmo. Alarmimi i terapistit apo prindit, rrit nivelin e agresivitetit të fëmijes akoma më shumë, e përkeqëson situatën.
  • Shikoje drejt e në sy dhe me një zë të prerë thuaj “Jo” nuk do ta marresh tani atë që ti kërkon! Të thashë njëherë.
  • Pas këtij momenti mos i kushto vëmendje, mos e shih në sy. Më shumë ta shohësh, më shumë do të thërrasë/ulurasë, më shumë vëmendje do të kërkojë.
  • Blloko agresivitetin. E thamë edhe më lart,  largo objektet e rrezikshme e njëherësh, nëse fëmija përdor duart apo të tjera sende për të qëlluar bllokojeni. Shëndeti, më së pari.
  • Numëro deri në 10 sekonda me mendje, jo me zë.
  • Përsërite numërimin edhe njëhere tjetër, derisa niveli i agresivitetit të bjerë. Nëse fëmija është qetësuar pyete qartë:Çfarë do? Nëse fëmija përsëri qan dhe e kërkon atë që do me të qarë, rifilloni nga e para, numëroni deri ne 10 sekonda. Kujto se objekti/lodra/ushqimi duhen dhënë vetëm kur fëmija ështe i qetë dhe e kërkon atë qetësisht.

Si të veprojmë kur fëmija kërkon diçka dhe atë nuk duhet t’ia japim për momentin?Gjatë ndërhyrjes për menaxhimim e sjelljes agresive mund të ndiqni këto strategji:

  • Ana, më vjen keq, por nuk mund të ta jap Ipad në këtë moment. Të thashë “Jo”.
  • Ose, nuk mund të të jap çokollatë, por mund të të jap luleshtrydhe/mollë/biskota.
  • Do të luash / do ta marrësh Ipad, por më parë le të përfundojmë këtë(një aktivitet të vogël ose edhe një përgjigjie të një pyetjeje).
  • Pavarësisht ndërprerjes nga agresiviteti i  fëmijës, vazhdo punën me fëmijën pa e nderprere apo ndryshuar aktivitetin që jeni duke punuar. Ndryshe, fëmija do ta perdore agresivitetin si metodë sa herë nuk i plotësohen nevojat/dëshirat apo sa herë nuk i pëlqen të punojë.
  • Mos harro, kur fëmija shpërthen në të qara apo të tjera forma agresive, duhet të largosh objektin e dëshiruar nga tavolina apo vendi ku jeni duke punuar. Ne raste të tilla, fëmija, sa më shumë kontakt të ketë me objektin/lodrën/ushqimin, aq më shumë ngacmohet për ta patur.
  • Kur fëmija qetësohet nga agresiviteti, komplimentojeni duke i thënë: “ bukur, tani mund të më thuash me fjalë/shenja/figura se çfare do. Po, do të ta jap sapo të mbarojmë ( aktivitetin).
  • Mos harro të ruash qetësinë, mos i jep fëmijës të kuptojë, që ti je e shqetesuar për çfarë po ndodh.
  • Në momentin e kulmit të agresivitetit, mos bëj asnjë lloj diskutimi për sjelljen e tij/saj. Thjesht vazhdo punën që ishit duke bërë.
  • Mos e shih në sy, sidomos kur është në situatë kritike.
  • Largoje/bllokoje objektin e dëshiruar.
  • Vazhdo të luash/bësh/plotësosh aktivitetin dhe përpiqu ta bësh sa më të pëlqyeshëm mësimin, lojën.
  • Mund të flisni me fëmijët/njerëzit e tjerë që ndodhen aty për problem të ndryshme, por pa u shkëputur për asnjë moment nga puna dhe kontakti me fëmijën dhe punën/aktivitetin që po bëni.  Kjo do të thotë, injorim i plotë i sjelljes agresive për arsyet që thamë.
  • Pas 10 sekondash kohë qetësie dhe pa sjellje agressive, vazhdoni të përfundoni aktivitetin dhe vetëm kur ta  ketë përfunduar dhe ta kërkojë objektin/lodrën ne mënyrën që ne duam, qetësisht, vetëm atëhere jepja.

Tranzicioni është një tjetër situatë që gjeneron sjellje aggresive:

Kur i kërkojme të bëjë diçka të re, një aktivitet tjetër, të shkojmë në një ambient tjetër, të luajmë, zhvillojme terapi me dikë tjetër psh, të bëjë dush me një tjetër person në shtëpi, të zhvilloje art, fiskulturë me një mesuese tjetër, të luajme me top në një ambient tjetër, të hajë një ushqim që nuk e pëlqen ose që i pëlqen me pak, por që është i ushqyeshem. Kjo është një tjetër situatë që fëmijët me autizëm shfaqin shumë vështirësi. Pra, adaptimi, përshtatja me ndryshimet, që ndryshe quhet tranzicion si p.sh, kalimi nga një aktivitet në një tjetër, nga një vend, dhome/klasë në një tjetër, nga puna me një mësues/terapist /prind, te një tjetër.

Si veprohet konkretisht në këtë situatë?

  • Vlerëso situatën që do të thotë, mendo për llojin e aktivitetit/ vendin ku do të zhvillohet dhe personin që do të jetë me fëmijën, është me i lehte apo më i vështirë; vendi apo personi, është më i dashur apo më pak i dashur?
  • Bëj gati objektin/lodrën që do të  përdoret si stimul duke ia bere të qarte femijës;  do të  shkojmë ….do të bëjmë…. dhe pastaj do të luash me Ipad.  Aplikohet parimi/strategjia bëj diçka, që të fitosh diçka. Kurrë mos e përdorni versionin negativ p.sh: Nëse nuk bën ketë nuk do të luash me Ipad; të kundertën po; bëj këtë___ dhe pastaj do të luash me ipad/iphone.
  • Parapërgatite fëmijën për aktivitetin e  ardhshëm duke i thënë: Ana, edhe 2 minuta dhe do të shkojmë të bëjmë aktivitetin e radhes.
  • Jepi fëmijës (nëse është në grup) më shume kohë për t’u ingranuar në atë aktivitet apo qoftë edhe per t’u bërë gati për aktivitetin tjeter.
  • Parapërcakto cilat janë disa nga vështirësitë që fëmija shfaq, vendi ku do të shkoje, personi me të cilin do të punojë, aktiviteti që do të ingranohet dhe përpiqu t’ia lehtesosh por, pa ia bëre të qarta fëmijës.
  • Kur jepni udhëzimet; kur i drejtoni pyetjen apo çfarë do gjeje që i kerkoni të bëjë, bëni shumë kujdes që ju ta shihni drejt e në sy dhe njëherësh fëmija të jetë i fokusuar te ju. Nëse nuk jeni i sigurtë që fëmija ju ndjek mos flisni derisa të  siguroheni për këte. Kujdes bëni në kohën që duhet t’i jepni fëmijes për përgjigjen.
  • Mos harro një fëmije ka aq vështirësi në  gjetjen e rrugës për ta dërguar informacionin në tru, i duhet kohë për ta organizuar e përzgjedhur përgjigjen në atë lëmsh informacionesh të ngatërruara, e më pas ta formuloje për t’jua thënë ju.
  • Tregoi obejektin e dëshiruar duke i thënë: sapo ta mbarosh do të luash me ipad pra, në fillim bëj këtë pastaj do të luash me lodrën.
  • Jepi kohën e duhur dhe mbase edhe ndihmen e duhur për të kryer aktivitetin.
  • Inkurajo çdo përpjekje të fëmijës për të plotësuar aktivitetin apo dhënë përgjigjien.
  • Nëse gjatë tranzicionit  ka reagime agresive, ndiq këto këshilla të cilat jane pothuaj të njëjta për çdo sjellje agresive
  • Qëndro e qetë.
  • E gatshme për të mbrojtur fëmijen nga goditjet apo të tjera sjellje agresive.
  • Blloko/largo lodrën që fëmija pëlqen.
  • Blloko agresivitetin e fëmijës.
  • Mos e shih në sy.
  • Përsërite pyetjen/kërkesën çdo 5 seonda, derisa fëmija ta plotesojë/thotë atë që i kërkohet.
  • Përdor ndihmën fizike, nëse është e nevojshme p.sh, nëse i kërkoni fëmijes të bëje dush, atëherë përdorni jo forcën, por ndihmën që fëmija të orientohet për te dushi.
  • Stimuloje në fund, por jo plotësisht.  P.sh, i thua fëmijës që nëse do ta bëje atë që të kërkova në kohë dhe pa bërtitur/qarë, do të luaje 5 minuta me ipad, tani do të luash vetëm dy minuta.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top