Jam 57 vjeçe dhe kam tre fëmijë. Kam dy vajza, e madhja që është e martuar, dhe të voglën në shtëpi 24 vjeçe, si dhe një djalë 20 vjeç. Ata grinden vazhdimisht, qëkur kanë qenë të vegjël. Ai i ngre zërin dhe e kritikon për nga mënyra se si vishet, me kë shoqërohet, se çfarë duhet të bëjë, ndërsa ajo nuk e toleron. Vajza tashmë është në marrëdhënie pune si operatore telefonike, kurse djali vazhdon universitetin. Unë dhe bashkëshorti përpiqemi t’u flasim të dyve mënjanë, por djali bën përsëri ç’i thotë koka.
Përgjigjie: Nuk është shumë e këndshme të shikosh fëmijët tuaj që grinden thuajse çdo ditë. Përgjithësisht, motrat dhe vëllezërit, sidomos kur janë pranë në moshë, grinden midis tyre. Në psikologji, kjo është parë si “rivaliteti midis motrave dhe vëllezërve”. Thuhet se vëllezërit që janë më të vegjël mendojnë se ata më të rriturit mund të kenë gjithçka që duan, madje dhe respektin e prindërve, e mund të bëjnë çfarë t’u dojë qejfi, ndërsa ata që janë më të mëdhenj mendojnë se më të vegjlit kanë gjithnjë vëmendjen e prindërve, qëkur kanë pritur në familje ardhjen e tyre në jetë. Të rriturit xhelozohen dhe kërkojnë me ngulm që të jenë aq të vegjël sa ata. Ndaj fëmijët, kur vjen vëllai apo motra e tyre e vogël, kërkojnë të pinë nga sisa e nënës apo nga biberoni i bebit, apo të mbahen në krah si bebe.
Sipas studimeve psikologjike, kjo sjellje duhet shpërblyer, që fëmija të mos ndihet i përjashtuar. Kështu, në këtë rivalitet, ka vend për shumë argument për t’u grindur dhe me kalimin e moshës grindjet marrin natyra të ndryshme. Kur rriten, fëmijët shikojnë pikat e forta dhe të dobëta te vetja e tyre e te vëllezërit dhe, për të kompensuar pikat e tyre të dobëta, vënë në pah ato të vëllezërve: “pse kjo veshje?!”, “ku i ke gjetur këta shokë?!” etj. E vetmja gjë që prindërit duhet të bëjnë, është të sigurohen që nuk i kanë ngarkuar përgjegjësinë fëmijës më parë që të merret me motrën e tij, pra të kujdeset dhe mbi të gjitha të sigurohen që fëmijës t’i vendosen rregulla në mënyrë të vazhdueshme dhe t’i kërkohet llogari për detyrat që priten prej tyre, duke mos rënë në grackën e kompensimit që fëmijët manipulojnë të bëjnë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.