Posta

June 8, 2017 | 10:07

POSTA/ Vjehrra e nxjerr inatin tek ime bijë

1

Kam 6 vjet që duroj lloj-lloj gjërash nga vjehrra ime. Asnjëherë nuk ia kam kthyer me të keq. Kësaj rradhe nuk mund t’ia fal. Shan dhe ofendon nëpër shtëpi, kur nuk i kushtoj rëndësi, kthehet dhe ofendon vajzën time 4- vjeçare.

 E kam qëlluar ndonjeherë vajzën, e di që është gabim, por e kam qëlluar, s’e mohoj, por ajo rri duke i thënë vajzës: të ka bërë mami për psikolog. Mos m’u afroni, – u thotë kalamajve, – se ju mbyt mami juaj, – në një kohë që kurrë nuk ia kam ushqyer as djalit, as vajzës mendjen për keq ndaj gjyshes së tyre. Nuk e kuptoj këtë njeri, kapet me një kalama 4 vjeç duke i thënë: e poshtër, sherr i madh je, etj etj. Çfarë të bëj aman? Vajza nuk është fëmijë i tillë. Është një fëmijë që vuan për vëmendje, por nuk është e keqe. Faleminderit!

 

Përgjigje:

Adelina Pjetra, Psikologe Klinike & Terapiste EMDR

Adelina Pjetra, Psikologe Klinike & Terapiste EMDR

Nuk e kuptoj realisht për çfarë po kërkon ndihmë, për marrëdhënien tuaj me vjehrrën, për marrëdhënien e gjyshes me mbesën/nipin apo për marrëdhënien tuaj me vajzën? Pasi të tria këto më duken problematike.

Të gjitha janë të lidhura zinxhir me njëra-tjetrën. Dhe duke u nisur nga rëndësia dhe domosdoshmëria, do ju sugjeroja t’i kushtonit më tepër kohë fëmijëve tuaj sesa fjalëve apo ankesave të vjehrrës. Fakti që vjehrra thotë: Mos hajdeni pas meje se ju mbyt mami, do të thotë që mbase ju i jepni më shumë se një shuplakë femijëve. Dhe duke u sjellë kështu me fëmijën tuaj, nuk e kuptoj çfarë rëndësie më madhore mund të kenë fjalët e vjehrrës? Provoni të ndryshoni ju, që të shikoni rezultat nga të tjerët. Por edhe në qoftë se nuk e shikoni këtë rezultat, të paktën do përfitojnë fëmijët, duke u rritur me dashuri dhe pa dhunë.

Ju vetë thoni: vajza vuan për vëmendje, por nuk është e keqe …

Vëmendjen dhe përkushtimin parësor duhet ta ketë nga ju dhe bashkëshorti juaj, që ajo mos ta plotësojë këtë mungesë me persona të tjerë.

Edhe pse dashuria për gjyshet është diçka shumë më shumë se një kërkesë për vëmendje. Fjalët e gjyshes ndaj fëmijës vërtetë nuk janë ato të duhurat, por me pak takt dhe ndërhyrje nga ana juaj mund të zbuten dhe të ndryshojnë për mirë.

Bashkëjetesa me ndryshime të mëdha brezash sjell shpesh konflikte në familje, në pamundësi për të jetuar çdo familje bërthamë në shtëpi të ndryshme, atëherë ju mbetet të gjeni të mesmen e artë mes jush.

Ju uroj më të mirat!

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top