Posta

November 28, 2017 | 9:10

POSTA/ Vuaj mungesat e tim biri

Përshëndetje. Jam një nënë nga Tirana. Për momentin jetoj jashtë vendit. Kam një djalë që në muajin prill bëri 6 vjeç. Ka një vit që jemi shpërngulur nga vendi dhe djali im e përjetoi jo shumë mirë largimin. Ndryshoi totalisht sjellje. U bë agresiv dhe çdo gjë që kërkonte, e nxirrte me të qara. Pas tre muajve filloi të qetësohej e nisi kopshtin. Pavarësisht të gjitha këtyre, kam një problem tjetër me të. Nëse shkojmë diku ku ka internet, nuk ka njeri në botë t’ia heqë telefonin nga duart. Shikon lojëra e po ta lësh rri me orë të tëra. Mua nuk më pëlqen ky fakt, është i dëmshëm normalisht. Nuk di çfarë në mënyre të punoj me të për t’ia hequr këtë ves. Dhe e dyta gjë që më shqetëson, është fakti se çdo ditë kur kthehet nga kopshti, im bir sjell nga një vizatim dhe në të gjitha punimet është nëna, gjyshi, unë, im shoq, shtëpia në Shqipëri dhe kjo këtu ku jemi ne të tre. Jam shumë e shqetësuar. E shoh që i mungojnë gjyshërit. Do e vlerësoja pa masë përgjigjen tuaj. Ju faleminderit.

 

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Përshëndetje e dashur nënë!. Ju falënderoj që më keni shkruar, pasi ky është një shqetësim që e kam hasur edhe me prindër të tjerë të larguar, dhe mbase kështu mund t’i vijmë sadopak në ndihmë edhe atyre. Ka kaluar vetëm një vit nga shpërngulja juaj jashtë vendit. Kemi të bëjmë me një sërë ndryshimesh, të cilat kanë ndodhur jo vetëm për djalin tuaj, por mbi të gjitha edhe për vet ju. Në tërësi ka ndryshuar stili juaj i të jetuarit. Në një vend që nuk është i juaji, do të duhet padyshim të bëni një punë akoma më të madhe që të përshtateni ju me ambientin dhe jo ambienti me ju. Në këtë rast, kemi të bëjmë jo vetëm me largimin nga vendi fillestar, por edhe nga vendi, shteti në tërësi ku kanë ndryshuar: gjuha, zakonet, reflekset e jetës së përditshme, puna, pritshmëritë, të cilat jo gjithmonë janë ato që mund të keni parashikuar. Pra, stresi rritet në të këtilla rastesh, dhe kjo nuk është e lehtë për ju. Edhe fëmijët janë pjesë e këtij stresi emocional, pasi humbet pragmaticiteti i një rutine që fëmijët e kanë shumë me qejf në vitet e para të jetës. Fëmijët lidhen shumë me miqtë dhe në moshën parashkollore, kur fëmijët ndahen çunat me çunat dhe gocat me gocat në socializim, fillojnë të zënë edhe shokë të ngushtë. Nga ana tjetër, gjyshërit janë një burim aktorësh socializues të pazëvendësueshëm dhe nëse kanë qenë aktivë në jetën e fëmijës, mungesa është e përjetueshme. Vështirësia qëndron te menaxhimi. Nuk e di se si është jeta juaj atje, por është e rëndësishme që ju të mund të organizoni një axhendë vjetore, t’i tregoni djalit tuaj se ata do t’i shohë hera-herës në “X” periudha të vitit. Krijoni mundësi që të flasë me ata në një rutinë ditore, çdo mbrëmje, me video kamera elektronikisht. Sot ka shumë mundësi që mund të reduktojnë sadopak ankthin. Nëse është e mundur që gjyshërit të vijnë heraherës ta takojnë do të ishte gjithashtu një zgjidhje e mirë. Ekspozojeni ndaj situatave sociale, të cilat mund t’i krijojnë mundësinë të zërë miq të rinj. 

Fëmijët gjithashtu harrojnë shpejt, por emocionet janë aty, të fshehura dhe kujtohen me mall dhe me nostalgji. Sa për internetin, ai është pjesë e këtij brezi ku të gjithë i sheh me mjete elektronike në duar, dhe ai do të ketë tendencën që të imitojë brezin që i përket. Jepini mundësi që ta përdorë internetin, por ju jeni ata që e kontrolloni. E kuptoj që mund të jeni të ndjeshëm që i mungon vendi, njerëzit dhe i shpreh ato me vizatime, por fëmija do të duhet edhe të mërzitet dhe të pranojë që JO është JO dhe se do të duhet të përshtatet me rregullat. Pra, mos kini frikë që ju mërzitet fëmija, apo se qan; oraret do të duhet të jenë të përcaktuara për të ndjenjur në internet dhe ky i fundit do të duhet të jetë shumë i kontrolluar. Vizatimi është një mënyrë mjaft terapeutike për të shprehur ndjenjat, emocionet, arti në përgjithësi në fakt, por vizatimi është më vizual dhe prek gjithashtu edhe shqisa të tjera. Lëreni të shprehet dhe ndani me të çiltërsisht përmbajtjen e vizatimit. Mos kini drojë, fëmija mund të ketë mungesa dhe mund t’i tregojë ato në vizatim. Miratojani ato dhe kuptojeni se pse ai i ka bërë. Kështu të dy do të mund të pranoni ndjenjat dhe fëmija do të ndjehet se ky proces është normal dhe i përballueshëm, madje i mirëmenaxhuar nga ai.

To Top

Powered by themekiller.com anime4online.com animextoon.com apk4phone.com tengag.com moviekillers.com