Posta

March 26, 2017 | 10:05

POSTA / Vuaj nga paragjykimet ndaj tim biri

outdoor portrait of happy mother and son

Foto Ilustruese

Përshëndetje. Desha të ndaj një shqetësim me ju që dita-ditës po më shkatërron edhe më shumë. Kam një djalë 2 vjeç e 7 muajsh. Dhjetë muajsh filloi të fliste mam, bab, nan, daj. Pastaj u bë një vjeç dhe filloi të tregonte për të dalë në banjë. Çfarë t’i thoshe, mundohej ta përsëriste. Filloi dhe eci. Kisha shkuar për pushime në Shqipëri, të gjithë u kënaqën se eci atje. Po pastaj u kthyem përsëri në Itali. Djali filloi të m’i rrallonte krejt fjalët, sa arriti të mos më thotë më asnjë. U shqetësuam. E çuam te pediatria, më thanë është bllokuar. Në rregull. Kështu vazhdoi 6 muaj. Filloi të fliste prapë mam, bab. Erdhi një moment u bllokua prapë, po kësaj radhe më keq, s’fliste, s’donte të rrinte me fëmijë. Erdhëm këtë verë në Shqipëri. As fliste, as rrinte me fëmijë, veç me ne. Filluan të ma paragjykojnë, të ma shanin, ma shtynin të gjithë nga familja e burrit përveç kunatit që e donte dhe merrej me të. U ndjeva shume keq  dhe gjithmonë ma thonin mbrapa krahëve të burrit. Ai s’e di, se konfliktohet po të dëgjojë se flasin kështu. Unë e kaloj shumë mirë me të.

U riktheva në Itali. Atë ditë, djali m’u sëmur shumë keq me të vjella, diarre, aq sa arriti të bëhet me hidrocele ( ujë në vete ose ndryshe dhjam). Ndenji tre muaj kështu se duhej të prisja radhën te spitali, s’më morën shpejt. Arriti u bë shumë nervoz, s’fliste. E operova. Për fat çdo gjë shkoi mirë. Por unë vetë fillova të hyj në depresion, se të gjithë më thoshin, i ke fajet ti, s’ke ditur ta rrisësh. Dhe për të folurën ti e ke fajin. Është autik, ka ngjarë nga ti se ne s’kemi kështu. Dhe unë nuk kam u thosha. Kam dy muaj që kam filluar të kem mpirje mbas koke, gjak prej hundësh deri në 10 herë në ditë. Dhembje në të gjithë nyjet, sa mezi eci. Më kanë thënë mjekët se e ke nga stresi. Mundohu të qetësohesh se do shkojnë keq gjërat.

Djalin e kam çuar në çerdhe, ka një javë, por nuk është se luan me fëmijë të tjerë. Kur shkoj ta marr s’do të vijë, i pëlqen të rrijë. Më jepni një mendim për djalin dhe si mund te dal nga ky stres?

 

Imo Alikaj     Psikologe klinike Terapiste ABA Terapiste EMDR niv.1 Animatore sociale

Imo Alikaj
Psikologe klinike
Terapiste ABA
Terapiste EMDR niv.1
Animatore sociale

E dashur nënë përshëndetje!

Fillimisht mund t’iu them se mosha 2 vjeç e gjysmë apo mosha 3 vjeç është mosha kur fëmijët fillojnë të përvetësojnë fjalorthin e tyre të pasur. Fillojnë të ndërtojnë fjali të thjeshta dhe madje mund t’i vendosin foljet në kohën e duhur, kuptojnë pothuaj çdo komandë si edhe mund t’u përgjigjen pyetjeve të thjeshta. Ndërkohë që në aspektin socio-emocional është e rëndësishme të theksojmë se në moshën 2 vjeç e gjysmë fëmijët nuk janë shumë të prirur t’i ndajnë gjërat me moshatarët, por më së shumti preferojnë lojërat imagjinare. Prandaj është e rëndësishme të vëzhgohet përpos të gjithave si luan djali juaj me lojërat e veta? Pritet që ai të bashkëveprojë me bashkëmoshatarët më cilësisht pas moshës 3 vjeç. E megjithatë, gjithçka ju keni cilësuar më sipër; faktin që ai nuk flet, nuk kërkon, nuk shkon në tualet i pavarur dhe ç’është më e rëndësishmja; faktin që ka bërë një hap mbrapa në ato që ka ditur më parë, flasin për shenja të një problematike në zhvillim.

Prandaj do t’ju rekomandoja t’i bëni një vlerësim djalit tuaj për të kuptuar problematikën, por edhe strategjinë e duhur të ndërhyrjes për të cilën djali ka nevojë. Në këto momente më shumë se fjalët paragjykuese apo etiketat e thëna nga kushdo, është e rëndësishme ndërhyrja profesionale. Mosha e djalit, 2 vjeç e gjysmë, është premtuese për rezultate pozitive nëse problemi i tij do të trajtohet, kështu që mos humbni kohë, mos lejoni të bëhet vonë. Gjithashtu, duhet të keni parasysh që gjithmonë një trajtim efikas kërkon një bashkëpunim të ngushtë dhe cilësor prind-terapist.

Ajo çfarë ju mund të bëni si prind, veçse të kontaktoni një profesionist, është të luani, të stimuloni dhe të nxisni bashkëveprimin me djalin tuaj. Ndoshta ai ka nevojë thjesht për një stimul më të fuqishëm ose ka nevojë për “udhëzime” më praktike. Duhet të keni parasysh që edhe të qenit mes dy vendesh dhe dy gjuhëve për fëmijët është një sfidë, e cila herë pas here nuk kalon lehtë, shtuar këtu edhe stigmatizimit të të tjerëve. Të gjitha këto janë faktorë rëndues për situatën.

Por, nga ana tjetër unë e ndjej të nevojshme të jem e sinqertë me ju dhe është po kaq e rëndësishme që ju të jeni e sinqertë me veten tuaj.

Ju ndodheni në një gjendje shumë të rënduar psikologjike, aq sa veç humorit të rënë, po vuani edhe simptoma fizike. Dhimbjet që ju keni në kokë, në kyçe dhe në këmbë, flasin qartë për një stres të fuqishëm emocional. Këto dhimbje më tregojnë se ju po prireni gjithnjë e më shumë që të zini kohën tuaj me diçka dhe po mblidhni rreth vetes stres dhe negativitet të panevojshëm, jeni duke e mbyllur veten gjithnjë e më shumë dhe nuk e lejoni të marrë kënaqësi nga asgjë.

Shtrirja e këtyre dhimbjeve në një hark kohor prej dy muajsh, por edhe intensiteti dhe shpeshtësia e këtyre shqetësimeve, të cilat po ndërhyjnë ndjeshëm në funksionimin tuaj të përditshëm, tregojnë për nevojën e një ndërhyrjeje emergjente. Dhimbja kronike, e cila shkaktohet nga stresi emocional, “shërohet” vetëm nëse ky stres emocional trajtohet nga profesionistë të shëndetit mendor.

Nuk është e lehtë për një prind të përballet me problematika të zhvillimit te fëmijët e vet dhe aq më tepër kur në raste të tilla nuk ka mbështetje, por gjykohet dhe sulmohet nga të tjerë të afërt. Mos i neglizhoni këto simptoma, por flisni me burrin tuaj dhe kërkoni ndihmë më specifike nga një psikolog. Ndërkohë ju mund ta ndihmoni veten tuaj sadopak, duke i lënë pak momente të qeta në ditën tuaj, të bëni diçka të bukur dhe të përbashkët me familjen dhe të lini jashtë çdo gjë që vjen te ju së jashtmi, ta lejoni veten tuaj të provojë të kënaqet edhe me gjëra shumë minore. Jeta, sido që të vijë, duhet jetuar,duke u fokusuar më shumë te gjithçka pozitive që na ka falë.

Ju uroj gjithë të mirat.

 

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top