Në fokus

October 6, 2016 | 8:59

Pozitiviteti mbështet sistemin imunitar

Misioni i saj është sa human, po aq i vështirë në kushtet me të cilat përballet çdo ditë. Gjithherë e buzëqeshur, e ndoshta dhe me kast. Një arsye e ka. Ajo është ilaçi që shëron emocionet e tyre në ditë jo të zakonta për të tjerë, që kanë një jetë normale. Misioni ka përgjegjësi, por do edhe shumë motivim. Falë butësisë karakterizuese dhe ëmbëlsisë çlodhëse, ajo di të përçojë mesazhe të qarta për jetën, për vështirësitë ku gjenden pacientet e saj dhe forcën e shërimit, për gjërat e bukura dhe ata që i duam në këtë jetë. Isida Lalaj prej disa vitesh është psikologe në shërbimin Onkologjik në QSU “Nënë Tereza”. Ditët e saj janë të ngjeshura, jo vetëm në takimet bashkëbiseduese me pacientet e saj, por edhe me të afërmit e tyre. Gjithçka funksionon si terapi grupi për t’i ardhur në ndihmë shërimit të plotë psikofizik të së sëmurës. 

Nga: Isida Lalaj Psikologe Këshillimi

Nga: Isida Lalaj
Psikologe Këshillimi

Si psikologe, ju ndesheni çdo ditë me raste të pacienteve femra që u nënshtrohen dyerve të spitalit onkologjik për t’u trajtuar nga sëmundja në fjalë.

Së pari, dua të prezantoj rolin e psikologut në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në shërbimin Onkologjik, që është mjaft i rëndësishëm dhe ka si qëllim primar mbështetjen emocionale të pacientit si pjesë e pandashme e mirëqenies së tij psikologjike. Psikologu kujdeset për trajtimin e problematikave psiko-sociale dhe rehabilitimin e pacientëve të prekur nga patologji tumorale. Pacientët e sëmurë shoqërohen me emocione intensive, të cilat kërkojnë një proces përshtatjeje, ndërgjegjësimi dhe aftësimi sipas kushteve fizike të tij, duke i ofruar mbështetje dhe këshillim psikologjik përgjatë të gjitha fazave të zhvillimit të sëmundjes. Psikologu i vjen në ndihmë dhe orienton familjarin e pacientin në ofrimin e mbështetjes së nevojitur, duke kontribuar drejtpërdrejt në përmirësimin e kualitetit të jetës së këtyre pacientëve.

Sa e vështirë është përballja e të sëmurëve me diagnozën dhe sa jua bëni të lehtë praninë aty?

Për sa i përket përballjes së tyre në dyert e Onkologjikut, është normale që për ta të jetë shumë e vështirë. Frikë, pasiguri, konfuzion, ankth, mbyllje në vetvete, mohimi i sëmundjes janë disa nga mënyrat e shprehjes së gjendjes emocionale të pacientëve. Prania e psikologut u vjen në ndihmë atyre duke u ofruar shërbimin psiko-social, terapi këshillimi, mbështetje emocionale, informim, si dhe psiko-edukim, duke u lehtësuar sadopak ngarkesën emocionale.

Cilat janë reagimet psikologjike?

Pacientët e diagnostikuar në shërbimin Onkologjik mund të kenë përfshirje të gjerë të reagimeve. Fakti që diagnoza në përgjithësi nënkupton një sëmundje dhe dhimbje, mund të shkaktojë krizë psikologjike te disa individë. Kriza psikologjike, në të vërtetë, paraqet një proces, i cili fillon kur pacientët përshtaten ndaj ndryshimeve, nga një jetë e shëndoshë dhe normale deri te paraqitja e sëmundjes, e cila është brengosje për jetën. Gjatë kësaj krize psikologjike pacientët shfaqin reagime të shumta. Reagimi i përbashkët në fazën fillestare është ndjenja e keqe dhe ajo e mohimit.

Shkaku i mohimit fshihet në nevojën që të shtypet ndjenja e shqetësimit dhe panikut, që paraqitet gjatë ballafaqimit me realitetin, të cilin nuk dëshirojnë ta pranojnë dhe të përballen. Në fazën e dytë shprehin depresion dhe zemërim. Ndjenja e zemërimit më shpesh shfaqet përmes reagimit të tyre, i cili fillon me: “Pse unë…?”. Nëse nuk mund ta shprehin zemërimin e tyre, ekziston rreziku i zhvillimit të depresionit. Në këtë periudhë, pacientët mund të shprehin reagime të shqetësimit, humbje të oreksit, hutim dhe trazim. Reagimet e këtilla psikologjike, negativisht mund të ndikojnë mbi procesin e mjekimit nëse nuk trajtohen nga psikologu. Roli i mbështetjes psikologjike u ndihmon pacientëve të mos kalojnë në gjendje të tillë. Mbështetja psikologjike mund ta përmirësojë kualitetin e jetës së pacientëve me fshirjen e frikës dhe brengosjes së tyre. Në këtë mënyrë pacientët janë më të aftë që të ballafaqohen me sëmundjen e tyre dhe të mirëmbrohen nga çrregullimet më të mëdha psikologjike në të ardhmen.

Sa ua zbehni panikun, që është normale t’i rrëmbejë në ato kushte?

Mendja dhe trupi janë në komunikim të vazhdueshëm. Psikologjia pozitive ndikon pozitivisht mbi trupin. Të menduarit pozitivisht e mbështet sistemin imun. Mund të ketë çaste kur secili ndihet pa humor, me ose pa shkak. Askush nuk mundet vazhdimisht të jetë shumë i lumtur, pa brenga, i gëzuar, me energji etj. Te pacientë të ndryshëm, kjo sëmundje shkakton çrregullime jo vetëm në aspektin emocional, por dhe në atë social e fizik. Ata njerëz, të cilët zgjedhin që ta përballojnë stresin me sjellje me rrezikshmëri të lartë si pirja e duhanit, pirja e alkoolit, apo zgjedhja e një jete sedentare, i nënshtrohen sëmundjes, kanë një cilësi jete më të varfër pas trajtimit. Ndryshe nga këta, ata pacientë, të cilët zgjedhin ta përballojnë stresin duke përdorur teknika relaksimi dhe mundohen që ta menaxhojnë atë, kanë nivele më të ulëta ankthi dhe depresioni. Rezultatet e studimeve eksperimentale tregojnë se stresi psikologjik mund të ndikojë në zmadhimin e tumorit ose në shpërndarjen e tij.

Cila është përkujdesja juaj në një ditë të zakonshme?

Siç e përmenda dhe më sipër, puna ime konsiston në mbështetjen emocionale të pacientëve në përballimin sa më me lehtësi të sëmundjes, si dhe rritjen e cilësisë së jetës së tyre për çdo situatë kritike që aty ndodh, por jo vetëm pacientëve, po edhe familjarëve të tyre. Gjithashtu zhvilloj seanca këshillimi me ta, se çfarë i gëzon apo i shqetëson më shumë në jetë dhe, ajo që ka më tepër rëndësi, është t’ua lehtësoj dhimbjen dhe mendimin e vazhdueshëm për sëmundjen që ata vuajnë, si dhe eliminimin e mendimeve të këqija lidhur me procedurat e trajtimit të mjekimit, sepse, siç dihet, një mjekim në këtë shërbim është dhe kimioterapia, e cila në skema të ndryshme mjekimi jep tjetërsim të imazhit trupor si për shembull: rënie e flokëve, rënie nga pesha. Takimet në grup rezultojnë po ashtu shumë të suksesshme, sepse pacientet ndihen më të lehtësuara kur bashkëbisedojnë me njëra-tjetrën për shqetësimet e sëmundshmërisë. Për realizimin e takimeve në grup pacienteve u ofrohet zyra e psikologes. Rezultati i punës sime është përmirësimi i cilësisë së jetës së tyre.

Çfarë u këshilloni?

Pacienti në shërbimin Onkologjik nuk paraqet vetëm probleme shëndetësore. Ai/ajo shfaq probleme sociale, nevoja për informacion, si dhe probleme emocionale. Kjo gjendje mund t’i përkeqësojë ata më shumë nga ana shëndetësore. Mbështetja emocionale dhe ajo sociale i ndihmon shumë pacientët e prekur për ta përballuar stresin psikologjik. Kjo mbështetje bën të mundur të ulet niveli i depresionit dhe ankthi te këta pacientë. Prandaj u vjen në ndihmë psikologu me teknika mbështetëse. Pacientet, për të ulur nivelin e stresit, ndjekin praktika të ndryshme si: meditim, relaksim, këshillim, psikoterapi, edukim mbi sëmundjen, marrje pjesë në grupe autosuporti, ushtrime etj. Pacienti nuk duhet absolutisht të bjerë në gjendje ankthioze të sëmundjes. Ai/ajo duhet të vazhdojë të jetojë, mendojë, ushqehet, të shkojë në punë, të bëjë aktivitet sportiv siç bënte para se të sëmurej.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top