FB

December 31, 2024 | 9:49

Prag i 2025-ës: Si të vendosni qëllime dhe objektiva të arritshme për vitin e ri?

Klaudia Halahula
Psikologe klinike

Jemi në prag të vitit të ri dhe kjo është periudha e duhur për të vendosur qëllime të reja për të përmirësuar vetveten në aspektin personal dhe profesional. Të vendosurit objektiva apo qëllime janë pikënisja e duhur për të sjellë ndryshime pozitive në jetën tuaj.

viti-i-ri-qellimet

Pra, a keni bërë ju një listë me qëllime apo objektiva që doni të përmbushni përgjatë vitit të ri? Nëse jo, tashmë është koha e duhur për të menduar e reflektuar rreth tyre.

Përpiquni të vendosni  qëllime dhe objektiva të arritshme në kohë dhe mundësi.
Gjithashtu qëllimet tuaja duhet të jenë specifike dhe jo të përgjithshme. Kjo gjë do t’ju ndihmojë për të qenë më të qartë për pritshmëritë që ju keni ndaj vetes dhe të ardhmes suaj.

Bëni një listë ku të shënoni të gjitha qëllimet dhe objektivat që doni të arrini përgjatë vitit të ri.
Të bërit një listë mund t’ju ndihmojë që të vendosni qëllime dhe objektiva specifike. Gjithashtu, bërja e një liste me qëllimet që keni vendosur, ju jep mundësinë edhe për t’i rishikuar dhe reflektuar për përmbushjen e qëllimeve që ju keni vendosur përgjatë gjithë vitit.

Vendosni një afat kohor për realizimin e tyre.
Në mënyrë që ju të mos neglizhoni arritjen e qëllimeve tuaja, por njëkohësisht që të mos ngadalësoni procesin e përmbushjes së tyre, vendosni një afat kohor të përputhshëm me kohën që ju nevojitet për t’i përmbushur ato.

Kërkoni ndihmë nga të afërmit apo miqtë tuaj, nëse ju nevojitet mbështetja e tyre për të realizuar qëllimet dhe objektivat tuaja për vitin e ri.
Ndonjëherë për të arritur qëllimet tuaja, është e domosdoshme edhe ndihma nga njerëzit e tjerë. Ashtu siç ju mund të keni nevojë për ndihmën e tyre, edhe ata mund të kenë nevojë për ndihmën tuaj. Së bashku ju mund të ndihmoni njëri-tjetrin për të arritur objektivat dhe qëllimet që keni vendosur për vitin e ri.

Është e rëndësishme të gëzoni dhe festoni për çdo arritje tuajën.
Ndoshta nuk do të mund të realizoni çdo qëllim apo objektiv, por duhet të ndiheni krenarë për çdo qëllim që do të arrini, si dhe për çdo përpjekje tuajën për realizimin e tyre.

Sigurisht që të vendosurit qëllime apo objektiva për vitin e ri, nuk është një proces i lehtë, por përpiquni që të jeni realistë, optimistë dhe të vendosur për t’i përmbushur ato dhe për të përmirësuar jetën tuaj në aspektin personal dhe profesional. Mos harroni që të vendosurit dhe përmbushurit qëllimet e vitit të ri është një rrugëtim që përmban sukseset dhe dështimet përgjatë tij, ndaj përpiquni të ruani një qasje optimiste dhe të vazhdoni të përpiqeni për t’i realizuar qëllimet tuaja për vitin e ri.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top