Sipas gjetjeve të botuara në revistën Personality and Individual Differences, meshkujt me tipare psikopatike ndikojnë negativisht në marrëdhënien dhe kënaqësinë seksuale të partneres.
Autorët e studimit, një ekip kërkimor i udhëhequr nga Irena Pilch, përdorën modelin triarkik të psikopatisë për të eksploruar lidhjen midis psikopatisë së meshkujve dhe kënaqësisë së partnerëve të tyre. Modeli përshkruan tre dimensione të ndërlidhura të psikopatisë. Poshtërsia i referohet pashpirtësisë, mungesës së ndjeshmërisë dhe shfrytëzimit. Dezinhibimi i referohet kontrollit të ulët të impulsit, armiqësisë dhe emocionalitetit negativ. Së fundi, guximi i referohet qëndrueshmërisë emocionale, aftësisë sociale dhe aventurës. Studiuesit prisnin që këto tre konstruksione të lidheshin në mënyrë të pavarur me kënaqësinë e marrëdhënieve me partnerin dhe kënaqësinë seksuale.
Pilch dhe kolegët e saj shpërndanë një anketë mes një kampioni përfundimtar prej 1945 femrash polake në marrëdhënie heteroseksuale. Gratë ishin midis moshës 18 dhe 67 vjeç dhe 42% ishin të martuara. Të anketuarit iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me personalitetin e partnerit të tyre, me artikuj që vlerësonin tiparet psikopatike të poshtërsisë, guximit dhe mosfrenimit. Gratë vlerësuan gjithashtu statusin social të partnerit të tyre në një shkallë prej 10 pikësh dhe plotësuan masat e kënaqësisë së tyre në marrëdhënie dhe jetën seksuale.
Sipas rezultateve, poshtërsia e një partneri (p.sh., “Ai nuk sheh asnjë pikë shqetësimi nëse ajo që bën lëndon dikë tjetër”) ishte parashikuesi më i fortë negativ si për marrëdhënien ashtu edhe për kënaqësinë seksuale. Disinhibimi (p.sh., “Ai ka humbur punën dhe nuk ka marr mundimin të telefonojë”) ishte faktori tjetër më i fortë, duke ndikuar përsëri negativisht si marrëdhënien ashtu edhe kënaqësinë seksuale. Në të kundërt, guximi (p.sh., “Ai mund t’i bindë njerëzit të bëjnë atë që dëshiron”) dhe statusi social ishin parashikues pozitivë të marrëdhënies dhe kënaqësisë seksuale.
Sipas një perspektive evolucionare, statusi social komunikon përfitime, duke i motivuar gratë të zgjedhin partnerë me status më të lartë. Statusi social u shoqërua pozitivisht me guximin, duke sugjeruar se guximi është një aspekt i psikopatisë që mund të konsiderohet “përshtatës”. “Ne spekulojmë se disa tipare që i atribuohen guximit (vetëvlerësimi i lartë, autopromovimi, toleranca ndaj stresit, dominimi social dhe guximi) janë në përputhje me një përshkrim evolucionar të një njeriu të aftë për të pasur akses në burime të vlefshme”, u shpreh Pilch dhe ekipi i saj. “Këto atribute duken gjithashtu në përputhje me preferencat bashkëkohore të çiftëzimit.”
Megjithatë, tiparet e poshtërsisë duket se janë aspekte “jo të suksesshme” të psikopatisë që janë të dëmshme për marrëdhëniet e ngushta. Dezinhibimi, thonë studiuesit, mund të lidhet me kënaqësinë më të ulët mes partnereve femra, sepse tipari përkon me kontrollin e ulët të impulsit, sjelljen ndaj rrezikut dhe agresionin – atribute që mund të shtojnë stres në një marrëdhënie. Poshtërsia karakterizohet nga cilësi të neveritshme që mund ta bëjnë të vështirë për një person sigurimin dhe kultivimin e marrëdhënieve intime, të tilla si manipulimi dhe mospërfillja e nevojave të partnerit.
Interesant është fakti se lidhjet negative midis tipareve psikopatike të burrave dhe kënaqësisë së marrëdhënieve të grave ishin më të dukshme tek gratë me kënaqësi më të ulët në marrëdhënie, duke sugjeruar se tiparet psikopatike të burrave janë më të dëmshme kur tashmë ka probleme brenda marrëdhënies. Përndryshe, gjetja mund të tregojë se gratë me kënaqësi më të madhe kishin më pak gjasa të vërejnë dhe raportojnë tiparet psikopatike të partnerit të tyre.
Autorët e studimit vërejnë se tiparet psikopatike të meshkujve u matën përmes vlerësimeve nga partneret e tyre femra, të cilat mund edhe të kenë paragjykuar. Studimet e ardhshme mund të përfitojnë nga vlerësimi i tipareve psikopatike dhe kënaqësisë së marrëdhënieve, duke marr këndvështrimin e të dy partnerëve.
Burimi / https://www.psypost.org/
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.