Këshilla & Arsye

March 28, 2020 | 8:03

Pranvera Paplekaj: Koronavirusi në sytë e fëmijëve tanë, ‘përrallëza jonë’

E përshtatshme për moshën 2-6 vjeç, të cilët bëjnë pothuajse gjithë ditën pyetje, për t’u njohur me këtë “personazh” të ri në jetën e tyre: – O mami, çfarë është Coronavirusi? – Çfarë pune bën ky? – Çfarë ndodh nëse coronavirusi zbulon njerëz që nuk mbajnë higjienën? – Pse nuk kanë ardhur gjyshërit tek ne, po ne përse nuk ikim tek gjyshërit? – Pse xhaxhi doktori dhe xhaxhi Edi po thonë gjithë kohës në TV që duhet të rrimë vetëm brenda? – Pse po rrimë kaq shumë në shtëpi pa shkuar në kopsht, shkolle? – Përse nuk shkoni më në punë? – Kur do ikë Coronavirusi nga ne, a vonon edhe shumë?

Msc. Pranvera Paplekaj (Martinaj) Psikologe, Lezhë

Msc. Pranvera Paplekaj (Martinaj)
Psikologe, Lezhë

Na ishte një herë një mikrob, që emrin e kishte goxha të bukur. Ai quhej Coronavirus. Një ditë, natyra vendosi ta dërgojë në punë në disa shtete për të kontrolluar të gjithë njerëzit nëse ata e mbajnë higjienën e tyre personale ose jo.

Nëse ata nuk e mbajnë, do t’i sjellësh tek unë dhe do jetojnë me mua aq ditë sa ata të mësojnë rregullat e higjienës. Natyra i kishte thënë Coronavirusit që të kontrollonte sidomos gjyshërit, sepse ata janë të vjetër në moshë dhe mund të jenë dhe të vetmuar, sepse fëmijët e tyre kanë shkuar larg për të punuar dhe ata janë vetëm, mërziten dhe harrojnë të lajnë duart shpesh dhe fëmijët, pasi edhe ata janë të vegjël dhe gjithashtu mund të harrojnë. Natyra e kishte porositur Coronavirusin që, kur të shkosh në një shtet, mënyra e duhur për të kontrolluar mirë të gjithë njerëzit është që ti të qëndrosh kudo në lëvizje, por pa u parë nga të tjerët, në ambientet jashtë sidomos, komuniko me xhaxhi doktorët dhe kryeministrat e vendeve që njerëzit  t’i këshillojnë  të rrinë brenda dhe të zbatojnë ca rregulla. Për sa kohë ti do bësh kontrollin në një shtet, kërko që asnjë fëmijë të mos shkojë në shkollë, pasi në shkollë ka shumë fëmijë dhe mund të ketë nga ata që harrojnë të lajnë duart, dhëmbët, trupin, të veshin rrobat e pastra etj., si pasojë prej këtyre mund që edhe të tjerët të bëjnë si ata, andaj për të qenë të sigurtë të gjithë, duhet të rrinë në distancë. Po ashtu këshilloje kryeministrin që edhe prindërit të mos shkojnë në punë, sepse ata duhet të rrinë në shtëpi të kujdesen për fëmijët e tyre. Nuk duhet të shkojnë as tek gjyshërit, sepse ata ju duan aq shumë, luajnë aq shumë me ju saqë të dy palët mund të harroni të mbani higjienën dhe si pasojë, Coronavirusi mundet ta vërejë këtë gjë dhe t’ju ndëshkojë. Nëse në një shtet vë re që këto rregulla i zbatojnë të gjithë, mos humb kohë dhe shko e vazhdo punën në një tjetër shtet derisa t’i përfundosh të gjitha shtetet që të kam thënë. Unë mendoj dhe kam besim si ti do ta bësh punën aq mirë, saqë me vete nuk do më sjellësh asnjë njeri dhe kështu, ata, të pastër në trup dhe të pastër në shpirt, mund të vazhdojnë jetën të lumtur përgjithmonë.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top