Në fokus

June 30, 2016 | 8:12

Preç Zogaj: Poezitë e mia…ndjenjë e ndjesës nga një burrë

Ai është shkrimtar, publicist, por edhe politikan, që në vitet e para të demokracisë. Çdokush nga ne mendon tashmë se nga të gjitha këto “nga pak”, Zogaj do të flasë pa vështirësi për femrën. Por jo. Siç thotë ai “përballë Athinasë, Safos apo Zhuljetës…çdo burrë e pyet veten, nëse vërtet e njeh një grua”. Megjithatë ai ka folur, ka dhënë intervista e shkruan vazhdimisht për femrën, për nënën, gjyshen, gruan a vajzën, e të gjitha vargjet e tij kanë rrjedhur ashtu krejt lirshëm të shkruara shpesh në copa letrash, sa herë ato i kanë prekur muzën, pasi sipas Zogajt, “pikë së pari tema e dashurisë, duke qëndruar në poezi e bën të pranishme ngaherë femrën në krijimet e mia, për më tepër që është edhe raporti me një krijesë, që pa dashur ta përcaktoj si të huaj, më është dukur se më shtrëngon në shpirt një sekret të gjinisë; – pa dashur ta përcaktoj si të dobët, – më është dukur se ruan diçka të vetënn në shfaqjen e dobësisë së saj”. Tek poezitë e tij, sipas Preç Zogajt, ai flet për gruan me “G” të madhe, ajo, që sipas tij “mund të jetë nëna, motra, bashkëshortja, mikja, e dashura apo një grua çfarëdo me të cilën nuk më lidh diçka personale, janë shpeshherë të ngarkuara me trishtimin e dhimbjen që buron nga ky konceptim, e nga këto ndjesi”. Por në to, Preçi beson se “ndihet një ndjenjë e vazhdueshme e habisë dhe kërkimit të ndjesës, nga një burrë”. Ndjesë? “Nuk e kuptoj thellë-thellë, por e vërteta është se unë nuk kam mundur të shkruaj ndryshe për gruan, veçse me dhimbje. E ndjej dhe them se kjo është një dhimbje lartësuese dhe jo për t’u qarë hallin atyre, siç mund të keqkuptohet nga ndonjë lexues”. Trinitet i shenjtë e ka përcaktuar termin shoqërues të trinomit “femër”, “dashuri” e “poezi lirike”, – rrëfen shkrimtari, publicisti e njëherazi politikani Preç Zogaj. Jeta e tij do ishte e pa jetueshme, sipas Zogajt, nëse s’do kishte dashuri.

E menjëherë e lidh gjithë këtë gjendje “hipnotizuese” që krijon kjo qenie mbi tokë, jo më si një imazh të mistershëm, por në mënyrë “të zgjidhshme” poetike, duke thënë se “Ka gjasa që gruaja të jetë bota jonë, po aq sa të jetë një botë me vete. Nuk do të doja ta vishja me imazhin e së mistershmes, pasi kjo do të tingëllonte një akuzë për vetë gruan, që nuk na shfaqet…por që ka diçka, atë që thashë e më sipër “Gruaja na mban një sekret, më saktë jeton me një sekret që nuk na e thotë dot. Nuk marr guximin të them se e njoh Gruan, ndërkohë që e kam më të lehtë të pohoj të kundërtën: Nuk e njoh. Sidomos kur e shoh të menduar, të harruar, më bëhet se ajo të huajëzohet e gjitha, duke na përjashtuar nga bota e saj. Por Preç Zogaj, jo vetëm shkruan e krijon për to. Ai merr kurajë e komenton të fundmet vepra të lexuara si edhe romanin e shkrimtarit francez Le Clezio, me titull “Refreni i urisë”, për të cilin thotë se, autori ia ka kushtuar nënës së tij. “Aty pashë se Le Clezio kishte shkruar për nënën e tij me delikatesën që shkruhet për fëmijën. Në poezi të gjithë të dashurit e poetit zvogëlohen, në kuptimin e moshës. Poeti vetë plaket, vjetërsohet”. Të qenit pasionant në një marrëdhënie bashkëshortore, Preç Zogaj shprehet se “për pasionin do dua të shkruaj një roman me këtë temë…”, ndërsa në marrëdhënien midis dy gjinive Zogaj shprehet se “nuk kanë zbatim si në ligjet e fizikës, por duhet që tërheqja e fillimit të jetë e tillë, plot pasion dhe marramendje… Por pastaj vendos arsyeja. Arsyeja i mban ose jo, të bashkuar burrin e gruan, qoftë kur janë të njëjtë, qoftë kur janë të ndryshëm”. Preç Zogaj është i martuar dhe ka tre fëmijë. Alesia, vajza e tyre e vogël, mbetet ngaherë “pika e tij e dobët”, ajo e cila arriti ta hiqte babanë nga “rruga” e duhanit, vesit fort “të dashur” e të hershëm të Preç Zogajt.

Botuar në revistën Psikologji, nr.70

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top