Një zakon apo praktikë shumë e keqe që vazhdon të jetë prezent në edukimin tonë me fëmijët e vegjël është futja e fëmijës në banjë kur bën gabim. Kjo mënyrë praktikohet si nga prindërit po edhe nga edukatoret në kopsht. Kur fëmija nuk i bindet, por insiston me sjellje të pakontrollueshme si të bërtitura të forta, përplasja e këmbëve apo shtrirja përtokë dhe sidomos kur fëmija godet apo pështyn prindin apo edukatoren, të rriturit humbasin durimin dhe reagojnë me forcë dhe fyes.
Nga Lira Gjika
Të zemëruar e të nervozuar e kapin fëmijën gjithë mllef dhe e futin në banjë për ndëshkim. Është e vërtetë se edukimi i fëmijëve nuk është një gjë e lehtë madje mendoj se është më i vështiri nga të gjitha gjërat që përballet një i rritur. E megjithatë nuk justifikohet një veprim i tillë. Ndëshkimi duhet të jetë edukues dhe ky veprim i të rriturve ndaj fëmijëve nuk edukon përkundrazi e fyen fëmijën dhe e zhbën. Çfarë mund të mësojë një fëmijë nga një ndëshkim i tillë përveçse zhvleftësimin, neverinë dhe mosbesimin.
Kur janë mirë, prindërit e përkëdhelin e puthin, por kur bën një gjë që për shkak të moshës nuk arrin ta bëjë si thonë të rriturit dhe frustrohet, ata e dërgojnë në banjë. Ky ndëshkim i tregon fëmijës që nuk vlen. Prindër sjelljet e fëmijëve zhvillohen dhe fiksohen pikërisht nga gjendja juaj emocionale, sjelljet dhe vullneti juaj sa ju dini ta duroni dhe qetësoni fëmijën tuaj.
Prindër, edukatorë kur jeni të inatosur dhe shkalla e durimit është ulur shumë largohuni nga fëmija dhe lejoni të përfshihet prindi tjetër që është më i qetë apo një edukatore që ka qenë e pa përfshirë deri në atë kohë. Përpiquni ta shmangni këtë lloj ndëshkimi pasi vetëm dëm bën.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.