Prind i dashur, matematika, fizika, gjuhët e huaja…., mësimet private janë të rëndësishme. Por nëse fëmija juaj nuk mëson të respektojë të tjerët, e gjithë kjo përpjekje është si të ndërtosh një rrokaqiell mbi moçal, herët a vonë do të fundoset.

Pse? Sepse respekti dhe empatia nuk janë zbukurime, ato janë themelet e zhvillimit social dhe emocional. Dhe kur këto themele mungojnë, vendin e tyre e zë ngacmimi. Ngacmimi nuk lind rastësisht dhe nuk është thjesht “lojë fëmijësh”. Ai është mungesë empatie në formën e saj më të papërpunuar. Është fëmija që nuk ka mësuar se edhe tjetri dhemb po aq sa ai vetë. Është ai që është rritur me idenë se, për të mos u shkelur, duhet të shkelë i pari.
Kështu krijohen shkolla të mbushura me frikë dhe fëmijë që rriten duke besuar se dhuna verbale apo fizike, është mjet për të fituar terren. Më pas, këta fëmijë bëhen të rritur që përfshihen në marrëdhënie të dështuara, në mjedise pune toksike dhe në shoqëri që riprodhojnë të njëjtin cikël.

Prandaj, përpara se t’u mbushni çantën e shkollës me lapsa e libra, mbusheni me një mësim që nuk shkruhet në asnjë tekst:
“Çdo njeri meriton respekt!”
“Tallja nuk të bën të fortë, por të vogël!”
“Empatia është forca jote e vërtetë!”
Sepse fëmija që mëson të respektojë të tjerët ka më pak gjasa të bëhet as viktimë, as dhunues. Ai bëhet njeri.
Në fund, le t’i bëjmë vetes një pyetje thelbësore: Çfarë lloj shoqërie duam të ndërtojmë?
Fëmijët tanë janë prindërit, bashkëshortët, mjekët, mësuesit dhe politikanët e së nesërmes. Bota ku do të jetojmë nesër ndërtohet sot, me respektin që kultivojmë në shtëpi.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

