Truri është i vetmi organ i trupit të njeriut, të cilit i duhen vështirësitë dhe e panjohura që të mund të funksionojë mirë. Vështirësia e zbulimit dhe e njohjes, e bën trurin dhe mendjen të punojnë në kapacitet të plotë. Kujtoni shkencëtarët, pasi edhe me ata ndodh si me fëmijët, që çdo ditë përpiqen të njohin e zgjidhin të panjohurat në natyrë dhe në univers. Ky proces i vështirë i njohjes së natyrës e bën trurin dhe mendjen e shkencëtarit të funksionojë çdo ditë e më mirë, sepse çdo ditë edhe ai si fëmija zbulon diçka të re që duhet ta bashkojë me ato që di, ti gjejë vendin e duhur.
Nga Lira Gjika
Ky proces, që ndërthur mendjen edhe trurin në punë të përbashkët dhe realizon procesin e njohjes, të zbulimit dhe më pas të krijimit te mjeteve të duhura, është e njëjta gjë që ndodh edhe me fëmijën. Ai çdo ditë mëson e zbulon gjëra të reja të cilave duhet tu mësojë kuptimin, ti bashkojë me ato që di dhe ti gjejë vendin dhe kohën kur duhen përdorur. I gjithë ky proces kërkon kohën e tij.
Disa fëmijë janë më të shpejtë në disa drejtime dhe disa të tjerë në disa drejtime të tjera, por kjo nuk do të thotë që nuk mund ti mësojnë e zhvillojnë edhe ata dhe ato që janë më pak te shpejtë, tek e fundit pse e kemi pedagogjinë, ajo pikërisht për këtë qëllim është krijuar, të ndihmojë nxënësit ti mësojnë gjërat edhe pse u duken në pamje të vështira. Pedagogjia i tregon nxënësve që gjërat janë të vështira kur nuk i dimë dhe kur i mësojmë ato janë të lehta, pra nuk ekziston “e lehtë – e vështirë” por thjesht “di apo nuk di”. Duhet vetëm pak durim nga të rriturit prindër e mësues.
Në vend që të dallojnë se ku është i shpejtë e ku i ngadaltë më mirë të nxitin fëmijën duke i treguar arritjen. Të rriturit ta “harxhojnë” kohën për të dalluar arritjen e fëmijës dhe jo të dallojnë atë që e di dhe vetë fëmija, që nuk i di akoma. Përpiquni prindër e mësues t’i ndihmoni fëmijët të gëzojnë arritjet e tyre e jo t’u tregoni dështimin. Të treguarit e të qenit i dështuar nuk është vështirësi por poshtërim dhe çbërje. Prindër e mësues, përpiquni të ndihmoni fëmijët të besojnë te vetja dhe të mos kenë turp prej saj. Nuk bëhesh i zoti kur të tregojnë të metat pra të shajnë, por kur besojnë dhe ju besoni dhe nxitini fëmijët tuaj, nxënësit tuaj.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.