‘Prindërit striktë krijojnë fëmijë tinëzarë’, është një shprehje që të bën të ndalosh dhe të mendosh për një minutë. Mund të keni dëgjuar dhe shprehje të tilla, si ‘për sa kohë jeton në shtëpinë time, do të bësh sipas rregullave të mia’, ‘beso dhe kontrollo’, të cilat mund t’i thonë shumë prindër.
Nga Alma Marku, Psikologe Klinike
Në psikologji, prindërit striktë përkufizohen si prindër që vendosin standarde dhe kërkesa të larta ndaj fëmijëve të tyre. Ata presin bindje, konformitet dhe respekt të padiskutueshëm për autoritetin, të cilat zakonisht fitohen me disiplinë të ashpër. Si rezultat, prindërit striktë krijojnë fëmijë tinëzarë. Këta fëmijë kanë mësuar të jenë aktorë të mirë. Ata sillen mirë në shtëpi, por veprojnë ndryshe kur nuk janë pranë prindërit e tyre. Për shkak se prindërit nuk ofrojnë një mjedis të sigurt për fëmijët, për të thënë të vërtetën, fëmijët e rritur me rregulla strikte janë të aftë të gënjejnë dhe fshehin gjërat që të mos kenë probleme (Li, 2022).
Bazuar në një studim psikologjik, prindërit striktë ose të rreptë që përdorin shumë disiplinë dhe i frenojnë fëmijët e tyre të bëjnë shumicën e aktiviteteve, rrisin fëmijë me një risk më të lartë për të pasur probleme të shëndetit mendor, duke nisur nga ankthi, depresioni deri tek abuzimi me drogën dhe alkoolin, sipas artikullit `American Parenting and Physical Punishment` nga Emily Cuddy dhe Richard V.Reeves.
Zakonisht, shumica e prindërve do të bënin çdo gjë për të mbrojtur fëmijët e tyre e natyrisht kjo nënkupton edhe vendosjen e disa kufizimeve. Mirëpo, ndonjëherë ata mund të bëhen tepër mbrojtës, megjithëse me qëllime të mira, deri në atë pikë sa tu japin fëmijëve pothuajse asnjë liri. Në këto skenarë, fëmijët mund t`i binden rregullave të prindërve. Në raste të tjera, ata thjesht mund të bëhen më të mirë në fshehjen e gjërave nga prindërit e tyre.
Ajo çfarë ndodh është që prindërit striktë i detyrojnë fëmijët e tyre të jenë të tinëzarë në mënyrë që të kenë një jetë sociale. Shumica e prindërve i mbajnë fëmijët e tyre të përjashtuar nga aktivitetet shoqërore në mënyrë që t’i bëjnë ata të studiojnë për provime ose të sigurohen që të jenë kryer gjitha detyrat e shtëpisë (Fitzgerald, 2019).
Sipas hulumtimit të Victoria Talwar, psikologe dhe eksperte e zhvillimit të fëmijëve në Universitetin McGill, fëmijët e prindërve striktë kanë më shumë gjasa të përdorin gënjeshtra për të shmangur ndëshkimin (Cepeda, 2016).
Chea Thavy, një punonjës social për `People Improvement Organization`, thotë se edhe pse prindërit duan të jenë të rreptë me fëmijët e tyre, ata duhet të jenë të arsyeshëm. shumica e fëmijëve preferojnë që prindërit t’u flasin me dashamirësi, në vend që të përvetësojnë një ton për t’i fajësuar ata. Megjithatë, disa fëmijë nuk i përgjigjen domosdoshmërish qasjes së butë, gjë që rezulton në atë që prindërit t`u flasin fëmijëve me tone më të rrepta. Ajo shtoi se duke komunikuar me ta në një mënyrë të butë, fëmijët do të kishin më shumë gjasa të marrin në konsideratë veprimet e tyre dhe të mësojnë të mirat dhe të këqijat e gjërave që bëjnë.
Fëmijët shpjegojnë se sjellja e tyre tinëzare është sepse ata kanë nevojë për një hapësirë të tyren. Ndërkohë që nga ana tjetër, prindërit mendojnë se nëse ata sillen në mënyrë strikte me fëmijët e tyre, atëherë ata do të sillen mirë dhe do të jenë të disiplinuar. Mirëpo, kërkimet shkencore dhe studimet kanë treguar se në fakt ndodh e kundërta. Nga këto kufizime të ashpra që vendosin prindërit, fëmijët e shohin ndjejnë veten të kontrolluar dhe askush nuk ka dëshirë që ta shikojë veten të kontrolluar. Gjithashtu, mund të dëmtohet marrëdhënia prind-fëmijë duke qenë se mbillet emocioni i frikës tek fëmijët. Rrjedhimisht, fëmijët kanë frikë që të shprehin atë që ata mendojnë ose ndjejnë tek prindërit e tyre sepse ndjejnë që këta të fundit nuk do t’i kuptojnë. Ndaj ata mund të zgjedhin të rebelohen, si një nevojë për t’u çliruar dhe të mos u përshtatur me kufijtë e vendosur.
Nëse ju jeni një prind strikt është e vlefshme të mendoni pak për qëllimin e rritjes së fëmijës suaj. Mund të pyesni veten ‘Cili është vizioni juaj për marrëdhënien tuaj pas 20 vitesh? Dëshironi që fëmija t`ju vizitojë, të flasë me ju ose t`ju përgjigjet telefonatave tuaja kur të rritet? Dëshironi që ata të jenë ende në jetën tuaj?’
Ndërkaq, nëse keni prindër shumë kontrollues dhe striktë, me siguri keni shumë punë për të bërë. Mund të jetë një ide e mirë të kërkoni ndihmë profesionale sepse nuk keni përse të jeni vetëm dhe psikologët mund t`ju ndihmojnë se si të përballoni një marrëdhënie me prindër striktë.
Mbështetur në:
Cepeda, M. (2016). Research Says Strict Parenting Can Turn Kids Into Liars. Woman`s Day.
Fitzgerald, S. (2019). Strict Parents Make Sneaky Kids. The Sage News.
Li, P. (2022). Strict Parents – What’s Wrong With Them. Parenting for brain
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.