FB

September 3, 2024 | 7:04

Prindërimi: a jemi të përshtatshëm për këtë rol?

Të vendosësh të bëhesh prind është një zgjedhje që duhet bërë me dëshirë, por edhe me vetëdijen për sfidat që ky rol përmban.

A jemi të gjithë në gjendje të bëhemi prindër të devotshëm? Çfarë do të thotë prindërim? Rastet e kronikës së zezë, ku prindërit dhunojnë fëmijët apo më keq akoma u marrin jetën atyre, shpesh na detyron të bëjmë një pyetje: “a jemi të gjithë të përshtatshëm për rolin e prindërit?” Në nivel biologjik, të gjithë mund të bëhemi prindër. Por të jemi prindër të vetëdijshëm, nuk është një gjë për të gjithë. Aktualisht, të jesh prind është një zgjedhje e lirë dhe si e tillë duhet peshuar seriozisht. Të jesh nënë apo baba nuk është më vetëm një çështje instinkti natyral, por edhe çështje arsyetimi social e kulturor. Femrat, për shembull, gjithnjë e më shumë po fitojnë vetëdijen se është e mundur të zgjedhësh të bëhesh nënë apo të mos jesh, edhe pse ende nga shoqëria konsiderohen se që të jenë të realizuara plotësisht duhet të bëhen nëna. Pavarësisht kësaj, të vendosësh të bëhesh prind është një zgjedhje që duhet bërë me dëshirë, por edhe me vetëdijen për sfidat që ky rol përmban.

 

Çfarë është prindërimi?

Nisemi nga një pohim thelbësor: prindërit perfektë nuk ekzistojnë. Aq më pak shërben që të lexosh të gjithë manualet mbi prindërimin. Gjithnjë e më shpesh, sidomos në psikologji, përdoret termi “prindërim” për të treguar funksionin e prindërve dhe atë proces nëpërmjet të cilit mësojnë se si të kujdesen për fëmijët e tyre. Kjo fazë fillon që në shtatzëni, periudhë gjatë të cilës prindërit përgatiten me ardhjen e fëmijës dhe me ndryshimet e bërthamës së tyre familjare. Në fakt, prindërim, do të thotë të kujdesesh për fëmijët, por edhe të bësh një ndryshim nga termi “çift” në “familje” dhe të jesh i hapur për të qenë baba dhe nënë.

 

Mbështetja e prindërimit

Përveç librave, çiftet e reja mund të kërkojnë edhe ndihmën e terapistëve për të kuptuar dhe për t’u thelluar më shumë mbi prindërimin. Ndihma e profesionistëve mund t’i ndihmojë prindërit që të reflektojnë mbi rolin e tyre dhe të përdorin strategjitë më të frytshme për t’u përgatitur sa më mirë, si dhe të kenë një marrëdhënie të shëndetshme me fëmijët e tyre. Përgatitja për të prindëruar nuk shërben vetëm për të përvetësuar këshillat dhe teknikat që duhet të vënë në praktikë, por u shërben edhe vetë prindërve për t’u rritur në nivel të tillë që të jenë të aftë të përballen me problemet dhe të përshkojnë faza të ndryshme të zhvillimit të fëmijëve. Ky rrugëtim mund të jetë edhe më i domosdoshëm për nënat e baballarët që kanë fëmijë me vështirësi të caktuara, si fizike, ashtu dhe psikologjike.

 

Këshilla për zhvillimin e prindërimit

Prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm për cilësitë dhe defektet e veta, duke u munduar të forcojnë burimet pozitive.

Është e nevojshme të forcojnë lidhjen, jo vetëm me fëmijën, por edhe me partnerin.

Është e domosdoshme t’u vënë kufij fëmijëve, duke përdorur kryesisht empatinë.

Nuk është pozitive të përdorin vetëm dënimin për të edukuar fëmijët. Objektivi i një prindi duhet të jetë që ta inkurajojë fëmijën të përmirësojë dhe të mësojë përgjatë jetës.

Asnjë prind nuk është perfekt: mësoni nga gabimet tuaja dhe përmirësoni strategjitë.

 Në rast se jeni në dilemë, mos ngurroni të kërkoni ndihmën e një profesionisti, si dhe të ndani përvojat tuaja me ato të prindërve të tjerë.

Përgatiti: Manjola Ereqi

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top