Nga: Fleura Shkëmbi
Ekzistojnë disa lloje marrëdhëniesh midis prindërve dhe fëmijëve të cilat mund t’i ndajmë në kategori të mëdha, por në këndvështrimin më të ngushtë, çdo marrëdhënie është e veçantë dhe varet nga kushtet në të cilat krijohet dhe zhvillohet. Studimet e kohëve të fundit kanë gjetur të paktën katër kategori ku përshkruhen sjelljet e fëmijëve dhe reagimet e prindërve ndaj këtyre sjelljeve. Mënyra se si i përgjigjet/reagon një prind fëmijës, ndikon në mënyrën e lidhjes së fëmijës me prindërit dhe ndikon se si ky fëmijë do të sillet ndaj të tjerëve kur prindërit nuk janë përreth.
1.Marrëdhënia e sigurt
Kjo është lidhja më e fortë sepse fëmija e ndien se mund të varet te prindërit kur ka nevojë për mbështetje, pra e di çfarë të presë. Kjo marrëdhënie fillon qëkur je bebe dhe vazhdon përgjatë rritjes së individit. Prindi i jep mundësi lirie që fëmija t’i bëj vetë gjërat e veta por nga ana tjetër e ndien sigurinë se prindi nuk do ta lërë në baltë. Sa herë na ka ndodhur edhe ne si të rritur që jemi që kur marrim vendime të mëdha ndihemi të sigurt nëse e dimë reagimin e prindërve. Ti nuk ke frikë se do shkosh në shtëpi dhe do marrësh rrebeshin e kritikave që i ke dëgjuar që i vogël: ti nuk di të bësh asnjë gjë; ti përherë gabon; ti je i/e papërgjegjshme; asnjë nga fëmijët e fisit nuk është i tillë; I ke ngjarë racës së nënës/babait tënd…e kështu me radhë zinxhiri nuk ka fund. Përkundrazi në këtë lidhje ke mbështetje pozitive: Po nuk e provove nuk ke se si ta dish që do ndodhte në këtë mënyrë; ti mëson nga ccdo situatë; mëson më shumë nga sfidat se nga fitoret…
- Fëmijët e sigurt luajnë mirë me fëmijët e moshës së vet kur janë të vegjël por edhe kur rriten kanë marrëdhënie të mirë me shokët/shoqet.
•Kur takon prindërit është i lumtur
Si të rriturit mund të ndërtojnë një marrëdhënie të sigurt?
- Të rriturit janë të pranishëm ndaj nevojave të fëmijëve.
• Kur fëmija qan i rrituri reagon me dashuri
• Kur fëmija është i uritur e ushqen shpejt
• Kur fëmija ka frikë, ai është aty për të treguar kujdes
• Kur fëmija është i lumtur edhe i rrituri shpreh gëzim
2.Marrëdhënie shmangëse
Kjo kategori nuk është e sigurt. Ata kanë mësuar që të vegjël se nuk kanë çfarë të presin nga prindërit prandaj duhet të varen te vetja dhe t’i zgjidhin gjërat vetë.
- Fëmijët që shmangen janë shumë të pavarur.
• Ata zakonisht nuk kërkojnë ndihmë por frustrohen shumë shpejt mund të kenë vështirësi për të lozur me moshatarët e moshës së vet.
• Kafshimi, gjuajtja, shtyrja janë pjesë e fëmijëve por te fëmijët që shmangen vihen re më shumë se të tjerët. Fëmijët që shmangen nuk krijojnë lidhje të ngushta me ata që ju shërbejnë.
• Nuk ankohen kur prindërit i lënë vetëm apo me dikë tjetër por edhe nuk i përshëndesin kur ata rikthehen. Injorimi që ju bëjnë prindërve është një mënyrë hakmarrje për sjelljen që ata bëjnë ndaj këtyre fëmijëve.
• Ata përpiqen që të kujdesen për veten.
Cilat janë sjelljet që një i rritur bën që çon në këtë lidhje?
- Prindërit reagojnë ndaj kërkesave të fëmijëve pasi ka kaluar pak kohë.
• Kur fëmija është i uritur ushqehet pasi ai ka pritur për njëfarë kohe.
• Kur ky fëmijë është i frikësuar lihet që të përballet vetë me frikën.
• Kur fëmijët janë të lumtur për diçka, prindërit janë totalisht indiferent.
• Fëmija mësohet që nuk do ta ndihmojë dikush, prandaj mëson se si të tregoj kujdes për veten. Ka arsye të ndryshme përse prindërit sillen në këtë mënyrë. Ata ose nuk e dinë ku bebi ka nevojë për diçka ose prindër të tjerë mendojnë se në këtë mënyrë do t’i bëjnë fëmijët më të pavarur.
3. Marrdhënia ambivalente
Ambivalenca (jo tërësisht e sigurt për diçka) është një mënyrë tjetër që i bën fëmijët të ndihen jo të sigurt. Fëmijët ambivalent e dinë se disa herë nevojat e tyre do të plotësohen dhe herë të tjera jo. Ata përpiqen të zbulojnë se cilat nga veprimet e tyre kanë tërhequr vëmendjen e prindërve në të shkuarën dhe i përdorin ato gjithmonë e më shumë. Ata janë gjithmonë duke kërkuar ndjenjën e sigurisë.
- Fëmijët ambivalent janë shumë të ngjitur
• Përpiqen që të sillen si më të vegjël se c‘janë dhe të jenë shumë më tepër emocionalë
• Fëmijët ambivalent zakonisht qajnë, frustrohen lehtë dhe duan të jenë gjithmonë në qendër të vëmendjes, mërziten kur të tjerët nuk ju kushtojnë vëmendje. Këta fëmijë ju ngjiten të tjerëve për një periudhe të caktuar kohe. Ata e kanë të vështirë t’i lënë prindërit të largohen në fillim të ditës dhe qajnë për një periudhë të gjatë kohe.
Cilat sjellje të prindërve çojnë në këtë lloj kategorie të fëmijëve?
- Kur fëmija qan disa herë i përgjigjen herë të tjera jo
• Ushqehen kur ndoshta janë të uritur por herë të tjera edhe kur nuk janë të uritur
• Kur janë të frikësuar disa herë mbrohen disa herë injorohen
• E njëjta gjë kur ata janë të lumtur rreth diçkaje ose injorohen ose prindërit reagojnë në një mënyrë që nuk i përshtatet
4.Marrëdhënie e çorganizuar
Fëmijët e çorganizuar nuk dinë se çfarë të presin nga prindërit e tyre. Fëmijët e kategorive të tjera kanë një lidhje të organizuar me prindërit që do të thotë se ata mësojnë se si të marrin atë që kanë nevojë edhe ndoshta jo në mënyrën më të mirë.
- Këta fëmijë mund të bëjnë sjellje që nuk kanë kuptim
• Shpesh mund të flasin aq shpejt saqë ti nuk i kupton çfarë thonë
• Shumë prej tyre e kanë të vështirë të kuptojnë ndjenjat e të tjerëve
• Kur luajnë me lodra/kukulla, bëjnë skena të çuditshme dhe të frikshme. Këta fëmijë janë të vështirë për t’u kuptuar dhe mund të ndryshojnë nga një ditë në tjetrën
Cilat janë sjelljet e prindërve?
- Shumë rrallë ju përgjigjen nevojave të fëmijës
• Edhe nëse do t’ju përgjigjen sjellja nuk është e përshtatshme
• Fëmijët e çorganizuar vijnë nga familje ku janë neglizhuar ose janë keqtrajtuar
• Ka një mundësi që njëri nga prindërit të ketë vuajtur nga depresioni
Nëse shikojmë këto kategori, kuptojmë shumë shpejt sjelljet e të rriturve duke kuptuar edhe tonat. Nuk është e lehtë të jesh prind perfekt por as e pamundur që të jesh pjesë e rritjes së fëmijës që do ndikojë në mirëqenien e tij emocionale më vonë.
© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.