Editorial

November 6, 2015 | 10:30

Zilia

MondiNga Edmond Tupja

Dukuria e zilisë, kaq e njohur nga njerëzit tek vetja e tyre, vihet re edhe te kafshët, por në nivel instinktivisht material, kurse te ne, ajo konsiderohet, me të drejtë, si prodhim në mos i ndërgjegjes shoqërore, me siguri i asaj ndërindividuale.

Fjalori i gjuhës shqipe (Tiranë, 2006) jep tashmë këtë përkufizim, gjuhësor, patjetër, të fjalës dhe, rrjedhimisht, të konceptit “zili”: “(1) dëshirë e fuqishme për të pasur ose për të arritur diçka; (2) ndjenja e lakmisë ose e keqdashjes ndaj dikujt”, ku kuptimi i parë është të paktën asnjanës emocionalisht, pra, pa ngjyrim pozitiv apo negativ, ose me ngjyrim të mundshëm pozitiv, sipas rastit, kurse kuptimi i dytë është me ngarkesë emocionale negative; e thënë ndryshe, kur e kemi zili, për shembull, dikë që ia ka dalë mbanë në jetë, materialisht dhe/ose shpirtërisht, kur mendojmë, pra, se edhe ne duhet të punojmë si ai për të jetuar si ai, zilia jonë përbën një shtysë që mobilizon tek ne energjitë pozitive; në të kundërt, nëse, të paaftë për të arritur nivelin e jetesës ose të famës të personit në fjalë, ne urojmë që ai të rrënohet financiarisht dhe/ose moralisht, e të bëhet lypës, ndoshta edhe më keq, të pësojë një aksident e të vdesë, atëherë zilia jonë është një shtysë që zgjon tek ne energji negative.

Në gjuhën frënge ekziston një proverb shumë interesant që meriton një koment të shkurtër: “Eshtë më mirë të të kenë zili sesa mëshirë”. Mëshira ka diçka të dhimbshme, pavarësisht se bazohet në një ndjenjë humanitare: ajo të lë të kuptosh që ti je bërë për të të qarë hallin, çka nuk është dinjitoze për qenien njerëzore. Ndërsa kur të kanë zili, kjo tregon se ke diçka që nuk e kanë të tjerët dhe ti, në rastin më të mirë, u jep ziliqarëve shembullin që duhet ndjekur për t’u afirmuar në një fushë veprimtarie apo në një tjetër, kurse, në rastin më të keq, ti vetëm sa bëhesh objekt thashethemesh, që, në shumicën e rasteve, meritojnë mospërfillje.

Sidoqoftë, ne, në Shqipëri, nuk e kemi pasur, nuk e kemi dhe nuk do ta kemi për një kohë të gjatë këtë lloj proverbi, sepse është më mirë që të na kenë mëshirë dhe, kështu, nuk na bëjnë dëm, ndërsa po të na kenë zili, na bëjnë gropën, ngaqë pikërisht jemi për t’u pasur zili.

Prandaj, sot, kur dëgjojmë fjalën “zili”, në përgjithësi mendja na shkon te kuptimi i saj negativ, aq më tepër që “zilia”,  në fenë katolike, por me gjasë edhe në të tjerat, cilësohet si njëri prej shtatë mëkateve më të mëdha nga burojnë gjithë mëkatet e tjera. Kjo është arsyeja që, në letërsi, ekzistojnë një numër shprehjesh alegorike për zilinë; kështu, flitet për demonin, përbindshin e zilisë, për gjarprin apo gjarpërinjtë e saj, për helmin, shigjetat e helmatisura, kthetrat e saj, etj., etj.

Ndër shekuj, filozofë e shkrimtarë janë marrë me atë duke u shprehur kësisoj:“Zilia është vesi më i keq, sepse nuk ka për objekt ndonjë të panjohur, por vëllezërit, prindërit, fqinjët, shokët e ngushtë, miqtë” (Ronsard); “ Nuk ka ves aq të dëmshëm sa zilia që t’ia prishë lumturinë njeriut” (Descartes); “Zilia nuk mund të fshihet. Ajo akuzon dhe gjykon pa prova; i zmadhon të metat; u vë emra të tmerrshëm gabimeve më të vogla. Gjuha e saj është plot vrer, ekzagjerim dhe fyerje” (Vauvenargues).

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top