FB

September 24, 2025 | 14:00

Prindërit e fiksuar pas ushqyerjes së shëndetshme mund t’u shkaktojnë fëmijëve më shumë dëm sesa dobi

 

Një studim i fundit ka zbuluar se qasja tepër e rreptë e prindërve ndaj ushqyerjes së fëmijëve mund të sjellë pasoja të padëshiruara. Rregullat e ngurta dhe pritshmëritë e larta shpesh ndikojnë negativisht në marrëdhënien që fëmijët krijojnë me ushqimin, duke nxitur sjellje të pashëndetshme që në moshë të hershme. Ekspertët paralajmërojnë: kontrolli i tepruar nuk është zgjidhja – në vend të tij, nevojiten modele pozitive për të rritur fëmijë më të lumtur dhe më të balancuar emocionalisht.

ushqim-femije-me-zor

Perfeksionizmi prindëror dhe ndikimi në fëmijë

Në një kohë kur rrjetet sociale janë të mbushura me imazhe të drekave “të përkryera” dhe këshilla për “prindërimin ideal”, shumë prindër ndihen nën presion për të qenë perfektë. Megjithatë, kur ky presion shndërrohet në një dëshirë obsesive për përsosmëri, ai mund të dëmtojë drejtpërdrejt fëmijët, veçanërisht në lidhje me ushqimin. Studimet e publikuara në revistën BMC Psychiatry tregojnë se prindërit që ndjekin perfeksionimin, përkufizuar si kontroll i tepërt dhe përpjekje për të ofruar gjithmonë “më të mirën”, kanë më shumë gjasa të kenë fëmijë që shfaqin sjellje të çrregullta në të ngrënë, veçanërisht në grupmoshën 6 deri në 11 vjeç.

 

Kur stresi vjen në tryezë

Standardet e larta, kritikat e vazhdueshme apo pritshmëritë e forta për ushqyerje të “rregullt” krijojnë një klimë ankthi për fëmijët. Në përpjekje për të kënaqur prindërit, ata mund të zhvillojnë një tendencë për perfeksionizëm dhe të lidhin vlerën e tyre personale me atë që hanë. Kjo mund të shfaqet në forma të ndryshme: nga ngrënia kompulsive, tek ortoreksia (obsesion i tepruar me ushqimin e “shëndetshëm”), deri tek çrregullime më serioze si anoreksia dhe bulimia.

Sipas psikologes klinike Erin Parks, drejtoreshë e programit për trajtimin e çrregullimeve të të ushqyerit Equip, shumë prindër bien në këtë kurth për shkak të ankthit, me bindjen se perfeksioni do t’i mbrojë fëmijët nga çdo problem apo zhgënjim. Por kur kjo mendësi aplikohet në fushën e ushqimit, ajo përkthehet në rregulla tepër kufizuese dhe shpesh jorealiste.

 

Edukimi ushqimor pa frikë dhe ndëshkim

Ndërsa është e dëshirueshme t’u mësojmë fëmijëve të hanë një dietë të balancuar me pak yndyrna të ngopura dhe sheqerna të shtuara, ndalimet ekstreme, si për shembull ndalimi i çdo ëmbëlsire apo detyrimi për të mbaruar çdo pjatë, nuk nxisin zakone të shëndetshme. Përkundrazi, ato mund të krijojnë ndjenja faji, fshehje të sjelljes së të ngrënit dhe një marrëdhënie të tensionuar me ushqimin.

Sipas Thea Runyan, eksperte e shëndetit pediatrik dhe konsulente për CDC-në amerikane, edhe ndarja e ushqimeve në “të mira” dhe “të këqija” është e dëmshme. Fëmijët, pa vetëdije, fillojnë të gjykojnë veten në bazë të asaj që hanë. Ata gjithashtu e përthithin ankthin e prindërve të tyre rreth ushqimit shumë më shpejt sesa mendojmë, madje edhe kur të rriturit përpiqen ta fshehin.

 

Shenjat që s’duhet të injorohen

Jo të gjithë fëmijët e prindërve perfeksionistë zhvillojnë çrregullime të të ushqyerit, por ka disa sinjale paralajmëruese që duhen vëzhguar. Runyan përmend raste kur fëmijët shmangin ftesat për festa apo fjetjet tek miqtë nga frika se çfarë ushqimesh mund të gjenden aty. Gjithashtu, mënyra si flasin fëmijët për ushqimin mund të jetë tregues i brengave të tyre. Për shembull, nëse një fëmijë thotë: “Jam i keq sepse hëngra tortë,” kjo tregon ndjenja të forta faji dhe vetëgjykimi. Psikologia Parks thekson se simptomat mund të shfaqen që në moshën 6-vjeçare, në formën e neverisë, ankthit apo rezistencës ndaj vakteve.

 

Si të ndërtojmë një marrëdhënie të shëndetshme me ushqimin?

Ekspertët bien dakord se modeli personal i prindërve ka shumë më tepër ndikim sesa rregullat e imponuara. Fëmijët mësojnë kryesisht duke parë sjelljen e të rriturve, jo duke u detyruar. Të tregosh një marrëdhënie të shëndetshme dhe të ekuilibruar me ushqimin, pa e lidhur atë me faj apo turp, është një mënyrë efektive për t’i ndihmuar fëmijët të ndërtojnë një qëndrim të shëndetshëm ndaj të ushqyerit.

Gjithashtu, shmangia e kritikave mbi peshën, mospërdorimi i termave si “i trashë” apo “i shëndoshë”, dhe lejimi i fëmijëve të provojnë një shumëllojshmëri ushqimesh, edhe ato që shpesh konsiderohen si “jo të shëndetshme”, mund të ndihmojnë në krijimin e një ekuilibri të qëndrueshëm. Përfshirja e fëmijëve në zgjedhjen dhe përgatitjen e vakteve është një tjetër strategji efektive. Siç thekson Runyan, kur fëmijët marrin pjesë në përgatitjen e ushqimit, ata kanë më shumë gjasa ta shijojnë dhe ta vlerësojnë atë.

 

Është në rregull të ndryshoni mendje

Së fundmi, një mesazh inkurajues për prindërit: është në rregull të gabosh, dhe të korrigjohesh. Të pranosh se një qasje e mëparshme nuk ka funksionuar dhe të përpiqesh të ndryshosh është një mësim i fuqishëm për fëmijët. “Kur u themi fëmijëve: ‘Bëra një gabim, le të provojmë një mënyrë tjetër’, u mësojmë atyre se gabimet janë pjesë e rritjes dhe se është gjithmonë e mundur të ndryshojmë për mirë,” përfundon Parks.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top