FB

February 16, 2026 | 16:00

Prindërit që bëhen jo vetëm gjyshër, por edhe shërbëtorë pa pagesë!

 

Kjo është një temë që duhet të na prekë si shoqëri, sidomos neve shqiptarëve. Të gjithë themi se i duam fëmijët tanë. Por a na duan fëmijët më shumë nëse ne bëhemi shërbëtorët e tyre? Po e vërej gjithnjë e më shumë këtë realitet tek ne. Dhe po bëhet normale. Shumë normale.

aurora-pirraku-nika-kriminologeokPrindërit i rrisin fëmijët me sakrificë, me mund, me net pa gjumë dhe me përkushtim të pafund. I mbështesin derisa të ndërtojnë jetën e tyre. Dhe kur vjen koha që ata të pushojnë, të shijojnë pak qetësi… fillon një “turn i dytë”.

Jo vetëm si gjyshër. Por si dado pa orar. Si taksi personale. Si ndihmë shtëpiake. Si zgjidhje për çdo problem, 24 orë në ditë.

Një telefonatë — dhe duhet të jenë aty.

Një kërkesë — dhe nuk ka vend për “jo”. Sepse “janë prindër”.

Por prindërit nuk janë robotë. Nuk janë obligim i përjetshëm shërbimi. Kanë lodhje. Kanë shëndet. Kanë dëshira. Kanë jetën e tyre.

Psikologjia flet qartë për kufijtë në familje. Marrëdhëniet e shëndetshme ndërtohen mbi dashuri, por edhe mbi respekt dhe limite të qarta. Kur prindërit vazhdojnë të mbajnë mbi supe përgjegjësitë e fëmijëve të rritur, krijohet varësi emocionale dhe praktike. Fëmijët nuk zhvillojnë pavarësi të plotë, ndërsa prindërit përfundojnë të lodhur, të mbingarkuar dhe shpesh të heshtur në pakënaqësinë e tyre.

Ndihma është dashuri kur jepet me dëshirë. Por kur kthehet në detyrim të pafund, ajo nuk është më dashuri — është shfrytëzim.

nena vizatim

Unë ende nuk jam gjyshe. Por jam bijë. Dhe e shoh. E shoh sa lehtë sakrifica merret si e drejtë. E shoh sa pak flitet për kufijtë. Ne shqiptarët krenohemi me familjen. Por familja nuk është vetëm të jesh gjithmonë në dispozicion. Familja është edhe respekt. Është edhe mirënjohje. Është edhe të dish të thuash “faleminderit” dhe “mjafton për sot”.

Sepse një ditë rolet ndërrohen. Dhe atëherë do të kuptojmë nëse kemi rritur fëmijë që na duan — apo fëmijë që na shohin si shërbim.

Gjyshërit në fundin e jetës duhet të mbledhin bekime, jo diagnoza. Duhet të marrin përqafime, jo ngarkesa që ua rëndojnë shpirtin dhe trupin.

© Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

MARKETINGU:
Agjente Marketingu:
Erinda Topi: 0688019400
E-mail: [email protected]

© Revista Psikologjia. Nuk lejohet riprodhimi i shkrimeve pa vendosur autorësinë e revistës "Psikologjia" dhe pa cituar burimin.

To Top